Home Opinione Institucioni i thirrjes dhe thirrësi

Nga: Abdullah Klinaku

Islami si fe me karakter universal në rregullimin e jetës së njeriut dhe vlerave që kultivon nxit pasuesit e tij që të jenë aktiv në ruajtjen, bartjen dhe transmetimin e tij përmes institucionit të thirrjes në Islam. Thirrja në Islam, në kuptimin më të thjesht është ftesa apo thirrja e njerëzve të tjerë në vlerat e Islamit në të cilat besojmë dhe në pajtim me të cilat veprojmë. Thirrësi përmes thirrjes në islam, synon kënaqësinë e Zotit të Madhërishëm dhe përmirësimin e gjendjes në shoqëri përmes instalimit të vlerave të larta që kultivon Islami. Në logjikën islame dhe frymën kuranore, thirrja në Islam, nënkupton edhe ndalimin nga e keqja dhe urdhërimin në të mirë, apo zëvendësimin e të keqes me të mirën. Kjo e mirë është në funksion të përmirësimit të shoqërisë dhe në pajtim me rolin që kemi në tokën e Zotit, si mëkëmbës të Tij. Zoti i Madhërishëm në inkurajim të këtij detyrimi që kemi, thotë; E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej muslimanëve? ( Fussilet, 33), po ashtu Zoti i Madhërishëm thotë; Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun (Ali Imran, 110). Këto dy versete të Kur’anit, inkurajojnë çdo besimtar, që me përkushtim, përgjegjësi dhe me ndjesi të plotë të marrë përsipër misionin e thirrjes dhe titullin e thirrësit.

Ne si besimtar, që jetojmë në kohët bashkëkohore jemi plotësisht koshient për realitetin dhe lëvizjet e ndryshme sociale, ideologjike, politike e kulturore të cilat punojnë dhe shfrytëzojnë çdo mundësi me të vetmin qëllim ti shtojnë radhët e tyre dhe të sigurojnë stabilitetin e ekzistencës së tyre përmes thirrjes. Grupet e ndryshme religjioze thërrasin në besimet e tyre, partitë politike thërrasin në idetë e tyre, grupet ideologjike në platformat e tyre ideologjike, asosacionet dhe grupet e ndryshme në konceptet e tyre, madje duke financuar shuma marramendëse në projektin e thirrjes. Thirrja, ftesa dhe bashkimi ideologjik i njerëzve nën një platformë sot është metoda më e synuar e bartësve të projekteve të ndryshme ideo-politike. Prandaj, përderisa bota bashkëkohore, funksionon në parimin e ftesës dhe unifikimit rreth një koncepti, edhe ne si musliman e kemi më se të qart se thirrja nuk është vetëm obligim hyjnor, mision pejgamberik por është edhe domosdoshmëri shoqërore. Madje këtë virtyt të fuqishëm të shoqërisë Islame, e kanë vu re edhe studiues jo musliman të çështjes islame siç është Thomas Arnold kur flet për ndjenjat e muslimanëve për përhapjen e Islamit në bregdetin perëndimor të Afrikës, thotë: Posa u bashkonin në një qytet gjashtë veta, më shumë ose më pak, dhe qëndronin një kohë në atë vend, nxitonin ta ndërtonin xhaminë dhe ta përhapnin fenë”. Përmes fuqizimit të thirrjes dhe bartësit të thirrjes, thirrësit, ne do të jemi në gatishmëri për bartjen e misionit pejgamberik, për zbatimin e obligimit hyjnor dhe për realizimin e një shtylle bazike të shoqërisë.
Thirrësi, si bartës i thirrjes është një misionar që nis këtë rrugëtim si besim, njohje dhe ndjesi. Beson në këtë rrugë, shton njohjen dhe diturin për këtë rrugë dhe e ndjen këtë mision në shpirtin e tij. Thirrësi në rastin tonë, është personi i cili thërret në fenë e Zotit të Madhërishëm, qoftë ai person i kualifikuar fetar apo jo por ka që njohuri bazike dhe praktike të Islamit. Shoqëria, sidomos në vendet tona shqiptare, njëfarë mënyre sot është e ndarë në dy tabore, një pjesë mendon se vetëm hoxha është i detyruar të ftojë në rrugën e Zotit ndërsa ne si xhemat të jemi pasues dhe praktikues dhe pjesa tjetër që të cilëson si hoxhë, posa të ftosh, flasësh apo praktikosh Islamin. Pa dyshim se në pajtim me frymën Islame, edhe njëri edhe tjetri mendim janë të gabueshëm. Thirrja është obligim për çdo besimtar, i cili ka njohurit bazike të Islamit. Pejgamberi s.a.s thotë; transmetoni nga unë, qoft vetëm edhe një ajet. Shembull tjetër që sjell Kur’ani se thirrja është edhe obligim individual dhe mision individual është tregimi në suren Jasin, ku përshkruhet thirrja e një njeriu për popullin e tij në përforcim të tre pejgamberëve që ishin të dërguar te ai popull. Zoti i Madhërishëm thotë “Dhe prej skajit më të largët të qytetit erdhi një njeri që ngutej e tha: “O populli im, dëgjoni të dërguarit!” Dëgjoni atë që nuk kërkon prej jush ndonjë shpërblim dhe janë udhërrëfyes! (Jasin, 20-21). Ndërsa një kufizim kuptim plotë, të qartë dhe të thellë në kuptim për sa i përket obligimit të thirrësit dhe përgjegjësisë së tij e jep, dijetari dhe mendimtari bashkëkohor Islam, Aid el’Karni, i cili thotë; Thirrja, për tek Allahu xh.sh, në Islam është e qartë, konkrete, e lehtë, e thjeshtë. Ajo ka të bëjë me përmirësimin e besimit, faljen e namazit, agjërimin e ramazanit, dhënien e zekatit, kryerjen e haxhit, etikën e mirë, dhe paqe ndërmjet njerëzve.

Thirrësi, duhet të ketë shumë kujdes që thirrja e tij, të përshtatet me njohurit e tij dhe mos të hyj për asnjë moment në domenin e dijetarëve dhe hoxhallarëve. Përderisa ne si thirrës, ftojmë njerëzit me të cilët jetojmë, punojmë, studiojmë, i kemi shoqëri, apo në përgjithësi ndërmarrim veprime të thirrjes, përqendrohemi që ti thërrasim në çështjet bazike dhe praktike të Islamit. Polemizimet, diskutimet apo çështjet shkencore islame, akaidologjike, fikhije, apo shkenca të tjera nga fusha islame, janë kompetencë e veçantë e dijetarëve dhe hoxhallarëve, gjë që nuk na takon neve si thirrës të ndërhyjmë apo të merremi me to. Kulturë bazike e thirrësve në vendin tonë, përderisa nuk njihet shumë si institucion, duhet të jetë ftesa në Islam dhe praktikimi i rregullt i metodave që rekomandojnë dijetarët për thirrësit.

Thirrësi, i cili nuk është profesionist fetar, duhet ta ndjej fuqishëm se këtë mision mund ta kryej në mënyrën më të mirë në fushën në të cilën vepron dhe jeton. Islamin duhet ta mbroj, ta bart dhe ta përcjellë tek të tjerët në mënyrën më të mirë, duke qenë biznesmen, politikan, studiues apo zanatli tjetër por që thirrjen e ndjen mision. Në këtë mision që kryen, nuk do famë e as shpërblim nga njerëzit, por të vetmin shpërblim e ndjen, e pret dhe e beson që do ta gjej te Zoti i Madhërishëm. Thirrësi përmes realizimit të këtij misioni të shenjt, synon të përmirësoj shoqërinë dhe së bashku me shoqërinë të fitoj kënaqësinë e Zotit të Madhërishëm. Zemrat ta cilat janë të përkushtuara në rrugë e thirrjes si mision, i qetëson, i gëzon dhe u jep gjallëri fjala e Pejgamberit s.a.s i cili thotë; Për Allahun, më e vlefshme është për besimtarin të bëhet shkaktar për udhëzimin e tjetrit se sa krejt çfarë ka mes lindjes dhe perëndimit”.

Similar articles