Home Lajme BOTË 61 përqind e Sirisë nën okupimin e dy organizatave terroriste

Në luftën e cila po shkon drejt përfundimit të vitit të saj të gjashtë në Siri, 61 përqind e shtetit gjendet nën okupimin e organizatave terroriste PYD/PKK dhe DEASH, të cilave regjimi i Beshar Asadit ende u mundëson hapësirë, shkruan Anadolu Agency (AA).

Kanë ngelur mbrapa gjashtë vite nga fillimi i protestave kundër regjimit në qytetin Dera në jug të Sirisë në mars të vitit 2011.

PYD, zgjatim i organizatës terroriste PKK në Siri, në veri të Sirisë përgjatë kufirit me Turqinë, kontrollon qytetet Haseke në lindje, veriun e qytetit Raka, si dhe qytetin Munbixh në lindje të Halepit dhe Afrin në veriperëndim të Halepit.

Sipas planimetrisë së hartës nga AA, organizata ka shtrirë okupimin në 38.500 kilometra katrorë në Siri, e cila gjithsej ka sipërfaqe prej afërsisht 185 mijë kilometrash katrorë.

Kjo shifër përkon me 21 përqind të sipërfaqes së Sirisë dhe afro 65 përqind të kufirit me Turqinë.

Ushtria e Lirë Siriane (ULS), e mbështetur nga Forcat e Armatosura Turke (TSK), ka pastruar një sipërfaqe prej 2.060 kilometrash katrorë nga organizatat terroriste për Operacionin “Mburoja e Eufratit” të filluar më 24 gusht të vitit 2016.

DEASH ende kontrollon 75 mijë kilometra katrorë

Nga ana tjetër, DEASH, organizatë të cilën Operacioni “Mburoja e Eufratit” e largoi nga kufiri me Turqinë, në pjesën lindore dhe qendrore të vendit, kontrollon një sipërfaqe që shtrihet nga kufiri me Irakun deri në Humus dhe nga kufiri me Libanin deri në Kalamun.

Sipërfaqja prej afër 75.500 kilometra katrorë të okupuar nga organizata, përkon me 41 përqind të vendit.

Megjithatë, rajoni i gjerë i kontrolluar nga organizata terroriste DEASH, është hapësira me dendësinë më të ulët të popullsisë. Në këtë rajon me lëvizshmëri të ulët ekonomike, gjenden burime energjetike dhe linja transporti.

Regjimi i Asadit është përkujdesësi i organizatave terroriste

Regjimi i Bashar Asadit në fillim të luftës civile ka shpërfillur kontrollin e PYD/PKK-së në rajonet veriore të vendit.

Në korrik të vitit 2012, regjimi ia transferoi PYD/PKK-së qytezën Amude pranë qytetit Haseke në verilindje të Sirisë, qarkun Afrin të Halepit në veriperëndim të vendit dhe qytetin Kobani (Ajn el Arab) në verilindje.

Amude, Afrin dhe Kobani u bënë përfitimet e para territoriale në veri të vendit për organizatën.

Lufta gjashtëvjeçare shumë herë u bë skenë e bashkëpunimit mes regjimit dhe PYD/PKK-së. PYD/PKK dhe regjimi kanë ndërluftuar rrallë dhe vetëm në përmasa të vogla që nga fillimi i luftës civile.

Bashkëpunimi i fuqishëm mes tyre më së shumti tërheq vëmendje në Haseke. Organizata vazhdon t’i paguajë tatim regjimit në Haseke. Teksa regjimi vazhdon të sigurojë funksionimin e institucioneve publike, sigurinë e mundësojnë forcat e regjimit së bashku me organizatën. Fusha e naftës Rumejlan që kontrollohet nga PYD/PKK në verilindje të Hasekes, ruhet bashkarisht. Ndërkaq, një pjesë e naftës së nxjerrë i jepet regjimit.

Krahas kësaj, regjimi ka lejuar që organizata të krijojë “akademi terrori” në Afrin të Halepit dhe rajonet Shejh Maksut dhe Hulluk. Në rajonet në fjalë, qindra terroristë marrin trajnime përmes trajnuesve të huaj mbi përdorimin e armëve të rënda, bombave dhe mbi teknikat e luftës.

Po ashtu, militantët e plagosur të PYD/PKK-së transferohen në spitalet shtetërore në Damask përmes avionëve të regjimit.

Bashkëpunimi me DEASH-in kundër opozitarëve

Regjimi i Asadit, krahas organizatës terroriste PKK/PYD, nuk ka ngurruar të bashkëpunojë edhe me DEASH-in kundër opozitarëve.

Muhamed Kasim Nasir, kryeprokuror në Palmira mes viteve 2013 dhe 2015, vitin e kaluar për AA ka rrëfyer se regjimi në mënyrë të vetëdijshme i kishte dorëzuar organizatës qytetin, ndërsa deklarata e prokurorit ka bërë jehonë edhe në shtypin ndërkombëtar.

Dhjetorin e kaluar, skenari i Palmiras u përsërit për herë të dytë, teksa bashkëpunimi mes regjimit dhe DEASH-it u shfaq edhe një herë para syve.

Palmira iu la DEASH-it së bashku me armët e rënda, pasi paraprakisht u mor nga Rusia dhe regjimi përmes një operacioni të vështirë që zgjati një muaj.

Shembulli i fundit i partneritetit mes regjimit dhe DEASH-it doli në pah kundër Operacionit “Mburoja e Eufratit”.

Regjimi i Asadit, duke krijuar zonë tampon në jug të qytetit Al Bab të cilin ULS e mori me mbështetjen e TSK-së, u përpoq të pengojë avancimin e operacionit kundër DEASH-it.

Regjimi, i cili avancoi nga jugu, shumë pika iu dorëzuan nga DEASH-i. Si rezultat i kësaj, ushtria e regjimit dhe grupe të mbështetura nga Irani, arritën në qytetin Munbixh që gjendet nën kontrollin e PYD/PKK-së.

Në këtë mënyrë, forcat e regjimit ndërprenë rrugën që çon në qendrën e DEASH-it, Raka.

KULTURË

0 2729

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...