Home Lajme KOSOVË JAHJAGA I FLET MBRETËRESHËS ELIZABETH II PËR GRATË E DHUNUARA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot nga Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar, në Oborrin Mbretëror në Buckingham Palace në Londër, me nderimet më të larta dhe me intonimin e himnit shtetëror të Republikës së Kosovës.

Takimin me Mbretëreshën Elizabeth II, presidentja Jahjaga e vlerësoi si historik, që mbart më vete një rëndësi të veçantë për Kosovën dhe që siguron mbështetjen për qytetarët dhe vendin nga Mbretëria e Bashkuar. Presidentja Jahjaga tha se Kosova e vlerëson mbështetjen dhe besimin e Mbretërisë së Bashkuar në qytetarët e saj për të arritur paqen, për të jetuar në liri dhe për të ndërtuar një vend demokratik.

Ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar ishte forca shtytëse e këtyre idealeve dhe vlerave që u ka dhënë shansin gjeneratave të reja në Kosovë që të punojnë për të ardhmen më ndryshe, dhe ishin mijëra ushtarë britanikë që i ofruan Kosovës sigurinë, duke mundësuar ndërtimin e institucioneve dhe një jetë të përbashkët.
Jahjaga theksoi se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë e angazhuar në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit në vendosjen e sundimit të ligjit dhe rendit dhe arritjen e paqes ndërmjet vendeve të këtij rajoni, në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Presidentja Jahjaga në bisedë me Mbretëreshën Elizabeth II, foli për të arriturat e Kosovës në ndërtimin e shtetit demokratik, të bazuar në rend dhe ligj dhe një shtet gjithëpërfshirës, që garanton të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallim, dhe gjithashtu një shtet kontribuues në sigurinë dhe paqen jo vetëm në rajonin e Ballkanit.

Jahjaga tha se integrimi i vendit në NATO dhe në BE i ka bashkuar të gjithë qytetarët e tij dhe Kosova sot nuk ka alternativë tjetër. Ajo tha se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për arritjen e standardeve për integrim evropian, përmes thellimit të reformave në shoqëri, përballjes me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe vendosjen e një qeverisjeje të mirë, që do të mundësojë edhe rimëkëmbjen e ekonomisë dhe investimet e huaja.
Ajo theksoi se Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vazhduar të bëjnë punë të përbashkëta në fusha të ndryshme. Ajo tha se të dyja vendet janë angazhuar në parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës, ofrimin e mbështetjes edhe shëndetësore edhe sociale për viktimat e dhunës dhe përpjekjen për t’i integruar në shoqëri. Ajo tha se një grup ekspertësh britanikë, së bashku me autoritetet e Kosovës, kanë arritur që t’u ofrojnë viktimave nga Kosova të dhunës seksuale gjatë luftës, qasje në shërbime shëndetësore, në sistemin e drejtësisë dhe në mirëqenie.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova po vazhdon të ruajë dhe të kultivojë tolerancën dhe harmoninë ndërfetare, pavarësisht të kaluarës së saj të rëndë. Ajo tha se Britania e Madhe ka ndihmuar Kosovën në promovimin dhe kultivimin e tolerancës ndërfetare.

KULTURË

0 2403

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...