Home Lajme Dënohet me një vit burgim prizrenasi që shau prindërit pasi s’ia dhanë...

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i përgjithshëm, (gjyqtari i rastit Fatmir Krasniqi) ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit B.M., për shkak se:

Më 24.04.2020, në Prizren në shtëpinë e përbashkët familjare, ushtron dhunë psikologjike dhe ekonomike me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda familjes, përkatësisht ndaj të dëmtuarve – prindërve të tij, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje duke qenë nën ndikimin të përdorimit të narkotikëve, kërkon nga
prindërit e tij para në vlerë prej 100 eurosh dhe kur këta të fundit nuk i japin para, ai në mënyrë agresive fillon t’i ofendojë, fyejë, e shajë si edhe i kanos se do ta digjte shtëpinë dhe fillon të gjuante me gurë në drejtim të kulmit të shtëpisë me ç ‘rast, tek të dëmtuarit shkakton frikë, stres psikologjik, ankth dhe pasiguri,
me këtë ka kryer veprën penale dhunë në familje nga neni 248 par. 1 e 2 të Kodit Penal të Kosovës.
Andaj gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit i ka shqiptuar :

Dënim me GJOBË në shumën prej pesëqind (500) eurosh, të cilën shumë të dënimit i akuzuari është i obliguar që ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimi, dhe
DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej një (1) viti, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga 24.04.2020 e deri më 23.05.2020.
I akuzuari është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 30 euro, dhe shumën prej 30 euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i vetëm gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.