Home Lajme Informatë për publikun lidhur me projektin e kompleksit afarist-banesor në ish fabrikën...

Komuna e Prizrenit njofton:
Informatë për publikun lidhur me projektin e kompleksit afarist-banesor në ish fabrikën e Farmakosit ku ka pasur djegie ditë më parë

Komuna e Prizrenit nëpërmjet Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor ka pranuar një kërkesë për projektin ideor të kompleksit afarist-banesor më 04.06.2018. Kjo kërkesë është refuzuar nga vetë drejtoria më 07.12.2018.

Pas kësaj, pala është ankuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa kjo e fundit më 11.02.2019 e ka aprovuar ankesën e palës si të bazuar dhe me këtë rast e ka shfuqizuar vendimin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, duke e detyruar të veprojë sipas kërkesës së palës dhe konform nenit 18 të Ligjit nr. 04/L-110 për ndërtim.

Procedura ka vazhduar me dërgimin e lëndës në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, e cila këtë lëndë ia ka përcjellur Insitutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ky Institut më 14.10.2019 ka marrë vendim që ta aprovojë projektin ideor për kompleks afarist – banesor me etazhitet B+P+4-5.

Gjatë kësaj periudhe ka reaguar edhe organizata “Ec ma Ndryshe”, me ç’rast këtë reagim e ka bartur Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo Ministri me anë të komisionit të saj për shqyrtimin e ankesave ka marrë vendim më 31.10.2019 që ta shfuqizojë vendimin e Insitutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Më pas pason edhe aktvendimi i datës 22.11.2019 nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor që e refuzon kërkesën e palës.

Pala përsëri ka bërë ankesë ndaj këtij vendimi të Drejtorisë tek Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa kjo e fundit më 10.01.2020 merr vendim që ta shpallë të paligjshëm aktvendimin e Drejtorisë.

Më 8.02.2020 është shfaqur zjarri në parcelën fqinj ku parashihet ky projekt, ndërsa rreziku i përhapjes së mëtejmë të zjarrit është parandaluar nga Brigada e Zjarrfikësve në Prizren, e cila për më shumë se një vit vazhdon të jetë e bllokuar për rekrutimin e 30 zjarrëfiksëve të rinj nga ana e Agjensionit për Menaxhimin e Emergjencave.

Djegia e ndërtesës në lokacionin ku parashihet ky projekt nuk e ndryshon qëndrimin e Komunës dhe në vijim do të shikohen mundësitë ligjore që të kundërshohet vendimi i MMPH-së.