Home KULTURË Hafiz Ali Korça, “Nderi i Kombit”

Para disa ditëve Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani në një ceremoni solemne dhe të veçantë, në institucionin e presidencës vlerësoi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, Hafiz Ali Korçën (pas vdekjes), një personalitet me vlera dhe kontribute të çmuara atdhetare, arsimore, fetare dhe letrare.

Motivacioni ishte si vijon: “Për rolin dhe kontributin e tij të rëndësishëm e vetëmohues në dobi të çështjes kombëtare: si martir i kombit e kulturës shqiptare, si klerik atdhetar i shquar e veprimtar i flaktë për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj, si figurë e papërsëritshme intelektuale, duke u shndërruar në një nga dijetarët më të ndritur të filozofisë islame në Shqipëri”.

Dekorata iu dorëzua nipit të tij gjatë ceremonisë, ku ishin të pranishëm zv/kryetari i Kuvendit z. Edmond Spaho, krerët e komuniteteve fetare, studiues dhe të ftuar të tjerë.

Pasi u uroi mirëseardhjen në këtë ceremoni nderimi të një figure aq të shquar si Hafiz Ali Korça, presidenti i Republikës vuri në dukje privilegjin, duke theksuar “…Vlerësoj, nderoj të respektoj një personalitet të përmasave të jashtëzakonshme, siç ishte Hafiz Ali Korça, ishte një burrë i drejtë, dijetar, enciklopedist, poliglot, gjuhëtar, letrar, fetar i devotshëm dhe mbi të gjitha: një atdhetar i flaktë. Ai ishte një personalitet shumëdimensional, ku aftësitë e tij spikatën, që në moshë fare të re, kur mori mësimet e para fetare islame në Korçë, nga babai i tij, Iljazi. Më pas, për njohuri fetare studimore të mirëfillta, shkoi në Stamboll, ku zgjeroi diapazonin e dijes dhe njohurive të tij të panumërta. Veprimtaria e tij, e shtrirë në disa rrafshe, duke filluar nga ajo atdhetare e duke vazhduar me atë fetare, arsimore, publicistike, kulturore, letrare, etj., e detyroi Hafiz Ali Korçën që të luftonte gjithmonë edhe me armë, me dituri dhe me penë për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Hafiz Ali Korça do të mbetet gjithmonë një nga emblemat më identifikuese dhe vizionare të kombit shqiptar.., tha ndër të tjera Presidenti  Nishani.

Në lidhje me figurën e madhe të Hafiz Ali Korça ne intervistuam një nga studiuesit e njohur, ish-diplomatin Ferit Hafizi, i cili për mikrofonin e TRT-së, “Zëri i Turqisë” tha: 

“…Hafiz Ali Korça është një personalitet i një lloji të veçantë, i cili pëmbledhë në vetvete të gjitha tiparet e asaj elite të madhe intelektuale, fetare, kulturore, patriotike,  që lindi në gjirin e shoqërisë  osmane, e cila ishte në perëndimin e saj, por që rrënjët e saj gjithmonë i kishte të vetëdijshme  për forcën dhe për burimin e saj nga trualli  shqiptarë. Vetë periudha e jetës së tij, nga viti 1873 kur ai lindi në Korçë e deri në vitin 1956 kur vdiq në internim, në fshatrat e Kavajës vetë kjo periudhë, ky lokalizim e cila përmblidhet krejt jeta e tij tregon se çfarë diapazonit, e çfarë dimensionesh e përmasash  kishte  jeta e tij.

Mjafton të përmendim një fakt, ai lindi në një familje me përmbajtje fetare, pra me edukim fetarë të konsoliduar , mjafton me thanë se ai në moshën 12 vjeç arriti të mësojë Kur’an-in përmendësh. Kjo qe vetëm fillesa dhe në sajë të kujdesit dhe në sajë kushteve që ishin në atë kohë,  ku çdo intelektualë, çdo dijetarë, çdo njeri që merrte degën e dijes nuk mund të mendohej  pa u përshkruar nëpër institucionet e larta fetare, arsimore, kulturore, qendra e të cilave ishte Stambolli, ku ai ia arriti me sukses të mbarojë të gjitha studimet. Dhe atje ai krijoj dhe zgjoi me figurën e vet e me dijet e tija interesin  e sferave më të larta dhe këtë e tregoi bashkëpunimi që ai ka pasur me organet e larta kulturore, me gazetat e ndryshme të Stambollit, etj,etj…”

Figura e Hafiz Ali Korçës është e kompletuar edhe më atë kombëtare, ku sipas studiuesit Hafizi të gjithën dijen e tij e vuri në shërbim të interesave kombëtare dhe përpjekjes së tij për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare…

“…Mbi bazën e këtij bagazhi që ai krijoi qoftë arsimi akademik që mori në Stamboll, qoftë realiteti i Stambollit, qoftë vetë gjendja, situata politike që ishte, të mos harrojmë që ishte fundi i shekullit IX, që është periudha ndër më të diskutueshmet, ndër më kritiket qoftë edhe glorifikuese të Perandorisë Osmane që shënohet me figurën shumë dimensionale të sulltanit më të fuqishëm, Abdul Hamiti II,  cili zgjati nga viti 1876 deri në vitin 1909 nga ato zhvillimit politike të revolucionit xhonturk etj, etj… Këto patën pasojat e veta, reflektimet e veta edhe në gjëndjen politike të të gjithë Ballkanit, kuptohet edhe të Shqipërisë, me revolucionin xhonturk, pra të vitit 1909 me shpalljen e kushtetutës, me lëvizjen që ne i njohim me lëvizjet nacionaliste që ishin në të gjithë Ballkanin e që u pasqyrua në realitetet  shqiptare, me luftërat ballkanike, dhe me pavarësinë.

Këtu është për t’a vlerësuar lart figurën e Hafiz Ali Korçës, i cili nuk hyri në numrin e asaj elite që treti, humbi apo u shkrinë me realitetin e gjerë osman që ishte i pakufijshëm, por ai gjithnjë mendjen e zemrën e kishte tek fatet e popullit të tij, dhe kështu u kthye në Shqipëri. Dhe pas vitit 1912 me krijimin e shtetit shqiptarë,  atë dije, atë kulturë, atë formim që kishte arritur në ato realitete, i cili perëndoi pas mbarimit të pavarësisë sonë me Perandorinë Osmane, ai e derdhi gjithçka në shërbim të kombit, në shërbim të atdheut  dhe në shërbim të fesë. Prandaj kontribuli i tij shquhet qoftë si atdhetar, qoftë dhe si fetar….”

Për përkrahjen dhe nismat e Hafiz Ali Korçës në aspektin arsimor të popullit shqiptar, kontributet e tij janë të shumta, shumica e të cilave janë shkruar në histori.

Studiuesi Ferit Hafizi përmend disa prej tyre:

Ai ka qenë ndër mësuesit e parë në Mësonjëtoren e Parë Shqipe të Korçës ku ka bashkëpunuar ngushtë me Pandeli Sotirin; ka qenë përkrahës i Kongresit të Manastirit dhe Kongresit të Elbasanit; në vitin 1916 ka qenë drejtor i arsimit për Tiranën, Durrësin dhe Shqipërinë e Mesme etj…

“…Pra realitetet që u krijuan pas vitit 1912, ne nuk duhet t’i imagjinojmë, t’i përfytyrojmë sikur qenë diçka që hedhen poshtë realitetin shqiptar, hodhën poshtë besimin që kishin shqiptarët etj, etj. Jo! Pra, u krijua pikërisht nga kjo elitë, e shquar me formim islam…Dhe në këtë drejtim Hafiz Ali Korça është një nga yjet, nga prijësit dhe dijetarët e shquar me formim mysliman, i cili bashkëpunojë edhe me paritë e feve të tjera për të ruajtur vlerat kombëtare, mjafton këtu të theksojmë p.sh; aktivizimin  e tij qoftë me ardhjen e princ Vidit, qoftë gjatë luftës së parë botërore, etj, etj, në vitet në vazhdim. Në kontributin e  hapjes së shkollave të gjuhës shqipe, ky ka qenë një nga bashkëpunëtorët e afërt të Pandeli Sotirit të famshëm, krijuesit të shkollës së parë shqipe, të vitit 1887. Në arsimin medresor Hafiz Ali Korça, si profesor medreseje ka qenë një nga themeluesit, autorët dhe figurat më kryesore jo vetëm me leksionet dhe hytbet që zhvillonte sidomos në xhamitë e Tiranës, ku u përqendrua pastaj më vonë, por edhe bashkëpunimin që ka pasur me revistat kulturore islame si “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, “Njeriu”, revistat filozofikë, fetarë e të lëmive të larmishme.

Pra ka qenë tipi i një  intelektuali të gjithanshëm kulturor, me formim fetar islam, një kapacitet i njohur…Mjafton që të themi sot, që nëse dojmë që për çdo studim të historisë dhe fushave të tjera dhe kemi nevojë për orientalista dhe orientalistë të tillë nuk mund të gjejmë si Hafiz Ali Korça, cili njihte mirë jo vetem gjuhën turke osmane, por persishten dhe atë arabe mbi të gjitha. Janë këto tre shtylla të forta që  përbajnë bazamentin më të fortë për një studiues dhe orientalist dhe i tillë ishte Hafiz Ali Korça…”

 

Ai gjithashtu është autor dhe përkthyes i mbi 13 librave dhe shumë shkrimeve të ndryshme nëpër gazeta dhe revista në shqip dhe gjuhë të huaja, dhe të gjithë këto libra dhe shkrime janë botuar sa ishte gjallë. Ndërkohë sot, një stërnip i tij, ka arritur të gjejë mbi 300 faqe dorëshkrim nga Hafiz Ali Korça, të pabotuar ndonjëherë, të cilat shpresohet të përgatiten dhe të botohen sa më shpejt për lexuesin e etur shqiptar për veprat e tij.

Nga krijimtaria e Hafiz Ali Korçës, padyshim nuk mund të lëmë pa përmendur shkrimet e tij në gjuhën turke dhe perse, të cilat i shkruante dhe i dërgonte për botim në gazetat kryesore të asaj kohe në Turqi dhe Iran, si p.sh.: në gazetën “Ittifak” (Bashkimi) në Stamboll, ndërsa gazeta “Aksi Sada” në Stamboll i kërkonte shkrime Hafiz Ali Korçës, siç thoshte “për të zbukuruar shtyllat e gazetës”.

Duke iu kundërvënë bolshevizmit dhe duke parandjerë ardhjen e një “reje të zezë” për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai e godet fort atë që para instalimit të diktaturës komuniste, me vargjet:

Bolshevizma s’pajton kurrë

Me dinin e Muhammedit

Çelët do ta kenë luftën

Gjer ditën e Kijametit.

 “…Fatkeqësisht, më vonë ai u ndesh me realitetin komunist dhe ajo që është për t’u përmendur për Hafiz Ali Korça se është nga të parët dijetarë shqiptarë, bile nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër, i cili parashikoi rrezikun që i vinte kombit tonë, atdheut tonë nga bolshevizmi. Ai edhe në trajtë vjershërimi paralajmëronte për rrezikun e bolshevizmit komunist…”

Ndërsa për vuajtjet e veta, me pak rreshta, ai i përmend shumë bukur në një nga strofat e shkruara në manifestin e tij të rëndësishëm “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”. Aty, ai për veten e vet thotë:

Për Shqipërinë u përpoqa

rrezikova jetën t’ime

Nuk rrëfehet se sa hoqa

se shteti m’i njihte krime…

Hafiz Ali Korça, do të mbetet gjithmonë një nga emblemat më të njohura vizionare të kombit shqiptar. Veprimtaria e tij fetare dhe kombëtare do të jenë, dhe duhet të jenë, bazë dhe agjendë për mendimin fetar dhe kombëtar të të shqiptarëve kudo që ndodhen.

– Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –