Home Opinione HAXHI, DEMONSTRIM I BARAZISË DHE VËLLAZËRISË ISLAME

Shkruan: Dr.Bashkim Aliu

Islami është fe universale, e shpallur për tërë njerëzit, pa dallim race, kombi, vendi, pozite apo ndonjë privilegji tjetër, si dhe për të gjitha kohërat. Para Allahut të Madhërishëm, të gjithë njerëzit janë të njejtë, të barabartë, pa privilegje ndaj njëri-tjetrit. Dallimi i vetëm që merret në konsiderim te Allahu i Madhërishëm është devotshmëria dhe sinqeriteti. Allahu i Madhërishëm në Kur’an thotë:<>. [el-Huxhurat: 13]. Ky ajet Kur’anor është parim madhështor islam i barazisë njerëzore, i anulimit të diferencave dhe dallimeve të ndryshme jo reale dhe tendencioze, apo thënë ndryshe, ky ajet është grusht i fortë për ndasitë racore-racizmin, regjionale, nacionale, sociale, politike, etj., të cilat janë mjaft të pranishme në botën bashkëkohore. Ky karakter human i Islamit demonstrohet edhe në ritualin madhështor të Haxhit, i cili është obligim të muslimanët të cilët i plotësojnë kushtet, nji herë në jetë.

Kështu, në vendet e shenjta, për ta kryer haxhin, tubohen njerëz nga mbarë bota, njerëz të cilët u takojnë racave, vendeve, nacionaliteteve, rangjeve, klasave, profesioneve dhe mentaliteteve të ndryshme. Mirëpo, në haxh, të gjitha këto dallime zhduken dhe eliminohen, ngase të gjithë njerëzit aty janë të barabartë, të gjithë janë të veshur njëlloj, kryejnë veprime të njejta, qëndrojnë në vende dhe pozita të njejta. Të gjithë bashkërisht: i bardhi dhe i ziu, anglezi, francezi, arabi, shqiptari, etj., i pasuri dhe i varfëri, akademiku dhe fshatari i thjeshtë, intelektuali dhe bujku, presidenti dhe shërbetori, i madhi dhe i vogli, qëndrojnë para Zotit Nji e të pashok, e kryejnë një ritual, janë të drejtuar kah e njejta faltore-Qabeja, bëjnë tavaf, sa’j, i gjuajnë guralecat dhe e falin namazin në vende të cilat janë të përbashkëta për të gjithë pa dallimet e lartpërmendura. “Me të veshur ihramin automatikisht fshihen të gjitha dallimet. Të gjithë integrohen në një tërësi të vetme, të përshkruar me të njejtat ide, me të njejtat ndjesi dhe përjetime. Në këto vende të shenjta, duke qëndruar para Allahut të Madhërishëm të kthyer kah Ai, të gjithë janë të barabartë. Nuk ekziston kurrfarë titulli tokësor…këtu nuk vijnë parasysh pozita shoqërore e njeriut dhe matjet e vlerësimet njerëzore”.

“Gjatë haxhit njerëzit mësojnë për barazi të vërtetë, të gjithë i nënshtrohen urdhrave të Allahut, të gjithë i heqin rrobet e përditshme të cilat u janë bërë shprehi dhe pendueshëm veshin ihramet…Aty nuk ka vend për t’u dalluar, të gjithë janë në tempullin e Allahut”.

“Barazia simbolike e njerëzve gjatë kryerjes së haxhit, përpos tjerave, ka për qëllim edhe t’i mësojë dhe t’ua tërheqë vërejtjen muslimanëve se ndjenja e barazisë dhe e dashamirësisë në përgjithësi doemos duhet t’u qëndrojë në zemër dhe të tentojnë që kjo barazi të realizohet në jetën e kësobotshme. Për këtë shkak, princi dhe lypësi, sulltani dhe i varfëri, krah për krahu i kryejnë këto ceremoni të shenjta të haxhit. Të barabartë dalin para Zotit, ngase Ai është Krijuesi i tyre, madje nga cilido komb apo racë qofshin, të gjithë i takojnë Atij dhe përfundimisht Atij do t’i kthehen”.

Në drejtim të forcimit të vëllazërisë islame, dhe demonstrimit të karakterit vëllazërues të haxhit në mes muslimanëve, Allahu i Madhërishëm e ndaloi grindjen,polemizimin, debatet jo konstruktive dhe kundërthëniet në haxh, gjegjësisht kërkoi prej muslimanëve që duke e kryer haxhin, mos të grinden mes vete as me fjalë dhe as me vepra, mos të polemizojnë dhe mos të zhvillojnë debate jo konstruktive në haxh, ngase haxhi nuk është vendi dhe koha për gjëra të këtilla, gjëra këto që çdo herë duhet të jenë larg muslimanëve e jo vetëm në haxh. Kjo, ngase grindjet, polemizimet, debatet jo konstruktive, ndikojnë negativisht në raportet mes muslimanëve në përgjithësi, dhe në veçanti në kohën e haxhit, duke e prishur kështu edhe imaxhin vëllazërues të haxhit. Këto debate jo konstruktive dhe polemizime gjenerojnë urrejtje, zili, smirë dhe armiqësi, e që janë kancer për vëllazërinë islame. Allahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë thotë:<< Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje. Çka punoni nga e mira All-llahu di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes keni dronë Time(197)>>.

Po ashtu, në këtë kontekst është edhe urdhëri që në haxh mos të shkohet pa i paguar borxhet dhe pa mos marrë hallallëk me njerëzit të cilëve u detyrohesh. Me këtë, haxhi na paraqitet simbol i vëllazërisë jo vetëm për ata që e kryejnë haxhin, por e forcon vëllazërinë e muslimanëve, atyre të cilët e kryejnë haxhin dhe atyre të cilët nuk e kryejnë haxhin. Duke i kryer obligimet financiare, si dhe obligimet tjera ndaj vëllezërve muslimanë, ti i qetëson ata dhe i bën që të luten për ty, e jo të të shikojnë me sy kundërshtari dhe të luten kundër teje e të të urrejnë pse nuk i ke kryer obligimet ndaj tyre. Në këtë mënyrë, forcohet vëllazëria mes muslimanëve, dhe pikërisht haxhi bëhet shkak, ngase muslimani nuk niset në haxh, pa i kryer obligimet, si ato financiare, poashtu edhe obligimet tjera, ndaj vëllezërve të vetë muslimanë.