Home Lajme Besimtarët ortodoks në Maqedoni festojnë Ditën e “Ujit të Bekuar”

Me rastin e festës ortodokse “Uji i Bekuar”, në mesditë në ujërat e lumit Vardar rreth 100 kandidatë u përpoqën në kapjen e kryqit të hedhur nga kreu i Kishës Ortodokse të Maqedonisë (KOM), kryepeshkopi Stefan, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë vit në mesin e rreth 100 kandidatëve që notuan në lumin e ftohtë të Vardarit për kapjen e kryqit, më i aftë ishte Boban Pavlovski nga Ohri i cili i pari arriti te kryqi që u hodh nga kryepeshkopi Stefan. “Zoti të gjithëve u dhashtë fat, shëndet dhe lumturi”, u shpreh Pavlovski.

Ceremonia e hedhjes së kryqit u ndoq edhe nga kryeministri teknik, Emil Dimitriev dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, të cilët i ndanë dhurata Pavlovskit për kapjen e kryqit.

Më herët, kryepeshkopi Stefan shërbeu liturgjinë e madhe të Shën Vasilit në “Kishën e Virgjëreshës Maria”, i cili pastaj i shoqëruar nga krerikë dhe besimtarë ortodoks u drejtuan për tek ura, ku dhe u hodh kryqi.

Sipas besimtarëve ortodoks hedhja e kryqit do të thotë bashkimi me Krishtin dhe besohet se ai që arrin të kap kryqin do ta ndjek mirëqenia, shëndeti dhe fati gjatë gjithë vitit. Kjo festë lidhet me pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan dhe Shën Jovani, i cili atëherë quhej Pagëzuesi.

Dita e hedhjes së kryqit – 19 janari, që tradicionalisht organizohet në shumë qytete të Maqedonisë, në pajtim me Ligjin për festa të Maqedonisë është ditë jopune për besimtarët ortodoks.