Home Lajme BOTË Erdoğan: Turqia dhe India do të thellojnë marrëdhëniet ekonomike

Udhëheqësit turq dhe indianë theksuan rëndësinë e tregtisë dhe investimeve direkte gjatë një takim biznesor në Nju Delhi të hënën, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Forumin e Biznesit Turqi-Indi, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan tha se takimet e zhvilluara gjatë vizitës së tij zyrtare në Indi do të shënojnë një epokë të re në marrëdhëniet afariste.

“Qëkur India fitoi pavarësinë, marrëdhëniet tona kanë qenë të bazuara në miqësi. Bashkëpunimi ekonomik do të thellohet më tej dhe do të diversifikohet. Kjo është dëshira jonë e sinqertë dhe jemi të vendosur dhe të përkushtuar për ta arritur këtë”, tha Erdoğan.

Erdoğan tha gjithashtu se Takimet e Përbashkëta Turko-Indiane të Ekonomisë, të mbajtura së fundi në vitin 2014, dhe negociatat për marrëveshjet e tregtisë së lirë duhet të vazhdojnë.

Duke vënë theksin mbi volumin tregtar pothuajse prej 6,5 miliardë dollarësh mes dy vendeve, Erdoğan tha se parashikon që kjo shifër do të rritet.

“Është e sigurt se vëllimi i tregtisë dypalëshe nuk është i kënaqshëm për Turqinë, kjo është realitet. Sa i përket vitit të kaluar, eksportet e Turqisë në Indi ishin 652 milionë dollarë, ndërsa importet e saj nga India ishin 5,75 miliardë dollarë. Pra, kjo nuk është e qëndrueshme për Turqinë,” tha Erdoğan, duke shtuar se kjo është arsyeja pse duhet të rriten investimet reciproke dhe vëllimi i tregtisë të balancohet.

Erdoğan gjithashtu vuri në dukje se Turqia do të donte të zhvillonte më tej bashkëpunimin me Indinë në sektorët e IT-së, teknologjisë së lartë, softuerit, hapësirës ajrore dhe energjisë së rinovueshme, ku India ka bërë “përparim të madh” nën udhëheqjen e kryeministrit Narendra Modi.

Modi, duke folur gjithashtu në këtë ngjarje, tha: “Rritja në tregtinë tonë dypalëshe gjatë viteve ka qenë mbresëlënëse. Kuptoj se tregtia dypalëshe është rritur ndjeshëm qëkur presidenti Erdoğan e vizitoi Indinë për herë të fundit.”

“India dhe Turqia janë midis 20 ekonomive më të mëdha në botë. Të dyja ekonomitë kanë treguar stabilitet të dukshëm. Po shohim një rritje në praninë e kompanive turke në Indi. Unë jam i sigurt se do kjo do të bëhet edhe më mirë në periudhën në vijim”, shtoi ai.

“Qëllimi ynë është të krijojmë një mjedis efikas biznesi në Indi. Në Indi po ndodh shtytje e madhe për një infrastrukturë më të mirë dhe kompanitë turke mund të jenë pjesë e këtij zbatimi masiv. Ne po ndërtojmë më shumë se 30 milionë shtëpi, duke zhvilluar po ashtu aeroporte të reja dhe porte detare, duke modernizuar hekurudhat, duke ndërtuar autostrada në të gjithë vendin me një ritëm të shpejtë”, tha Modi, duke shtuar se Turqia mund të jetë pjesë e këtij procesi.

Turqia dhe India “partnerë idealë ekonomikë”

Shefi i Bordit të Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike të Turqisë (DEIK), Ömer Cihad Vardan, nga ana tjetër, tha se qëllimi i takimit ishte rritja e vëllimeve ekzistuese të tregtisë dhe investimeve.

“Për fat të keq, vëllimi i tregtisë me Turqinë në ekonominë indiane prej 620 miliardë dollarësh është i pjesshëm”, tha Vardan.

“Ne besojmë se ky takim do të jetë hap i parë dhe mundësi për të gjithë ne”, tha ai, duke shtuar: “Si DEIK, ne do të ndjekim procesin dhe shpresojmë se vazhdimi dhe komunikimi efikas ndërmjet dy vendeve do të kontribuojë në nxitjen dhe dyfishimin e aktiviteteve ekonomike.”

Nga ana tjetër, Pankaj Patel, kreu i Federatës së Dhomave Indiane të Tregtisë dhe Industrisë, tha se vendndodhja gjeostrategjike e Turqisë dhe ekonomia në rritje e Indisë i bën të dy vendet partnerë ekonomikë idealë.

KULTURË

0 2775

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...