Home Lajme KOSOVË HALITI: E PANEVOJSHME THIRRJA E LIDERËVE NGA PRESIDENTJA

Iniciativa e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për takime me liderët politik për të biseduar rreth daljes nga gjendja politike e krijuar në vend, po shihet e panevojshme nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti. Madje ai thotë se kjo çështje nuk është as përgjegjësi e të parës së shtetit.

Numri dy i Kuvendit në një intervistë për KosovaPress vlerëson se ulja në një tryezë e liderëve politik dhe marrja e vendimeve aty, është rrezik për institucionet e vendit. Derisa kërkesat e opozitës Haliti i sheh si të realizueshme, por kjo mund të bëhet vetëm në Kuvendin e Kosovës.

Xhavit Haliti pavarësisht se e quan të panevojshme thirrjen e presidentes në takime me liderët politik për zgjidhjen e situatës aktuale, për të ky veprim është pozitiv dhe nëse do të ketë sukses mund të ndikoj pozitivisht në uljen e tensioneve dhe të mos ketë kërcënime, as gaz lotsjellës e as vezë në Kuvend.

“Tani në qoftë se mbështetëm të një rregullsi kushtetuese e veprimeve, unë mendoj që presidentja nuk ka pasur nevojë fare ta thërras atë askënd. Se pse nuk është përgjegjësi e saj kjo çështje, se Kosova nuk është në krizë politike dhe që koalicioni qeverisës ka dy të tretat e votave të garantuara në Kuvend dhe presidentja në qoftë se do të konsiderohej krizë, nëse nuk do të kishim votat e duhura në Kuvend, atëherë mund t’i thërriste liderët për të biseduar për krijimin e qeverisë së re, ose për zgjedhje të reja. Sidoqoftë unë personalisht e mbështes dëshirën e presidentes dhe angazhimin e saj që të bëjë diçka dhe aq sa mundet, aq sa ka fuqi dhe aq sa mund t’i bind liderët e tri partive politike të cilët në një mënyrë ose tjetrën janë kundërvënë Qeverisë për çështjet që dihen”, tha Haliti.

Haliti e quan vullnet të presidentes për t’i thirrur liderët në takime, por jo që Kushtetua ia jep këtë përgjegjësi. Sipas tij, presidentja është personifikim i unitetit të popullit të Kosovës, dhe kjo nuk ka të bëjë diçka me kushtetutën.

“Nëse dëshiron tryezë të partive për të biseduar, është krejt tjetër gjë. Por tryeza e partive për të marr vendime është e rrezikshme për institucionet e Kosovës, sepse ku po mbetet Qeveria, Presidenca, Parlamenti. Do të thotë t’i po i shfuqizon institucionet e vendit dhe po i merr pesë, ose tetë ose dhjetë liderë. Nuk jam kundër tryezave, ajo mund të mbahet. Por problemi tani lind kush do të jetë në krye të kësaj tryeze dhe cila është marrëveshja”, u shpreh Haliti.

Haliti me tutje në këtë intervistë flet edhe për kërkesat e opozitës, të cilët ai i quan të realizueshme, por për t’u bërë kjo duhet të zhbllokohet Kuvendi sepse aty është vendi për këtë.

“Unë mendoj që ato kërkesa që janë publike të opozitës, janë të mundshme që të realizohen. Por që të realizohen duhet në Kuvendin e Kosovës, përmes debatit dy palësh në këtë rast dhe argumenteve që do të nxirren në Kuvend. Dhe, Kuvendi mund të votoj çështjet e veta, t’i rivotoj të cilat do të thosha në të kaluarën njërën çështje e ka votuar ndoshta në kundërshtim me kompetencat e veta dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, sa i përket çështjet se ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare që mund t’i nënshkruaj Kosova”, thekson Haliti.

Haliti thotë se në asnjë Parlament të vendeve të Bashkimit Evropian, një deputet po të ndodh që ta fus gazin lotsjellës në Kuvend, atëherë jo që do të përjashtohej, por nuk do të mund të kandidonte më asnjëherë për deputet në Parlament.

“Unë kam konsultuar një numër të madh rregulloresh të vendeve të ndryshme për situata të ngjashme. Do të thotë në disa vende po të ndodh diçka e tillë, që të fus gaz lotsjellës në Kuvend, jo që përjashtohet nga Kuvendi, shembull Sllovenia, por ai nuk ka të drejtë më kurrë të kandidoj për parlamentin e Sllovenisë, ose ndonjë vendi tjetër të Bashkimit Evropian. Është absurde të hedhet gaz në Kuvend. Kishte raste, kam parë mediat që kanë nxjerr ndonjë rast me duket diku në shtetet e Azisë. Por nuk e kemi komoditetin tonë që të gjuajmë me gaz njëri tjetrin, as me vezë ç’është e vërteta, sepse të gjithë jemi në një proces të përbashkët dhe duhet ta shohim të mundshmen”, thotë Haliti.

Megjithatë këtë javë është paraparë që të mbahet edhe një seancë plenare, por nënkryetari Haliti nuk e dinë nëse opozita do të bllokoj sërish mbajtjen e saj. Ai thotë se kjo do të ndodhte nëse opozita i premton presidentes apo vet dëshiron që të vazhdoj seanca sipas rregullave, çka sipas tij, opozitarët do të fitonin më shumë se sa pozita.
Haliti shprehet i gatshëm që të bëjë gjithçka që të mos ketë konflikte politike në Kosovë. Derisa tërheq vëmendjen se vërejtjet e miqve ndërkombëtarë duhet të merren seriozisht e jo si shaka.

“Unë jam njëri nga ata që jam i gatshëm që të bëjë gjithçka dhe të jap gjithçka nga ana ime që të mos ketë konflikt politik në Kosovë dhe të mos ia mbyllim vetës dyert të Bashkësia Ndërkombëtare dhe të mos ta izolojmë Kosovën edhe politikisht edhe ekonomikisht….Dhe vërejtjet e miqve që na jepen publikisht nuk është mirë t’i marrim si shaka që mund t’i ketë thënë opozita ose ndaj deputet si mund ta konsiderojmë si me të lirë nga goja. Kur thonë diplomatët që përfaqësojnë shtetet mike tona, mund të flasin dhe ta bëjnë publike fjalën e tyre duhet a peshojmë mirë veprimin tonë pas fjalëve të tyre”, thotë ai.

Derisa, kërcënimin e opozitës se mund të dalin në rrugë, sipas Halitit ata edhe mund të dalin, por nuk kanë edhe aq shumë njerëz që do të dilnin për këto çështje, pavarësisht peticionit që ka në arritur t’i marrin rreth 200 mijë nënshkrime.

Haliti fton opozitën që të shkojnë në Kuvend të mos e pengojnë mbajtjen e seancës dhe nëse ka vullnet nga të gjithë, atëherë mund ta shfuqizojnë edhe rezolutën e miratuar nga Kuvendi që e autorizon Qeverinë të bisedoj me Serbinë.

“Për të qenë përfaqësues të atyre qytetarëve, duke qenë ligjvënës, politikanë të përgjegjshëm, ne mund t’iu japim edhe mesazhin e duhur atyre për këto marrëveshje dhe mund t’i dëgjojmë edhe protagonistët që kanë hedhur firmat në këto marrëveshje dhe mbi bazën e kësaj mund të vendosim pastaj që, po e zëmë çështjes se rezolutës se miratuar lidhur me autorizimin e Qeverisë ta shfuqizojmë. Atë mund ta bëjë Kuvendi nëse ka vullnet dhe në qoftë se bindet që duhet të shfuqizoj a të. Dhe pastaj marrëveshjes duhet të vijnë në Kuvend sipas Kushtetutës se Kosovës. Ndërsa ratifikimi i marrëveshjes për rregullimin e kufirit me Malin e Zi, ajo duhet patjetër të vij në Kuvend, sepse është obligim i Qeverisë dhe duhet të votohet me dy të tretat. Tani a kalon apo jo, pas debatit që bëhet në Kuvend është një çështje diskutabile”, thotë ai.

Madje, sipas Halitit aq sa ai ka vërejtur disponimin e deputetëve, marrëveshja për demarkacionin nuk mund të kaloj. Por thotë se nuk mund të akuzohet dikush për tradhti nëse nuk ke vend për ta argumentuar, e që sipas tij, Kuvendi është vendi i vetëm ku mund të bëhet kjo.

“Kur më thua t’i mua se t’i i ke tradhtuar interesat e Kosovës dhe nuk ma argumenton sepse nuk ki vend, ku e ka dikush vendin për ta argumentuar këtë përveç se në Kuvendin e Kosovës. Hajde bëjmë debat tri ditë, tri javë, tri javë bre e mbajmë një seancë nëse duan me diskutime pa kufi, me debat pa kufi, vetëm mos të kemi ngatërresa e probleme mes veti dhe të vijmë të një pikë e përbashkët ka gabime apo nuk ka gabime, ka tradhti apo nuk ka tradhti. Ka tradhti në kuptimin e asaj se dikush paska marr pesë lek e ka fut në gjep dhe i ka dhënë dikujt atje në Mal të Zi një livadh më shumë ose e ka marr këndej, ku e dinë ti, as unë nuk e di, sepse në këtë formë po akuzohen ata që e kanë bërë demarkacionin”, tha Haliti.

Nënkryetari Haliti thotë se Kosova duhet t’i analizuar të gjitha hapat që ka bërë që nga përfundimi i luftës e këndej që të shihet se ku kanë gabuar dhe pse nga ajo që shqiptarët ishin kombi më i shtypur, më i persekutuar, si kombi që një shtet shumë i armatosur veproj kundër Kosovës, arritën që ta kalojnë në pozicionin e kombit që përpiqet t ’i shtyp pakicat.

Sipas Halitit disa po sillen me nacionalizëm të madh në Kuvend dhe kanë nevojë të duken nacionalist dhe atdhetar, çka ai s’e konteston që janë të tillë, por veprimi politik shumë herë është i pa mençur nëse ne dalim jashtë kornizave ligjore dhe kushtetuese dhe jashtë obligimeve që kanë marr.

Për Halitin, çështja më e ndjeshme aktualisht është nëse prekin në atë që i kanë garantuar Bashkësisë Ndërkombëtare, duke mos i futur pjesët e gabimeve që kanë ndodhur pas luftës, si krimi i organizuar, korrupsioni, se a merret prokuroria e gjyqësia me to, se a ka Kosova shëndetësi të mirë apo jo, arsim të mirë apo jo.

KULTURË

0 2705

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...