Home Lajme “Do të jemi në anën e gjithkujt që qëndron kundër FETO-s”

Ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, tha se menjëherë pas formimit të qeverisë në Maqedoni do të shënojnë progres në luftën kundër FETO-s, duke shtuar se “Ne do të jemi në anën e gjithkujt që qëndron kundër strukturës FETO”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadorja Kara, duke folur për AA, rikujtoi se me detyrë në Shkup është emëruar para tre muajve dhe se në Maqedoni ende nuk është formuar qeveri pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 11 dhjetor.

Duke theksuar se janë duke bërë përpjekje intensive në luftën kundër FETO-s në Maqedoni, Kara u shpreh se “I dimë një nga një të gjitha institucionet që kanë lidhje me FETO-n. Luftën e kemi filluar në mënyrë primare që këtu. Në këtë vend organizata ka shtatë shkolla, gazetën me emrin Zaman dhe organizata tregtare. Po ashtu, këtu ka edhe kompani dhe institucione shumë të rëndësishme të Turqisë, ndërsa ne kemi gjetur se ata janë infiltruar aty njëlloj sikurse në Turqi”.

Sipas saj, FETO ka ardhur në Maqedoni në vitet 90-të dhe qytetarët e Maqedonisë i ka bindur dhe i ka trajnuar dhe punësuar si në media, njashtu edhe në shkollat e saj, dhe, siç tha ajo, duke mos u mjaftuar me këtë, i ka vendosur edhe në institucionet turke.

“Natyrisht, ne nuk e dimë numrin e saktë të këtyre, mirëpo pronarët e shumë institucioneve me të cilët jam takuar, janë shprehur se janë kundër tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik. Ne, nga ana tjetër, jemi shprehur se sa më shumë të mënjanohet kjo organizatë, aq më pozitive do të jetë gjendja në aspektin e interesave të Turqisë”, shtoi Kara.

“Infiltrohen, vendosen dhe uzurpojnë”

Kara më tej vuri në dukje se rezultatet e para “nuk janë të këndshme”. “Pamë shumë qartazi se FETO nuk është shpjeguar aq mirë këtu. Informacionet që posedojnë njerëzit, informacionet e maqedonasve nuk ishin aq të qarta sikurse te ne. Duke filluar nga këtu, fillimisht nga sfera politike, është dashur të takohemi me të gjithë liderët e partive dhe t’u shpjegojmë se sa e rrezikshme është kjo organizatë”, tha Kara, duke shtuar se atyre është dashur t’u shpjegohet se ajo që i ka ndodhur Turqisë, mund të ndodhë në çdo shtet.

Njëra nga arsyet e rritjes së strukturës së FETO-s si organizatë në Maqedoni, sipas Kara, është “regjimi pa viza”. Ajo tha se pjesëtarët e organizatës vijnë dhe vendosen me lehtësi në Maqedoni për shkak të regjimit pa viza ose vendin e përdorin si shtet tranzitor.

Duke treguar se njerëzve të të gjitha sferave u kanë sqaruar dhe do të vazhdojnë t’u sqarojnë një nga një mbi FETO-n dhe tentativën e saj për grusht shteti, Kara tha: “Këta kanë tri faza themelore. E para është të infiltrohen në institucion; e dyta të marrin dhe të vendosin njerëzit e tyre aty; ndërsa e treta të uzurpojnë. Argumenti i tyre themelor është të uzurpojnë shtetin. Këtë ua kam shpjeguar zyrtarëve shtetërorë këtu”.

Ambasadorja u shpreh se këto tema ua ka shpjeguar veç e veç edhe presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov dhe liderëve të katër partive politike.

“Të gjithë kishin qëndrimin e përbashkët dhe më thanë se ‘Po, keni të drejtë se kjo organizatë është e rrezikshme; Nuk do të thotë se ajo që ka ndodhur te ju nuk do të ndodhë edhe këtu; Duhet të jemi të kujdesshëm’. Na thanë se do të na mbështesin në këtë drejtim sapo të formohet qeveria”, theksoi Kara, duke thënë më tej se kjo gjë ka ndikuar pozitivisht te ta.

“Nuk është e lehtë të hapësh shkollë në një shtet të huaj”

Kara theksoi nevojën që të gjitha institucionet të vizitohen një nga një dhe t’u shpjegohet në lidhje me këtë organizatë. Ajo tha se është vlerësuar se kjo strukturë ka shkolla në rreth 115 shtete.

“Kjo është situatë shumë interesante. Sado që të keni para, të hapësh shkollë në një shtet të huaj nuk është aspak e lehtë. Vini re, këta njerëz, kjo lloj organizate, kanë mundur të hapin shkolla në mënyrë shumë të qartë dhe komode në cilindo shtet që kanë shkuar. Sado që të ketë para një qytetar dhe të shkojë në një shtet tjetër e të kërkojë të hapë shkollë, kjo gjë nuk është e mundur. Domethënë, prapa këtyre ka një strukturë. Ekziston sistemi i lobizmit, ndërsa ne po flasim për 115 shtete, e jo vetëm një apo dy”, vuri në pah Kara.

Duke folur edhe për procesin e paqartësisë qeveritare në Maqedoni, ajo vazhdoi: “Menjëherë pas formimit të qeverisë në Maqedoni, do të shënojmë progres në luftën kundër FETO-s, sepse tanimë ka një vendim për rishqyrtimin e shkollave që kanë lidhje me FETO-n. Vendimi ka dalë edhe nga Këshilli i Ministrave, ku vetëm ministri i Arsimit e ka kundërshtuar atë. Sidoqoftë, unë e di mirë dhe mendoj se nëse ministrit të Arsimit i shpjegohen aktivitetet e vërteta të kësaj organizate, atëherë edhe ai nuk do të mund ta kundërshtojë atë. Jam e mendimit se asnjë person nuk dëshiron që shteti i tij të rrezikohet nga një grusht shteti i këtillë. Rrjedhimisht, jam e bindur se me t’u formuar qeveria, ne do të sigurojmë me lehtësi transferimin e kompetencave të këtyre shkollave në Maqedoni”.

“Synojmë që këto shkolla t’i transferohen Fondacionit Maarif”

Kara bëri të ditur se qëllimi i tyre nuk është mbyllja e shkollave të FETO-s, por transferimi i kompetencave të tyre fillimisht qeverisë së vendit ku gjenden, ndërsa që aty transferimi t’i bëhet Fondacionit Maarif. “Kryetari i bordit drejtues të Fondacionit Maarif, në një bisedë që zhvilluam, tha se kanë emëruar përfaqësues në shumë rajone, pra, duke u bazuar në rajone. Për shembull, në Ballkan është emëruar një përfaqësues. Ai do të analizojë një nga një të gjitha strukturat që gjenden këtu dhe sipas kësaj do të fillohen procedurat e transferimit”, tha ambasadorja Kara.

Ajo po ashtu njoftoi se janë duke zhvilluar aktivitete edhe për largimin e personave që kanë lidhje me FETO-n nga postet nëpër institucione.

“Këtu ekziston një spital i syve. Këta kanë partnerë në Turqi. Mjeku i syve aty vjen nga Turqia tri ditë të javës, bënë operacionet dhe sërish kthehet. Dëgjova se emri i këtij spitali përmendet si spital i FETO-s. Bëmë një hulumtim dhe vëmë re se personi që punonte si drejtor i spitalit kishte punuar për vite të tëra në gazetën Zaman porse ende nuk i ka shkëputur lidhjet me ta. Duke qenë kështu, ne e thirrëm nga Turqia pronarin e spitalit dhe i thamë që të bëjë gjënë e duhur në këtë drejtim. Edhe pse na kërkoi pakëz kohë, ne kërkuam që kjo punë të përfundojë sa më parë. Për fat të mirë, një ditë pas këtij zhvillimi, na njoftuan se e kanë shfuqizuar kontratën e personit në fjalë dhe se nuk do të punojnë me të”, theksoi Kara.

Kara është e mendimit se nëse bëjnë hulumtime në lidhje me institucionet e këtij lloji dhe janë të kujdesshëm në këtë mënyrë në çdo vend, atëherë kjo strukturë nuk do të mund të mbijetojë jashtë vendit.

“I shqyrtoj të gjitha ankesat që na vijnë”

Sipas ambasadores Kara, pjesëtarët e FETO-s gjenden në çdo shtet. “Edhe këtu, ata marrin shtëpi nga i njëjti rajon dhe banojnë aty dhe me gjasë i vazhdojnë mbledhjet. I shqyrtoj të gjitha ankesat që na vijnë. Shqyrtimet i bëjmë në mënyrë shumë të hapur dhe të qartë dhe për asnjërin nuk bëjmë tolerime. Mendoj se çdokush, çdo institucion, duhet të bëjë hulumtim të qartë para se të marrin një punëtor. Të bëjnë hulumtime të mira. Edhe dera jonë këtu është e hapur. Duhet të jemi afër me popullin. Për këtë arsye gjendemi këtu. Ne si ambasadë e Turqisë në Shkup do të jemi në anën e gjithkujt që qëndron kundër strukturës FETO”, u shpreh Kara, duke thënë se lufta kundër kësaj strukture nuk duhet zhvilluar e vetme, por nga të gjithë.

“Do ta luftoj këtë strukturë deri në frymën e fundit”

Kara bëri të ditur se të gjithë zyrtarët e Maqedonisë më të cilët është takuar, janë shprehur se Republika e Turqisë është e rëndësishme për ta. “Këtë rëndësi, ata e shprehin duke thënë se Turqia është në krye të shteteve që pranuan pavarësinë e Maqedonisë. Rrjedhimisht, ata kanë borxh lojaliteti dhe bëjnë që ne ta ndiejmë këtë. Maqedonisë nuk është e vështirë t’i shpjegohet lufta kundër FETO-s. Mjafton që ne të dëshirojmë dhe t’i vizitojmë shpesh. Ndërkaq, ne do t’i vizitojmë deri në fund”, vuri në pah Kara, duke shtuar se ajo do t’i vizitojë jo vetëm maqedonasit, por edhe shqiptarët dhe përfaqësuesit e grupeve të tjera etnike.

Teksa vazhdon lufta kundër FETO-s, siç bëri të ditur Kara, edhe ambasadave dhe diplomatëve të shteteve të tjera në Maqedoni u janë dhënë shpjegime në lidhje me atë se çfarë mund të bëjë kjo organizatë.

“Kjo organizatë nuk ka aspak frikë nga Zoti në asnjë aspekt. Çdo njeri duhet të punojë me forcën e tij për çrrënjosjen e kësaj strukture. Unë, Tülin Erkal Kara, do ta luftoj këtë strukturë deri në frymën e fundit”, nënvizoi ambasadorja e Turqisë në Shkup Kara.