Home Lajme KOSOVË BIK: TË NDIHMOHEN FAMILJET QË KANË HUMBUR FËMIJËT NË ISIS

Përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), kanë bërë thirrje që, prindërit të cilët kanë humbur fëmijët e tyre në luftë në Siri, të ndihmohen, financiarisht por edhe moralisht e shpirtërisht.

Për rastin e prindit Faik Uksmajli nga Ferizaji, dy djemtë e të cilit kanë shkuar në Siri, një vit më parë (qershor 2014), përfaqësues të BIK-ut, thonë se ‘është obligim i të gjithëve që të ndihmohet z.Faiku në të gjitha format’, transmeton zeri.info.

Faiku ka humbur pasurinë, pasi që ka shitur të gjitha makineritë me të cilat më herët ka punuar me djemtë e tij, (për përpunimin e drurit), me të cilat të holla, ai ka shkuar në Siri, për të kërkuar dy djemtë, nusen dhe dy nipërit.

Ahmet Sadriu, përfaqësues për media në BIK, për gazetën ‘Zëri’ thotë se Bashkësia Islame është e njoftuar me rastin dhe shpreh keqardhje, dhe të njëjtën kohë siç shprehet Sadriu ‘BIK mbështet në plotësi veprimin, misionin e sakrificën që ka bërë z. Faiku për të gjetur anëtarët e familjes së tij. Ky rast më së miri tregon kujdesin ndjesinë që ka prindi për familjen, në këtë rast për djemtë, nusen e djalit dhe nipa e mbesa, kjo tregon sa e fortë është ndenja e familjes’.

Meqë fatkeqësisht Faiku nuk ka arritur që t’i gjej familjarët dhe kthejë në shtëpi, ‘mbetet që të lutemi që familjarëve të tij mos tu ndodh gjë e keqe’.

Sadriu shton, se bijtë e tij por edhe të gjithë të tjerët, duhet të dinë që sipas mësimeve islame fëmija nuk mund, nuk ka të drejtë të shkojë në asnjë luftë pa miratimin e prindit.

“E sa i përket ndihmës për z. Faikun jo vetëm institucionet shtetërore, por e kemi për obligim të gjithë që ta ndihmojmë dhe atë në të gjitha format, që nga sigurimi i ekzistencës. Të shihet mundësia t’i sigurohet makineria e punëtorisë me të cilën ka punuar më parë, e mbi të gjithë t’i qëndrohet afër moralisht dhe shpirtërisht”, thuhet ndër tjerash në përgjigjet e Sadriut, shkruan më tej Zëri.

BIK: Të kthyerit duhet të trajtohen, por jo edhe kriminelët

Duke folur për të rinjtë që i kanë bashkuar grupeve terroriste si ISIS, në Siri e Irak, për atë se disa prej tyre do të kthehen, dhe se çfarë duhet bërë me ata, Sadriu vlerëson se kjo është çështje komplekse.

“Qeveria ka marrë disa veprime ligjore që janë në funksion të parandalimit të shkuarjes së të rinjve tanë atje, por institucionet tona në bashkëpunim me institucionet nga vendet mike duhet të përgatisin programe për rikthimin e djemve tone në Kosovë, për rehabilitimin e tyre, si dhe për ri-integrimin në shoqëri, e për këtë duhet dije, vullnet, përkushtim e financa”, thotë Sadriu, ndërsa shton se ‘nuk besoj që institucionet e vendit kanë qëllim të vetëm dënimin e tyre’.

“Ata duhet të trajtohen me përgjegjësi e korrektësi sepse edhe pse janë vënë në lajthitje janë bijtë tanë, kuptohet kjo nuk vlen për ata që kanë bërë krime të faktuara”, tha ndër tjerash përfaqësuesi i BIK-ut.

Sa i përket akuzave të prindit Faik Uksmajli, i cili thotë se imami i fshatit Nehat Hyseni, ka manipuluar dhe rekrutuar fëmijët e tij për t’ju bashkuar ISIS-it, Sadriu thotë se BIK, nuk ka informata për aktivitete të tilla të këtij imami.

“I kemi dëgjuar akuzat e Uksmajlit, dhe e kuptojmë gjendjen e tij, i dimë edhe pretendimet e tij për imamin, tani me atë merren institucionet kompetente të vendit. Qëndrimi ynë dihet; nuk kemi çfarë kërkojmë në konfliktin e Sirisë, ata që mobilizojnë e vënë në lajthitje të rinjtë tanë, për ta të veprojnë prokuroria e gjykata e vendit, për këtë kanë mbështetjen tonë të plotë”, tha Sadriu, ndërsa shton se z. Uksmajli bën mirë që kërkon llogari nga institucionet, sepse institucionet për këtë punë janë.

Të pyetur nëse BIK, kontrollon gjithë imamët nëpër Kosovë, Sadriut thotë; “Nuk e kam të qartë çfarë nënkuptoni me kontroll, ne funksionojmë në bazë të Kushtetutës së BIK. Kushtetuta është akti më i lartë që precizon detyrat, misionin dhe përgjegjësitë e imamëve dhe të punësuarve të tjerë, çdo imamë a nëpunës që bien ndesh me kushtetutën ja pafshin hajrin, nuk janë në misionin e Zotit, vendit, BIK-ut, besimtarëve e popullit të Kosovës”. /Zëri/

KULTURË

0 2925

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...