Home Lajme GJUHA E URREJTJES, PROBLEM SHQETËSUES NË MAQEDONI

Në Shkup u mbajt tryeza në temën: “Ballafaqimi me gjuhën e urrejtejs dhe diskriminimit: ndikimi i redaktorëve dhe sfidat me të cilat ballafaqohen”.

Sot në qendrën e informimit të Bashkimit Europian në Shkup u mbajt tryeza ne temën “Ballafaqimi me gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit: ndikimi i redaktorëve dhe sfidat me të cilat ballafaqohen”, nën organizim të Këshillit të Etikës në mediat në Maqedoni, Institutit maqedonas për media dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Tryezën e hapi Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav, i cili i dha mbështetje diskutimit në ballafaqimin me gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit. Orav theksoi se liria e shprehjes si dhe liria në media janë vlera demokratike të cilat kontribuojnë prosperitetin në shoqëri.

Marina Tuneva, drejtore ekzekutive e Këshillit mbi Etikën e mediave në Maqedoni ka thënë se tryeza e rrumbullakët për ballafaqimin me gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit në media janë probleme të cilat gjithnjë e më shumë janë të pranishme në media. Ajo tha se kjo tryezë organizohet me qëllim që të shihet esenca e këtij problemi.

Vetë-rregullimi në media në Maqedoni është aktiv veç më një vit, por nga Komisioni i Ankesave në Këshillin mbi Etikën e Mediave në Maqedoni vlerësojnë se duhet ti kushtohet më shumë vëmendje.

“Në Kodin penal për gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit parashihen dënime penale posaçërisht për kryeredaktorët. Dënimet shkojnë nga një deri në dhjetë vjet burg. Në një shtet me kapacitet demokratik gjëra të tilla nuk do të ndodhnin, por e dimë se si është situata tek ne dhe ligji nuk zbatohet”, tha Mirçe Adamçevski, kryetar i Komisionit për ankesa në Këshillin mbi Etikën e Mediave në Maqedoni.

“Ne kemi evidentuar se në punën e trupit tonë ka 16 raste të gjuhës së urrejtjes, shumica prej tyre kanë të bëjnë me mediat në internet, pastaj tek televizionet kombëtare, dhe një ankesë ishte për një media të shkruar”, shtoi ai.

Komunikologu Sefer Tahiri, si dhe anëtar i Komisionit për ankesa në Këshillin mbi Etikën e mediave në Maqedoni duke folur rreth rolit të redaktorëve në parandalimin e gjuhës së urrejtjes në media, theksoi se kufizimi i gazetarit dhe redaktorit në procesin e punës së tyre, posaçërisht kur bëhet fjalë në atë të mos përhapjes së gjuhës së urrejtjes, nuk është përkufizim i lirisë së shprehjes.

Sipas tij, me gjuhën e urrejtjes iniciohet dhunë dhe jotolerancë ndaj pjesëtarëve të një grupi të caktuar, individëve si pjesëtarë të grupit, në baza etnike, racore apo klasore.

Tahiri vlerëson se mediat nuk janë faktori kryesor i përhapjes së gjuhës së urrejtjes, por politikanët. “Nuk mendoj se mediat janë faktori kryesor të cilët përhapin gjuhën e urrejtjes, por mendoj se ato janë personalitetet publike, politikanët, gjatë shprehjes së qëndrimeve të tyre zyrtare ose mendimeve personale. Por, redaktorët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në informacionet të cilat përbëjnë gjuhë të urrejtjes, se si të mos shndërrohen në instrument të përhapjes së kësaj gjuhe e cila mund të sjellë jotolerancë dhe konflikte”, ka theksuar Tahiri.

Gjuha e urrejtjes vazhdon të jetë një trend në diskursin publik dhe në media, dhe me atë edhe nevoja për diskutime ndërmjet palëve relevante dhe të prekura bëhet gjithnjë e më e theksuar, kanë konstatuar pjesëmarrësit e diskutimit të sotëm lidhur me keqpërdorimin e mediave në përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.

Keqpërdorimi i mediave në përhapjen e stereotipeve, paragjykimeve, stigmatizimit në inkurajimin e diskriminimit është një arsye për alarm, sidomos kur tendencat e tilla fshihen pas fjalës së lirë, thonë ata.