Home Opinione EVROPË, NGRIHU NË KËMBË PËR ERDOGANIN

Autor: Carl Bildt

Brukseli është në gjumë, apo është thjesht injorant? Kjo është pyetja që shtrohet pas reagimit të heshtur të liderëve evropianë ndaj tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik.

Imagjinoni për një moment, sikur njësitë ushtarake rebele të kishin qenë të suksesshme dhe një lloj junte ushtarako-politike të kishte kapur instrumentet e pushtetit shtetëror në Turqi.

Unë dyshoj se kjo do të kishte qenë po aq e lehtë sa atëherë, kur kolonelët dhe tanket e tyre morën pushtetin në Athinë, në prill të vitit 1967, duke arrestuar mijëra njerëz dhe duke filluar për Greqinë dhe Evropën një makth që zgjati për gati një dekadë.

Mund të dëshmonim (shikonim) gjakderdhje të madhe në rrugët e Ankarasë dhe Stambollit ndërsa forcat e grushtit të shtetit do të përpiqeshin të shtypnin demonstratat e opozitës. Mendoni përsëri për dhunën vdekjeprurëse që shpërtheu në Kajro menjëherë pas grushtit të shtetit në korrik të 2013-s.

Një grusht shteti i suksesshëm në Turqi sipas të gjitha gjasave vendi do të ishte përpirë nga një luftë civile. Dhe pasojat e një situate të tillë do të kishin qenë të paimagjinueshme për nga madhësia.

Me miliona qytetarë turq që i largohen dhunës, kaosit dhe vdekjes do të ishin bashkuar me më shumë se 2 milionë refugjatë sirianë që Turqia i mirëpret sot në tokat e saj dhe do të merrnin rrugët drejt Evropës. Dhe BE-ja momentalisht do të ishte duke u përballur me një katastrofë refugjatësh me magnitudë më të madhe se ajo e vitit 2015.

BE-ja nuk ka dëshmuar asnjëherë një përpjekje serioze për grusht shteti ushtarak në ndonjërin prej vendeve anëtare të saj ose vendeve që aderojnë (vazhdojnë negociatat për antarësim). Sfidat që ndodhin në Hungari dhe në vende të tjera dhe me të cilat përballet koncepti ynë lidhur me sundimin e ligjit janë shumë të zbehta në krahasim me një tentativë për grusht shteti me kompetenca të plota që pushton stacionet televizive, bombardon parlamentin dhe përpiqet të kapë Presidentin e zgjedhur të vendit.

Kërcënimi u shmang, por me një kosto të rëndë, të paktën 265 jetë njerëzish dhe 1100 të plagosur. Partitë politike të Turqisë reaguan shpejtë dhe u mblodhën bashkë për të dënuar këtë grusht shtetit që mbeti në tentativë. Ne mund të shpresojmë se kjo shfaqje unike e solidaritetit do të bartë demokracinë turke në një pozitë më të sigurt.

Por natën e grushtit të shtetit, u desh pak si shumë kohë që BE-ja të dënojë ngjarjet. Dhe nuk kishte asnjë shenjë nga përfaqësuesit e nivelit të lartë të BE-së për të vizituar Turqinë, për të mbështetur një vend që u përball me kërcënimin më të madh të kryer deri më sot ndaj rendit kushtetues dhe një vend që vazhdon negociatat për anëtarësim në BE.

Por në vend të kësaj, liderët e Evropës menjëherë nisën të diskutojnë e gjykojnë masat e marra nga autoritetet turke për të spastruar radhët e aparatit shtetëror elementet që kanë lidhje me lëvizjen Gyleniste.

Kur Turqia kërkoi pezullimin përkohësisht të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, liderët e BE nisën të ankohen se nuk do të miratojnë një veprim të tillë, por kishin harruar diçka, që të njëjtën gjë Franca e kishte bërë pas sulmeve terroriste të nëntorit të kaluar në Paris. Nuk ka asnjë dyshim se Turqia ka të drejtë për të marrë disa masa për të mbrojtur veten kundër forcave që tentojnë të rrëzojnë rendin e saj kushtetues, dhe ajo duhet ta bëjë një gjë të tillë.

BE-ja do të ishte në një pozitë shumë më të mirë sot, nëse liderët e BE-së do të kishin shkuar menjëherë në Turqi për të shprehur tmerrin e tyre ndaj këtij grusht shteti.

Nuk ka asnjë dyshim se ekziston një rrezik i rëndë që këto masa të shkojnë shumë larg. Unë sinqerisht shpresoj se Këshilli i Evropës dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut do ta vlerësojnë situatën me shumë kujdes pasi gjërat të fillojnë të qetësohen. Janë arrestuar edhe gazetarë, që probabiliteti që këta të kenë mbështetur puçin është shumë i vogël, dhe natyrisht që kjo është një çështje që duhet kritikuar.

Dhe një lajm shumë i mirë është që Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland këtë javë do të vizitojë Ankaranë.

Evropa rrezikon të humbasë autoritetin e saj moral veçanërisht në qoftë se ajo nuk duket e angazhuar në trajtimin grusht shteti nga ana e vetë. Dhe nuk ka dyshim se reagimi tepër i turpshëm i BE-së ndaj grushtit të shtetit të vitit 2013 në Egjipt e ‘ka gërryer’ tashmë pozicionin e Unionit në këtë drejtim.

Ishte mjaft domethënës ky “tweet” i Ibrahim Kalin, këshilltari i afërt i Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), i postuar disa ditë pas puçit në adresë të kritikave të perëndimit ndaj kundërveprimeve të qeverisë në lidhje me grushtin e shtetit: “Sikur grushti i shtetit të kishte pasur sukses, ju do ta kishit mbështetur atë, ashtu siç bëtë edhe në Egjipt. Por ju nuk e njihmi mirë këtë komb, por ky komb ju njeh ju”.

BE-ja do të ishte në një pozitë shumë më të mirë sot, nëse liderët e BE-së do të kishin shkuar në Turqi menjëherë pas puçit dhe do të kishin dhënë mesazhe për dënimin e grushtit të shtetit; do ta kishin përgëzuar popullin e Turqisë që e mposhtën atë (puçin) dhe do të ishin ulur në tavolinë me Presidentin, qeverinë, liderët e partive në Parlament (TBMM) dhe me të tjerët për të diskutuar se si do të ndërtonin së bashku një rrugë demokratike dhe evropiane për Turqinë.

Sigurisht, nuk ka garanci se këto lëvizje do ta kishin penguar vendin nga rrëshqitja e mëtejshme drejt autoritarizmit. Por të paktën Evropa do të kishte treguar se ajo përpiqet për të mbrojtur idealet e saj politike dhe vlerat demokratike.

Tani presidenti Putin do të jetë udhëheqësi i parë që do të takohet me Erdoanin pas grushtit të shtetit. Nëse kjo ndodh, atëherë kjo do të ishte një turp për Europën.


Carl Bildt është bashkë-kryetar i Këshillit të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Evropës (Këshillit Evropian) për Marrëdhënie të Jashtme dhe ish-kryeministri dhe ministri i jashtëm i Suedisë.

Similar articles