Home KULTURË Gjuha shqipe tashmë do të mësohet edhe në Ankara

Përpjekjet për të mbajtur gjithmonë të bashkuar shqiptarët që kanë lindur në Turqi, nuk kanë ndalur asnjëherë.

Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, në bashkëpunim me shoqata dhe unione të ndryshme punojnë vazhdimisht për të mbajtur gjithmonë të lidhur me njëri-tjetrin popullin shqiptar që jeton në Turqi. Pas kurseve të gjuhës shqipe në Stamboll dhe Izmir, një i tillë do të fillojë së shpejti edhe në Ankara, saktësisht më datë 22 prill 2015.

Këto kurse do të zhvillohen në mjediset e Qendrës së Kulturës Shqiptare “Sami Frashëri”. Vlen të përmendet që është hera e parë që hapen kurse të rregullta të gjuhës shqipe në kryeqytetin e Turqisë, Ankara.
Formularët e regjistrimit janë shpërndarë dhe plotësuar nga të interesuarit për të mësuar gjuhën shqipe dhe tani pritet veç fillimi i kursit.

Kjo është një sipërmarrje e studentëve shqiptarë në Ankara dhe veçanërisht e Unionit Studentor Shqiptar në Turqi (Ankara) në vazhdën e aktiviteteve të ndryshme që ky union po zhvillon me studentët e shqiptarë nga të gjitha trevat dhe që studiojnë në Universitetet shtetërore ose private në Ankara.

Ky kurs gjuhe, krahas mësimit të gjuhës mëmë, pritet të kontribuojë edhe në njohjen e shqiptarëve me njëri-tjetrin, në përforcimin e kulturës dhe traditës si dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet e ndryshme që organizohen si nga Unioni Studentor Shqiptar në Turqi, Ankara ashtu edhe nga Ambasada e Shqipërisë dhe Kosovës.
Për më tepër informacion mund ti shkruani një mesazh në rrjetin social Facebook nën adresën Unioni Studentor Shqiptar në Turqi, Ankara./trt/