Home Lajme I varrosur me rroba e pa dërrasa, gjendet një trup i pajetë...

Në Prizren është gjetur një trup i pajetë, i varrosur në mënyrë të pazakontë. Dyshimet e para janë se trupi i pajetë është viktimë e luftës.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh nuk ka dhënë detaje se kur është gjetur trupi i pajetë, por ka bërë të ditur se kjo ka ndodhur gjatë gërmimeve për të hapur një varr për një rast vdekjeje.

Po ashtu, thuhet se trupi i pajetë është gjetur i veshur me rroga, i mbështjellë me batanije dhe i varrosur pa dërrasa.

“Gjatë mihjes në varreza për të hapur një varr për një rast vdekje punëtorët kanë vërejtur një trup të veshur me rroba, të mbështjellë me batanije dhe të varrosur pa dërrasa dhe pa gjësende tjera, i varrosur në mënyrë të pa zakontë”, ka bërë të ditur policia.

Ndërkohë, hetimet lidhur me këtë rast do t’i kryejë njësia për hetimin e krimeve të luftës.

“Lidhur me rastin janë njoftuar të gjitha njësitë përkatëse policore. Hetimet në lidhje me rastin do t’i kryejë njësia për hetimin e krimeve të luftës”, ka njoftuar policia.