Home Lajme BOTË Analizë – Plani i Turqisë për operacionin në Raqqah, test sinqeriteti për...

Turqia i është përgjigjur me një raport/plan operativ Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend ky që këmbëngul vazhdimisht për të ndërmarrë një operacion ushtarak në qytetin Raqqah të Sirisë.

Në këtë raport, ku theksohet se goditja e organizatës terroriste DAESH në Raqqah mund të realizohet vetëm përmes një operacioni nga zona e Tell-Abyadit, kërkohet gjithashtu që të formohet një zonë e sigurt, e cila do të çaktivizojë dhe anulojë çdo funksion të PYD-së, fraksioni sirian i organizatës terroriste PKK.

Autoritetet turke u prezantuan bashkëbiseduesve amerikanë një raport në lidhje me operacionin ushtarak, i cili planifikohet të ndërmerren në Raqqah, bastion i DAESH-it në Siri, si dhe e trajtuan këtë çështje po ashtu gjatë vizitës në Ankara të kreut të ri të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA(CIA), Mike Pompeo.

Plani i ekspertëve ushtarakë turq për operacionin në Raka nënvizon se drejtimi më i arsyeshëm dhe i përshkueshëm jo vetëm në aspektin e logjistikës, por edhe në atë të sigurisë, është ai “Tell-Abyad – Ayn Issa – Raqqah”.

Burime pranë shërbimeve turke të inteligjencës tërheqin vëmendjen se përdorimi i itinerarit të Tell-Abyadit, një zonë e kontrolluar nga organizata terroriste PYD dhe krahu i armatosur i saj YPG, do të jetë një test sinqeriteti për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse SHBA-ja është e sinqertë për sa i takon spastrimit të DAESH-it nga Raqqah, në rast se respekton integritetin territorial të Sirisë dhe nëse dëshiron me të vërtetë që të bashkëveprojë në këtë zonë me Turqinë dhe me forcat e koalicionit, atëherë në Raqqah duhet të shkohet përmes Tell-Abyadit. Turqia, ndërkohë që kryen këtë operacion, nuk duhet të injorojë as Rusinë dhe as Iranin”, shprehen të njëjtat burime.

Rruga nga Al-Babi në Raqqah është 170 km e gjatë nëse kalohet nga Diga “Tabqa” mbi Eufrat.

Po të merret parasysh edhe distanca prej 40 km nga Al-Rai (Çobanbey) në Al-Bab, atëherë largësia shkon në 210 km dhe kjo nuk është aspak e lehtë për logjistikën.

Si pasojë e kësaj distance të largët, jo vetëm që do të ketë probleme në sistemet e furnizimit, por njëherësh do të vështirësohet edhe garantimi i sigurisë së rrugës.

Forcat e koalicionit do të detyrohen që të avancojnë paralelisht dhe krah për krah me regjimin e Esadit përgjatë tërë rrugës për në Raqqah, gjë kjo që do t’i shtojë operacionit edhe elementë të tjerë, të cilët rrisin dukshëm rrezikshmërinë.

Po ashtu kohëzgjatja e operacionit do të jetë më e madhe, pasi mbi këtë rrugë duhet të kalohen edhe disa vendbanime të kontrolluara nga organizata terroriste DAESH.

Kurse drejtimi “Tell-Abyad – Ayn Issa – Raqqah”, i përcaktuar nga Turqia, është vetëm 90 km i gjatë.

Duke filluar që nga kufiri, rreth 70 km të kësaj rruge kontrollohen nga PKK/PYD-ja.

Nga kjo pikë mbeten vetëm 20-25 km për të mbërritur në Raqqah.

Autoritetet turke, që theksojnë se pikërisht këtu do të duket sinqeriteti i SHBA-së, bëjnë po ashtu paralajmërime të rëndësishme që Turqia, shumë transparente dhe e sinqertë në luftën kundër DAESH-it, të veprojë me kujdes për të mos rënë pre e kurtheve të mundshme.

Në këtë kontekst, raport/plani operativ i Turqisë tërheq vëmendjen se operacioni për çlirimin e qytetit Raqqah nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH duhet të mendohet vetëm pasi të garantohet plotësisht siguria e zonës së sigurt në anën perëndimore të lumit Eufrat, e cila është deklaruar botërisht nga Ankaraja dhe është planifikuar të jetë 90 km e gjatë dhe 60 km e thellë.

Ky plan i deklaruar nga Turqia përfshin linjën “Jarabulus – Manbij – Al-Bab – Tell-Rifaat – Azaz”, në pjesën perëndimore të Eufratit.

Burime, që e njohin mjaft mirë këtë zonë, paralajmërojnë se “siguria e saj është shumë herë më e rëndësishme sesa Raqqah për Turqinë”.

Përse është e rëndësishme për Turqinë?

Ndërkohë që Turqia kundërshton në mënyrë kategorike që operacioni në Raqqah të ndërmerret së bashku me elementë të PKK/PYD-së, parashikohet që ky vend do të sigurojë këto përfitime:

  1. Me çlirimin e qytetit Raqqah, organizatës terroriste DAESH do t’i ndërpritet çdolloj kontakti dhe burimi njerëzor në lidhje me Turqinë.
  2. Duke qenë se edhe PKK/PYD-ja do të largohen vetiu nga zona, kjo pjesë e Sirisë do të spastrohet tërësisht nga elementët terroristë.
  3. Mijëra njerëz, të cilët janë shpërngulur me forcë prej tokave të tyre nga organizatat terroriste PKK/PYD dhe DAESH, do të kthehen shtëpitë e tyre.  /TRT/

KULTURË

0 2775

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...