Home Opinione Fenomeni i ndërhyrjeve partiake në sport

Shkruan: Nehari Toska

Që nga përfundimi i luftës së fundit deri më sot kaluan dy dekada, prej të cilave qytetarët kanë pritur ndryshime rrënjësore në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme. Arsimi, zhvillimi ekonomik, shërbimet shëndetësore, aktivitetet kulturore, ato sportive dhe një varg i gjatë i sferave paraqesin çështje që janë në kërkim të ditëve të mira.

Brenda kësaj periudhe opinioni publik u ballafaqua me disa dukuri jo gjithaq të zakonta për qytetarët, si: korrupsioni, nepotizmi, politizimi i ndërmarrjeve publike, politizimi i bordeve të agjencive e po kështu politizimi i federatave dhe klubeve sportive. Por, edhe sporti si fushë e vetme ku kemi arritur disa suksese për të cilat mund të mburremi, nuk po funksionon i pavarur nga politizimi partiak.

Fenomeni i politizimit të sportit fillon nga ndërhyrjet partiake që bëhen në klubet sportive, për të vazhduar në federata dhe kulmon në institucionin më të lartë sportiv në vend – Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK). Megjithëse Karta Olimpike nuk ndalon përfshirjen e politikanëve në Komitet Olimpik derisa ata zgjidhen nga Asambleja, përfshirja direkte e tyre në sport ndalohet kur ata delegohen me porosi nga partitë politike.

Në rastin e pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, vendit tonë i është tërhequr vërejtja për dukurinë e përzierjes së politikës në futboll. Nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është kërkuar ndryshimi, përkatësisht harmonizimi i Statutit të saj me rregullat ndërkombëtare të UEFA-s dhe FIFA-s.

Problemi kryesor qëndron te koncepti organizativ i punës së Komiteti Olimpik, federatave dhe klubeve. Të gjitha këto janë të regjistruara si organizata joqeveritare. Sipas Ligjit për Sport, klubet sportive (publike dhe private) kanë për qëllim zhvillimin e veprimtarisë sportive në një njësi administrative – territoriale të Kosovës. Klubet publike regjistrohen si organizata joqeveritare dhe veprimtarinë e tyre e bazojnë në subvencionet financiare buxhetore ose lokale, si dhe në donacionet nga personat fizikë dhe juridikë.

Kurse sipas Ligjit për OJQ-të, këto të fundit kanë të drejtë për të kërkuar, pranuar dhe përdorur burime financiare, materiale e njerëzore, qoftë vendore, të vendit të huaj apo ndërkombëtare, për realizimin e objektivave dhe aktiviteteve të saj. Në këtë aspekt, duke u konsideruar si OJQ, klubet sportive mund të gëzojnë përkrahje edhe nga komunat. Megjithatë, kjo nuk ia njeh të drejtën komunave që të ndërhyjnë në organizimin e brendshëm të klubeve sportive.

Statusi i pazgjidhur i shumë klubeve të futbollit i ka bërë ato të varura nga politika ditore, përkatësisht nga komunat që mundohen t’i mbajnë gjallë klubet. Për rrjedhojë, bordet e klubeve ndërrohen pothuajse sa herë që ndërrohet edhe qeverisja e një komune dhe kjo ndikon dukshëm në mbarëvajtjen e klubeve.

Kjo dukuri është e pranishme edhe në Prizren, qytetin e kulturës, djepin e  futbollit kosovar nga i cili dolën emra te mëdhenj të futbollit si: Sami Ahmeti, Sokol Hadri, Agim Maloku, Erdogan Celina, Rexhep Gaxholli, Skender Shengyli, Kujtim Shala, Vëllezërit Gjinali, Vedat Muriqi, etj. Kjo krizë është vërejtur në të gjitha qeverisjet lokale gjer më tani.

Shembull konkret të zhytjes së politikës në sferën e sportit shohim tek ecuria e deritashme për ndërtimin e stadiumit (kompleksit sportiv) kombëtar me procedura të tej zgjatura. Tani, pas një maratone zgjedhore me pritje të bezdisshme për zgjedhjen e qeverisë së re, dëgjojmë edhe zëra (bazuar në disa deklarata të qeveritarëve potencialisht në ardhje) se mund të ndodhë që të ndërrohet vendndodhja e këtij kompleksi. Për planin e fizibilitetit të këtij stadiumi, sipas informatave zyrtare, deri me tani janë harxhuar mbi një milion euro dhe përsëri politika dëshiron ta bëjë të vetën, tashmë duke synuar zhvendosjen e lokacionit të tij.

Vendi ynë duhet të ketë një strategji për sport. Kjo duhet hartuar nga ana e sportistëve dhe profesionistëve të dëshmuar, ndërsa politikanëve u takon të ndërtojnë politika zhvillimore dhe te marrin vendime për interesin e përgjithshëm, e jo vendime të interesave të ngushta, qoftë në nivel lokal, regjional apo qendror.

Për të pasur shpresë për rezultate më të mira në sportet individuale dhe ato grupore duhet që ndërhyrjen e politikës në sport ta eliminojmë sa më shpejt dhe t’i largojmë politikat klanore njëherë e përgjithmonë nga sporti.

Këto dukuri mund të mënjanohen përmes fuqizimit të pavarësisë institucionale në aspektin ligjor të KOK-ut si institucioni me i lartë sportiv joqeveritar, nën ombrellën e së cilës zhvillojnë aktivitete të gjitha federatat sportive. Duhen shqyrtuar mundësitë që t’i garantohet propozimi dhe administrimi i buxhetit të vet pa qenë i varur nga Ministria e Sportit, siç është aktualisht. Kjo gjë do të nënkuptonte edhe një pavarësim politiko-partiak për KOK-un. Gjithashtu, modalitet për mënjanimin e presioneve partiake mund të konsiderohet edhe privatizimi ose shndërrimi i klubeve sportive (OJQ-ve) në shoqëri aksionare. Komuniteti i sportit duhet t’i marrë parasysh të gjitha opsionet që çojnë në depolitizimin e sportit kosovar.

Situata në sportin tonë është alarmante. Çdo ditë ndodh të shuhen talente në pamundësi për të përparuar në Kosovë. Të tillët ose duhet të kenë fatin e daljes jashtë vendit dhe të përparojnë (sikur shumica e djelmoshave të reprezantacionit në futboll) ose duhet ta shtyjnë me zor karrierën këtu, në mesin tonë. Për këtë arsye, sa më shpejt që mobilizohemi për të gjetur rrugëdalje, aq më mirë për rininë dhe gjithë dashamirët e sportit.