Home Opinione HAPUR PËR FESTË DHE NGUSHËLLIM: KONAKU I NËNTORIT

HAPUR PËR FESTË DHE NGUSHËLLIM: KONAKU I NËNTORIT

Ditar Kabashi

30.11.2019
1.
Shtrembërimi i fakteve historike nga regjimi totalitar që udhëhoqi me dorë të hekurt shtetin shqiptar për gjysmë shekulli e ka devijuar mjaft realitetin dhe – për rrjedhojë – vetëperceptimin kombëtar të shqiptarëve. Skematizimi i historiografisë në shërbim të një ideologjie dhe shpeshherë larg kornizave të së vërtetës, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, shfrytëzimi gjer në fund i makinerisë propaganduese për t’i dhënë hov artificial ëndërrimeve të shqiptarëve përtej kufijve shtetërorë dhe ndërkohë pa konkretizuar veprime të qëndrueshme në mbështetjen e tyre… Të gjitha këto na shfaqen si marifete të shkoqitura nga repertori programor i nomenklaturës moniste. E po, regjimi kishte punë më të mençur: persekutimin e të gjithë atyre që mendonin a besonin ndryshe nga ata. Domethënë nga Tirana zyrtare. Këtë term e parapëlqenin. Mbase kjo u dhuronte vetëkënaqësi për një legjitimitet i cili kurrë s’u bë i tillë. Po pra, Tirana zyrtare me zyra plot. Të mjaftueshme për t’i përgatitur dosjet e spiunazhit dhe për t’i projektuar planet e agjitacionit çnjerëzor.
Përkundër të gjithave, as ai regjim famëkeq nuk e ka stërkequr pozitën e Shqipërisë në sytë e shqiptarëve të trojeve jashtë shtetit shqiptar.
2.
Të çfarëdollojshme të jenë, festat zgjojnë entuziazmin e bashkësive që kanë elemente vlerash të përbashkëta. Një ekip kombëtar sportiv, një atlet bashkëkombës që bën karrierë të suksesshme diku në botë, një shkencëtar, akademik, shkrimtar, artist dhe çfarë jo tjetër… Secila nga këto thirrje përbën shkëndijë krenarie për ata që kanë identitet kolektiv.
Veçmas dhembja; edhe kjo bën tok. Bile, për dallim nga gëzimi, dhembja është më e fuqishme. Jeton në kujtesë më gjatë. Me kalimin e kohës ndoshta shumicës do t’i vjetrohet memoria për rezultatin e një ndeshjeje sportive të Shqipërisë a Kosovës. Por, askush nuk e harron dot periudhën e luftës në Kosovë. Traumën që përjetuan shqiptarët gjithandej. Shqipëria i pati hapur dyert për refugjatët nga Kosova, ndonëse atëbotë ishte e molisur ekonomikisht e politikisht. Megjithatë, pati treguar zemërgjerësi. Nuk ishte qenësore sasia e ndihmës së ofruar porse gatishmëria për të, madje në rrethana të pafavorshme. Sot, kosovarët përloten nga pikëllimi për viktimat që shkaktoi tërmeti në Shqipëri. Shteti i Kosovës, me takatin e vet të kufizuar, nuk kurseu ndihmën emergjente. Qytetarët e Kosovës, përkundër krizës ekonomike ofruan atë që mundën: dikush një batanije, tjetri ushqim, i treti hapi dyert e shtëpisë për t’i pranuar të dëmtuarit nga kjo katastrofë natyrore. Në mos gjë materiale, u lutën me përdëllim. Historia sikur po përsëritet: kushte të pakësuara por zemër të paanë.
Drama e viteve 1998-1999 ishte me pasoja shumëfish më të mëdha se kjo e tërmetit në zonën e Durrësit. Por ama, në raste të tilla, statistikat nuk thonë gjithaq, së paku për ata që njerëzoren dhe vëllazërinë e kanë botëkuptim jetësor. Qoftë edhe vetëm një njeri të kishte pësuar, qoftë edhe vetëm një shtëpi të ishte rroposur, refleksi i ndërgjegjes duhej lëvizur me të njëjtën ndjeshmëri. Andaj, ndihmesën e sotme nuk duhet kuptuar si shpagim borxhi, por si obligim moral dhe njerëzor.
3.
Shtetet lindin, forcohen, dobësohen e dikur ndodh të shuhen. Pastaj krijohen të tjera mbi sipërfaqe të tokës. Ndërrohen trajtat e shtetit dhe ato të sundimit. Mirëpo, është dikush që mbetet i pandryshueshëm dhe që i reziston edhe kufijve formalë të shteteve: atdheu. Ai të cilin duhet ta kemi përparësi dhe ta mbajmë mbi politikat ditore. Atdheu është forcë shtytëse e pazëvendësueshme që kuptimëson solidarësinë me njëri-tjetrin sepse – fundja – siç thonë edhe vargjet e një kënge të grupit muzikor Jericho “Dora që zgjat kur rrëzohem është ajo që ne na mban/mos e lejo të harrohet, nuk kemi tjetër vatan”.
Vëllazëria e gjakut s’parakupton doemos afërsi dhe dashuri vetiu. Në shkrimet e shenjta rrëfehet se Kabili e kishte mbytur me duart e veta të vëllanë, Habilin. Sekreti fle në afrinë pa hile, atë të çiltrën, mjerisht të zvetënuarën në botën e sotme.


Përpos motit të ftohtë, nëntori i 2019-tës solli me vete plagë. Por, godina e këtij muaji ka derën e çeliktë me numër 28. Kjo është derë e një mësonjëtoreje në të cilën jepen leksione të vyera. Hyrja nga kjo derë selit vetëdijen, ngroh shpirtin dhe lehtëson dhembjen e përbashkët të çdo shqiptari në rruzullim. Kjo na jep uzdajë se bashkërisht mund të arrijmë shumë. Mjafton të jemi nxënës të përgjegjshëm.