Home Lajme DITA BOTËRORE E SINDROMËS “DOWN” – NË SHQIPËRI 684 INDIVIDË TË PREKUR

21 marsi 2016 shënon përvjetorin e 11-të të Ditës Botërore të Sindromës “Down” dhe çdo vit në këtë datë zëri i individëve që kanë këtë sindromë apo i atyre që jetojnë me ta bëhet më i dëgjuar.

“Miqtë e mi, komuniteti im” – është ky slogani i fushatës së këtij 21 marsi, temë kjo e diktuar nga “Down Syndrome International”, ku “Down Syndrome Albania” është antare.

Të dhënat tregojnë se në nivel global, 1 në 800 lindje të gjalla rezulton me sindromën “Down”. Ndaj kjo ditë, për të theksuar të drejtat e tyre, është themeluar në vitin 2006 nga Shoqata Kombëtare e Sindromnës Down në Amerikë dhe është ndjekur nga shumë shtete më pas.

Synimi i kësaj dite është ndërgjegjësimi, informimi si dhe promovimi i të drejtave dhe nevojat për individët, që kanë këtë sindromë, në mënyrë që të jetojnë një jetë të shëndetshme, të pavarur dhe gjithëpërfshirëse në komunitetin ku jetojnë. Një rezolutë për të evokuar 21 marsin si ditën ndërkombëtare të sindromës “Down” është adaptuar me konsensus nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në dhjetor të vitit 2011. Prej 2012-ës, 21 marsi shënjohet dhe në Shqipëri.

– Në Shqipëri jetojnë rreth 684 individë me sindromën “Down” –

Individët me sindromën “Down”, në baza të barabarta me personat e tjerë, duhet ta kenë të mundur t’i gëzojnë të drejtat e plota dhe të barabarta, si fëmijë ashtu dhe të rritur. Kjo përfshin mundësinë e pjesëmarrjes së plotë në komunitetet ku jetojnë.

Realiteti për shumë nga ta është se qëndrimet negative, që janë të përhapura jo pak, rezultojnë në dekurajim, diskriminim dhe përjashtim, duke krijuar kështu komunitete ku fëmijët dhe të rriturit me sindromën “Down” nuk mund të integrohen në mënyrë të sukseshme në grupet e moshatarëve të tyre.

Por aty ku fëmijëve me sindromën “Down” dhe atyre me nevoja të tjera të veçanta iu jepet mundësia e pjesëmarrjes, të gjithë fëmijët përfitojnë dhe aty krijohet mjedisi i shoqërisë, i pranimit, i respektit për të gjithë dhe pritshmëritë e larta.

Jo vetëm kaq, por këto mjedise i përgatisin të gjithë fëmijët e të sotmes si të rriturit e së nesërmes, duke ua mundësuar kështu të rriturve me sindromën “Down” jetesën e pavarur, punësim dhe pjesëmarrje me vetëbesim, të përfshirë plotësisht në shoqëri përkrah shokëve dhe moshatarëve të tyre.

Në kuadër të Ditës Botërore të Sindromës “Down”, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh.