Home Lajme KOSOVË Falsifikuan para, gjykata iu cakton arrest shtëpiak për një muaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.L dhe Sh.B. shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale falsifikimi i parasë, ndërsa të njëjtëve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Gjyqtari i procedurës paraprake të Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka refuzuar si të pabazuar konform dispozitave të KPPRK-së, ndërsa të njëjtëve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, dhe se edhe me masën e arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës mund të arrihet qëllimi që të sigurohet prania e të pandehurve në procedurë dhe të rrjedh normalisht zhvillimi i procedurës penale, duke u eliminuar këtu edhe mundësia e përsëritjes së veprës penale, sepse dyshimi është se të pandehurit kanë transportuar paratë e falsifikuara, duke i transportuara nga territori Republika e Maqedonisë së Veriut në territorin e Republikës së Kosovës. Mundësia për të përsëritur veprën penale është minimale edhe për faktin e gjendjes shëndetësore të të pandehurit.

Në anën tjetër mënyra e dyshimit dhe rrethanat se si është kryer vepra penale nuk kanë ndikim në këtë fazë të procedurës në rastin konkret në masën ligjore, meqë këto rrethana parashihen si rrethana tjera me rastin e nxjerrjes së vendimit gjyqësor për fajësinë e të pandehurve.