Home Lajme KOSOVË Enver Hoxhaj nis fushatën në Mitrovicën Veriore

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë të PDK-së nga Mitrovica, ka qëndruar sot në veri të këtij qyteti.

Hoxhajn e ka pritur Ali Kadriu, i cili është shqiptari i parë që është kthyer për të jetuar në lagjen Kroi i Vitakut.

Hoxhaj e ka quajtur Kadriun simboli i qëndresës dhe vendosmërisë dhe ka premtuar mbështetje politike, shtetërore dhe financiare për shqiptarët që jetojnë në veri të Mitrovicës.

“Sikurse në të kaluarën qeveritë, të cilat i ka udhëhequr kryeministri Thaçi dhe ne si qeveri e ardhshme jemi të interesuar që të bëjmë sa më shumë për veriun e Mitrovicës dhe për veriun e Kosovës. Dua që të siguroj që jemi të gatshëm që në ditët e para ta marrim një vendim që të ndajmë për vazhdimin e rindërtimit të shtëpive një simbol dhe një punë që e ke nisur personalisht ti dhe një fond i cili do të ndikojë në rritjen e numrit të të punësuarve në këtë pjesë të Kosovës.

Dhe, së treti një fond, i cili do të jetë në dispozicionit tuaj që të kthehen ata të cilët do të duhej të kthehen në veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës.”, tha Hoxhaj.

Ai ka përkujtuar masakrën e 3 dhe 4 shkurtit 2000 që ka ndodhur para 21 vitesh në Mitrovicën e Veriut.

“Sot është edhe një ditë simbolike sepse me 3 shkurt 2000 ka ndodhur një masakër , ku janë vrarë 10 shqiptarë dhe janë plagosur 26 shqiptarë. Kjo masakër tregon për shpërnguljen e dhimbshme, e cila ka ndodhë para syve të bashkësisë ndërkombëtare pas përfundimit të luftës në Kosovë, për të cilën sot e kësaj dite askush nuk është gjykuar dhe dënuar, përderisa liderët e UCK-së, liderët e PDK-së në mënyrë të padrejtë po ballafaqohen me Gjykatën Speciale në Hagë. Ne presim dhe jemi të sigurtë që do të kthehen fitimtarë dhe faqebardhë.”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj nga veriu ka nderuar edhe veprën ish-kryeministrit Bajram Rexhepi, për të cilin tha se është shembull i politikanit dhe njeriut që iu përkushtua atdheut dhe profesionit si mjek.

“Meqë jam në këtë lagje të Mitrovicës, së bashku me ju, me Bedriun dhe kolegët, dua ta nderoj edhe një ish-koleg tonin që nuk është në mesin tonë, ish- kryeministrin Bajram Rexhepi. Po ashtu një banor i kësaj pjese të Mitrovicës, i cili prej të parëve është kthyer në Mitrovicë dhe një njeri që ka qenë shembull për ne në raport me atdhedashurinë dhe në ushtrimin e profesionit, por edhe një shembull i një politikani që na mungon sot.”, theksoi ai.