Home Lajme KOSOVË KAOS, GAZ LOTSJELLËS, SIGURIM POLICOR DHE DHUNË NË KUVENDIN E KOSOVËS DHE...

Seanca e djeshme e Kuvendit të Kosovës u ndërpre tre herë për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës.

Seanca e djeshme maratonike e Kuvendit të Kosovës e cila kishte filluar pasdite në ora 16:45, u karakterizua me tri ndërprerje për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës, futjen e sigurimit policor për të siguruar foltoren në sallën e Kuvendit, me vendimin e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, shtyrje, ofendime të rënda nga deputetët e opozitës në drejtim të Qeverisë së Kosovës, kryeministrit dhe ministrave që ishin prezent në sallë, si dhe në adresë të kryeparlamentarit Veseli.

Pas ndërprerjes së parë të seancës parlamentare, pauza zgjati më shumë se gjashtë orë. Gjatë kësaj kohe, rreth orës 22, Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e saj, në të cilën morri pjesë edhe Aida Durguti e Vetëvendosjes. Konkluzioni nga kjo mbledhje ishte që, seanca të vazhdoi në ora 23 dhe në sallë të futet sigurimi policor i Kuvendit, për të penguar bllokimin e foltores nga opozita.

Ky vendim irritoi tej mase opozitën, ndërsa deputetët e Vetëvendosjes, shefi i grupit parlamentar të këtij subjekti, Glauk Konjufca dhe deputetja Shqipe Pantina edhe pas vendosjes së kordonit të dyfishtë të sigurimit, qëndruan te vendi i kryesuesit të Kuvendit.

Pasi nuk respektuan thirrjen për t’u larguar, sigurimi i largoi duke i tërhequr nga aty, gjë e cila shkaktoi reagimin e deputetëve të opozitës.

Më i zëshmi ishte deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi i cili e quajti këtë turp të pozitës.

“Turp! Dilni jashtë! Çfarë Qeverie jeni ju që ju mbron policia. I keni pru këta djem me u ballafaqua me neve. Për çdo ditë po jetoni në kurriz të popullit e tash me ardh me u mbrojt me polici. Turp! E ke shit Kosovën. Marre s’po të vjen. Çka është kjo lojë e juaja. Ky popull 100 vjet ka luftua me çliru këtë vend, ju po e ndani me poshtërsitë tuaja. Turp!Turp!Turp!, Edhe për ju është turp zotëri deputet” i nevrikosur dhe duke bërtitur tha Kurteshi, duke iu drejtuar deputetëve të PDK-së dhe duke thënë se në mesin e tyre ka njerëz që kanë luftuar dhe kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës por, me veprimet që po i bëjnë po e tradhëtojnë vendin.

Ndërkohë, kryeparalmentari Veseli e filloi seancën e Kuvendit i penguar nga zhurma e fishkëllimave dhe britmave të opozitës. Pasi e lexoi rendin e ditës, Veseli ia dha fjalën deputetit dhe lideri të AAK-së, Ramush Haradinajt.

Haradinaj duke ironizuar me prezencën e sigurimit në sallë dhe duke thënë se, në sallë ka më shumë deputetë se zakonisht dhe iu drejtua atij me fjalët “ O, kryetar! Më mirë ngritu dil ngadalë prej këtu, se nuk të ka mbetur vend…”.

Në këtë moment, deputetja Donika Kadaj-Bujupi dhe Albin Kurti, sërish lëshuan gazin lotsjellës, ndërsa erdhi edhe deri tek shtyrja ndërmjet deputetëve dhe sigurimit i cili reagoi për ta larguar bombolën e lotsjellësit. Ishte kjo ndërpreja e dytë. Ajo zgjati diku rreth një orë dhe më pas deputetë u kthyen në sallë por, kjo ishte e përkohshme sepse opozita për herë të tretë hodhi lotsjellës, duke e bllokuar punën e seancës.

Pas ndërprerjes së fundit, diku 30 minuta pasmesnatës, është organizuar mbledhja e deputetëve të pozitës dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar të Kosovës, pa ftesë dhe prezencën e deputetëve të opozitës, në një sallë përbrenda Kuvendit të Kosovës dhe jo në sallën e seancave plenare. Këtë veprim, tre liderët e opozitës, Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i Nismës, e kanë cilësuar si “tubim ilegal të strukturave të PDK-së dhe LDK-së”.

Ymeri kishte deklaruar se “Ky është kontrabandim dhe shndërrim i Kuvendit në kuvend ilegal të strukturave partiake”, ndërsa Ramush Hardinaj, lideri i AAK-së deklaroi se me këtë veprim, kryetari i Kuvendit të Kosovës faktikisht e ka shpërbërë Kuvendin dhe ka kaluar në ilegale, duke mbajtur takime në hapësira të improvizuara dhe jo ato zyrtare.

Fatmir Limaj, lideri i Nismës i cili po ashtu e quajti këtë takim si, “takim ilegal të dy strukturave ilegale” theksoi se “kjo që ndodhi sonte është goditje e madhe për demokracinë”.

Në ora 01:50 minuta të mëngjesit, të shtunës, nga Kuvendi dolën deputetët e pozitës, duke dal nga ambientet e katit të pestë të ndërtesës, ku e kishin mbajtur mbledhjen dhe njëkohësisht, edhe deputetët e opozitës filluan të dalin edhe të largohen duke i dhënë fund një dite maratonike e cila u përshkua me tri ndërprerje.

Ndërkohë, jashtë Kuvendit, situata kishte eskaluar.

Pasi që protestuesit kishin filluar të hedhin mjete plasëse dhe koktej Molotovi në drejtim të njësiteve speciale të Policisë së Kosovës e cila po siguronte Kuvendin, policia kishte filluar shpërndarjen e masës duke përdoru gaz lotsjellës dhe autoblinda.

Një zyrtarë i Policisë së Kosovës, që ishte pjesë e sigurimit në Kuvend, informoi Anadolu Agency se situata është përshkallëzuar në momentin kur sigurimi policor në Kuvend, nuk kishte lejuar që deputetët e opozitës të bllokojnë foltoren.

Me këtë rast, gjatë intervenimit policor, protestuesit janë ndjekur nga hapësira para Kuvendit të Kosovës, nga Sheshi Skënderbeu nëpër bulevardin “Agim Ramadani” në drejtim të Akademisë së Shkencave dhe Arteve, tutje deri tek mensa e Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe lagjen Bregu i Diellit.

Rreth orës 01:30 minuta të mëngjesit të së shtunës, situata në qendër ishte e qetë, siç raporton Anadolu Agency.

Pranë Kuvendit të Kosovës dhe objektit të quajtur “Union” apo shitorja ekskluzive Benetton, Policia e Kosovës kishte lëshuar në tokë mburojat dhe kishte kaluar nga gjendja e gatishmërisë më gjendje qetësie.

Pas orës 2 në mëngjes, qetësia është kthyer në rrugët e Prishtinës edhe pse kriza politike në vend, pas këtyre ngjarjeve të sotme ishte thelluar edhe më shumë dhe dhuna nga Kuvendi është bartur në rrugë, ashtu siç ishte frikësuar shoqëria civile e cila të premten paradite mbajti “Marshin e Paqes”, duke kërkuar nga pozita dhe opozita që t’i japin fund inateve politike dhe të ulen për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje për dalje nga kjo situatë dhe kriza më e rëndë në të cilën gjendet Kosova, që nga viti 1999, siç deklaruan analistët politik kosovar.

Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, janë duke kundërshtuar marrëveshjen me Serbinë në Bruksel, të cilën me 25 gusht e kishte nënshkruar kryeministri Mustafa me kryeministrin e Serbisë Vuçiq, në bazë të cilës parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, duke i cilësuar si dëmshme.

Ata janë duke e bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës, tash e një muaj, duke kushtëzuar normalizimin e situatës me tërheqjen e nënshkrimeve nga këto dy marrëveshje. Nga ana tjetër, koalicioni qeverisës dhe pozita parlamentare po e akuzon opozitën për dhunë ndaj institucioneve të Kosovës dhe tentim për të ardhur në pushtet dhe përmbushur ambiciet politike në mënyrë jodemokratike.

Më herët gjatë javës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga kishte filluar takimet me liderët e të gjitha partive politike parlamentare, me qëllim që të gjej rrugëdalje nga kriza aktuale politike dhe t’i bind të dyja taboret që të ulen dhe të bisedojnë në një tryezë të përbashkët, mirëpo asaj nuk i është dhënë kohë e mjaftueshme, pasi që seanca plenare e Kuvendit ishte caktuar për të premten pasdite.

Këtë gjë, shoqëria civile dhe analistët politik e kishin cilësuar si hap të ngutshëm i cili mund të ndikoj në eskalimin e situatë, gjë e cila edhe ndodhi.

KULTURË

0 2707

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...