Home Lajme Hapet afati i aplikimit për ndërtimin e 20 shtëpive në Prizren

Komuna e Prizrenit ka hapur afatin e aplikimit për ndërtimin e 20 shtëpive me çelësa në dorë.

Përmes faqes zyrtare të komunës, Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale ka bërë të ditur se projekti do të realizohet bazuar në marrëveshjen me shoqatën Jetimat e Ballkanit për vitin 2021.

Nga ky projekt do të mbështeten familjet skamnore pa strehim dhe ato me shtëpi të dëmtuara nga vjetërsia.

Njoftohen të gjithë aplikuesit që kriteret e përzgjedhjes së përfituesve do të zbatohen sipas ligjit nr.03/L-164 për financimin e programeve të veçanta të banimit dhe udhëzimet administrative si dhe kriteret nga shoqata Jetimat e Ballkanit.

Pyetësori i plotësuar dhe dokumentet (dëshmitë) për vërtetimin e gjendjes së banimit, duhet të dorëzohen në sportelet e administratës komunale, nga sot 18.01.2021, deri më 19.02.2021.