Home Lajme HUMBËSIT DHE FITUESIT E ZGJEDHJEVE

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin një befasi për të gjithë. Rezultate të ngushta mes partive kundërshtare dhe një e nesërme e mjegulluar. Katër parti shpallën fitore dhe dy u dëshpëruan nga rezultati. Numrat tregonin fitoren e sërishme të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, por dy partitë opozitare LSDM dhe BESA nuk pranonin të quhet humbje. LSDM-ja tha se ata janë fitues pasi e kanë ndarë në dysh regjimin, ndërsa BESA ka fituar bastionet kryesore të BDI-së dhe me një dallim të vogël votash, ia ka përgjysmuar votat e zakonshme ksaj partie. Në këtë situatë, skena politike u nda në dy pjesë, fituesit – LSDM-ja, Rilindja me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët që shënuan rezultate historike dhe humbësit VMRO-DPMNE-ja, BDI-ja dhe PDSH-ja që humbën thuajse gjysmën e votave që i kishin pasur në mandatin e kaluar.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski shpalli fitore.

“Është hera e dhjetë që shumica e qytetarëve kanë votuar për ta mbështetur VMRO-DPMNE-në dhe vizionin tonë dhe mënyrën tonë të punës. Vijon procesi i formimit të koalicioneve dhe të Qeverisë. Kriza duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë dhe Maqedonia të shkojë përpara dhe ky është prioriteti jonë”, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Por, statistikat thonë se partia e tij ka humbur 10 deputetë në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014 kur kishte 61 deputetë. Edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti shpalli fitoren e partisë së tij.

“I kemi thirrur që partitë tjera të bëhen bashkë që të mos humbin shqiptarët. BDI ka fituar zgjedhjet, por mua më ka interesuar që të fitojnë shqiptarët në radhë të parë. Nuk më gëzon fitorja e BDI-së, ne do mbetemi të vendosur që të mbrojmë doktrinën tonë para shqiptarëve të Maqedonisë”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Por, asnjë fjalë nuk tha Ahmeti për humbjen e 9 deputetëve dhe gati 70 mijë votave. Partia e Ahmetit tani ka 10 deputetë, aq sa ka arritur të fitojë edhe PDSH-ja në disa cikle zgjedhore si opozitë.

PDSH-ja nga ana tjetër humbi 5 mandate deputetësh dhe rreth 35 mijë vota më pak në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Por, për dallim nga Ali Ahmeti, Menduh Thaçi e mori përgjegjësinë e plotë për rezultatin e dobët.

“Vota, mbështetja politike dhe deputetët tonë që i kemi fituar do të jenë komplet në mbështetje të politikës dhe partisë Lëvizja BESA dhe RDK-së. BESA nuk kërkova të më marrë në koalicion. Ne e mbështesim Lëvizjen BEsa si fituese e zgjedhjeve. Lëvizja BEsa po të ketë nevojë për mbështetje më të fushiqme tonën për të bërë distancë më të madhe me BDI-në do ta ketë mbështetjen tonë”, deklaroi lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.

I pyetur nga gazetarët se çfarë do të thotë dalja e tij në konferencë me zotimin se ai do ta marrë përsipër dështimin e partisë së tij, Thaçi tha se do ta kuptoni pas shpalljes përfundimtare të zgjedhjeve duke paralajmëruar me gjasë dorëheqje nga posti i kryetarit.

LSDM-ja opozitare doli për të festuar fitoren para Qeverisë.

“Erdhën ditët fituese nga të gjitha anët e Maqedonisë. Erdhën rezultatet fituese. Nuk janë të vetëdijshëm se çfarë kemi bërë. Lelele çfarë kemi bërë. Ne jemi fitimtarët, duhet ta festojmë jetën. Për këtë shkak këtu, para kësaj Qeverie ku ishte 17 maji, ku ishte kampi i lirisë, ku ishin të gjitha luftërat tona, ku ishte ‘revolucioni shumëngjyrësh”, deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Partia e Zaevit shënoi rezultatin më të mirë që nga ardhja e VMRO-DPMNE-së në pushtet. Por do të marrim si krahasim vetëm ciklin e parafundit zgjedhor të zhvilluar në vitin 2014 kur kjo parti kishte 34 deputet, ndërsa tani ka 15 më shumë apo 49 deputet.

Rilindja me Besë, poashtu shpalli fitore dhe doli të festojë marrjen e bastioneve kryesore të BDI-së.

“Edhe përkundër dështimit të skajshëm të BDI-së shqiptarëve ju dha mundësi që të votojnë një opsion shqiptarë. Nga nesër për shqiptarët e Maqedonisë vjen në frymë e re dhe do të kenë përfaqësimin në institucionet e këtij shteti dhe do të jenë krenarë për përfaqësuesit në këto institucione”, tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Ky koalicion i kryesuar nga Lëvizja Besa si parti e re në skenën e Maqedonisë ka arritur që në daljen e parë në zgjedhje të fitojë 5 mandate deputetësh të dalë nga njësia zgjedhore 1, 2 dhe 6. Për më tepër, ka fituar bindshëm në Çair, Butel, GaziBabë, Kumanovë, Zhelinë, Studeniçan, ka dalë e dyta në komunën e Tetovës madje duke fituar në vendvotimet urbane, si dhe ka rrezikuar BDI-në në komunat shqiptare në njësinë e gjashtë zgjedhore, në disa prej tyre me dallim të ngushtë prej dhjetëra votash.

Aleanca për Shqiptarët e përbërë nga 3 parti, fitoi 3 mandate deputetësh, dy në njësinë e gjashtë dhe një në njësinë e pestë, duke dalë përpara PDSH-së.

“Ne e morëm mesazhin. Ne do ta pranojmë rezultatin ashtu siç është. I bëj apel Alisë dhe BDI-së të reflektojnë. I mësuat shqiptarët se vota është vetëm interes personal, prandaj mos fajëso partitë e vogla por fajin drejtoje tek vetja jote. Ju jeni fajtor që zona gjashtë ka 10 për qind votues më tepër se zonat tjera”, tha lideri i LR PDSH-së, Ziadin Sela.

Rezultatet nuk janë përfundimtare dhe pritet kontestimi i rezultateve në disa vendvotime, ku kishte raportime për parregullsi. Pas definimit të rezultateve përfundimtare, pritet edhe fillimi i negociatave për koalicionet e mundshme. /SHENJA/