Home Lajme Albin Kurti në Prizren në varrimin e aktivistit të dalluar Hysni Hyseni...

Albin Kurti në Prizren në varrimin e aktivistit të dalluar Hysni Hyseni “përherë do të përkujtojmë veprën e tij”

Kur e vizitova para dhjetë ditëve ishte rëndë por kishte vetëdije, të nesërmen kishte përjetuar infarktin e parë, kurse dy ditë më vonë e gjeta në komë të intubuar.

Doda vdiq sot. Në QKUK në Prishtinë, në repartin intenziv të Klinikës Infektive, vdiq në mëngjes Hysni Hyseni – Doda, aktivist i dalluar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

As një vit nuk ishte më i moshuar se unë, por askush, e as unë, nuk mund të mateshim me të për nga aktiviteti i dendur që bënte.

Në protestën e 10 shkurtit 2007 ku u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, u patën plagosur e lënduar mbi 80 qytetarë, e më së rëndi pikërisht Hysni Hyseni nga Prizreni që humbi syrin e djathtë, Mustafë Nerjova nga Lubishda e Hasit që edhe sot e kësaj dite ka një pjesë plastike në kokë në vend të kafkës që ia çanë me plumb dhe Zenel Zeneli nga Bardhoshi i Prishtinës i cili ende i ka dy plumba në trup njërin shumë afër zemrës.

Ndryshimi në Prizren me fitoren e Mytaher Haskukës në vjeshtën e vitit 2017 do të ishte i pamundur pa punën e palodhshme të Dodës, i cili mua asokohe m’i mësoi të gjitha çajtoret e Kurillës dhe jo vetëm.

Ka lënë pas vetes gruan, katër vajzat dhe një djalë.

Dhembja që ndjejmë është e madhe, pikëllimi që na ka mbërthyer është i rëndë, humbja që përjetuam është e vështirë.

Kujtimi ynë për Dodën do të jetë përjetë i gjallë, porsi gjallëria e tij jetësore.