Home Lajme BOTË Kaosi qeveritar në Libi

Edhe gjashtë vite pas përmbysjes së qeverisjes 42-vjeçare të Muammar Gadafit si rezultat i kryengritjeve që filluan në shkurt të vitit 2011, në Libinë e pasur me resurse nëntokësore ende nuk është arritur stabilitet.

Në vendin me popullsi prej më shumë se gjashtë milionë banorësh, thuhet se afërsisht 2.4 milionë persona kanë nevojë për ndihmë humanitare. Vendin pothuajse e ka kapluar një kaos politik, teksa aktualisht tre qeveri të ndryshme pretendojnë pushtetin, ndërkohë që edhe resurset ekonomike janë në gjendje të ndarë.

Qeveria “e trefishtë” pas takimeve në Skhirat

Pas takimeve në Skhirat që u zhvilluan me iniciativë të Kombeve të Bashkuara (OKB), në Libi lindën tre qeveri të ndryshme. Gjatë takimeve, u pranua legjitimiteti i Këshillit të Lartë të Shtetit të kryesuar nga Muhammed Suveyhli, Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) në Tripoli të kryesuar nga Fayez al Sarraj dhe Kuvendit të Përfaqësuesve në Tobruk të kryesuar nga Aguila Saleh.

Po ashtu, edhe Qeveria e Shpëtimit Kombëtar e udhëhequr nga Khalifa Ghawil po përpiqet ta sigurojë ndikim përmes lidhshmërisë me Këshillin e Lartë të Shtetit. Sipas lajmeve të ditëve të fundit në mediat e vendit, shfaqja e forcës në Tripoli nga një grup i armatosur me ermin Konservatorët Kombëtar të cilët veprojnë nën Ghawil, kanë nxitur kritika.

Kush kë përkrah në Libi?

Gjatë luftës së armatosur e cila filloi pas përmbysjes së Gaddafit, në Libi janë shfaqur shumë grupe të armatosura.

Prijëse e grupeve të armatosura dhe e dalur nga 23 grupe të ndara është organizata e quajtur “Fajr Libya” e cila mbështet Kongresin e Përgjithshëm Kombëtar në Tripoli. Thuhet se së bashku me organizatën në fjalë, 11 grupe të armatosura mbështesin qeverinë e Tripolit.

Nga ana tjetër, në krye të grupeve të armatosura që mbështesin Kuvendin e Përfaqësuesve në Tobruk është gjenerali i pensionuar Khalifa Haftar. Haftar njihet për tentativën e dështuar për grusht shteti që e filloi nën emrin “Operacioni Dinjiteti”. Aktualisht, forcat ushtarake që veprojnë nën Haftar i vazhdojnë aktivitetet duke u arsyetuar me “luftën kundër terrorizmit”.

Qeveria e Tobrukut në lindje të vendit dhe krahu i saj ushtarak në krye me Haftarin, pohohet se mbështeten nga Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania. Teksa mbështetja nga Jordania dhe Franca ndaj forcave të Haftarit është e hapur, autoritetet zyrtare të Egjiptit dhe Emirateve ende nuk e kanë konfirmuar një mbështetje të tillë.

Ndërkaq, vëmendje kishte tërhequr deklarata e presidentit francez François Hollande më 20 korrik të vitit 2016, ku ai kishte deklaruar se Franca ka pasur ushtarë në Libi për qëllime kundërzbulimi.

Franca kishte mohuar të ketë mbështetur ndonjë grup në Libi deri në atë kohë. Megjithatë, ajo u detyrua të pranonte një gjë të tillë pasi në media u shfaqën trupat e tre ushtarëve francezë të vrarë të cilët kishin qenë të angazhuar me detyrë në “Operacionin Dinjiteti”.

Përpjekje për ndikim në Libi ka shfaqur edhe Rusia, e cila ka marrëdhënie të afërta me forcën e armatosur të Qeverisë së Tobrukut, Haftarin, i cili prej dy vitesh ka luftuar me armë qeverinë e Tripolit.

Vitin e kaluar, Haftar vizitoi Rusinë dy herë. Së fundmi, më 11 janar, gjenerali Haftar vizitoi një anije luftarake ruse e cila ankoroi në ujërat e Libisë. Ai gjithashtu ka realizuar video-takim edhe me ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov. Zyrtarët rusë e mbështesin dhe e pranojnë Haftarin si njëri nga personat më me ndikim në Libi.

Ndërkaq, Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e themeluar nga Sarraj dhe e mbështetur nga OKB-ja, vazhdon prezencën e saj në vend si qeveria më e përkrahur në arenën ndërkombëtare. Edhe krahas kësaj, çdo ditë e më shumë thellohet dështimi i kësaj qeverie për t’i futur nën një çati të vetme të gjitha palët në vend.

Resurset ekonomike të vendit janë ndarë

Pasi GNA filloi detyrën nën kryesimin e Sarrajit dhe pas ardhjes së saj në Tripoli, Banka Qendrore e Libisë dhe Kombania Libiane e Naftës shpallën se veprojnë nën GNA-në.

Në Libi funksionojnë dy banka qendrore, njëra në Tripoli nën GNA-në, ndërsa tjetra në qytetin Bayda nën Kuvendin e Përfaqësuesve. Për më tepër, forcat e Haftarit po ashtu mbajnë nën kontroll disa rafineri të naftës në lindje të vendit.

Rënia në ekonomi

Ekonomia e Libisë, vend ky me resurse të pasura nëntokësore, po përkeqësohet çdo ditë e më shumë për shkak të kaosit qeveritar në vend.

Martin Kobler, përfaqësuesi i Posaçëm i OKB-së për Libinë, ka paralajmëruar se gjendja ekonomike në vend po përkeqësohet me shpejtësi. Ai ka theksuar se në periudhën mes viteve 2011 dhe 2015, të ardhurat e Bankës Qendrore të Libisë prej 280 miliardë dollarëve kanë rënë në 60 miliardë dollarë, duke shtuar se është e mundur që kjo shifër të bie madje deri në zero. Sipas tij, për ekonominë e Libisë po bien këmbanat e rrezikut.

Ndërkaq, në lidhje me gjendjen humanitare në vend, ai tërhoqi vëmendjen drejt një gjendje tragjike në vend, duke thënë se “Në vendin e pasur me naftë, me popullsi prej gjashtë milionë banorëve, 2.4 milionë persona kanë nevojë për ndihmë humanitare, ndërsa 1.3 milionë për ndihmë me ushqime”.

Si erdhi deri te kjo gjendje

“Pranvera Arabe”, e cila filloi me largimin nga vendi të liderit të përmbysur të Tunizisë, Zine El Abidine Ben Ali më 14 janar të vitit 2011, përfshiu edhe vendet e rajonit. Kryengritja popullore e cila shpërtheu më 25 janar në Egjipt, mori hov me përmbysjen e Hosni Mubarakut.

Zjarri i “Pranvërës Arabe”, pas Egjiptit, u përhap edhe në Libi. Fillimisht, më 7 shkurt të vitit 2011 në Libi u organizuan protesta “paqësore” kundër kryetarit Muammer Gaddafi. Më vonë, protestat paqësore evoluan në përmasa të tjera pasi qeveria e Gaddafit përdori “forcë të tepruar” ndaj protestuesve.

Pasi disa nga forcat e sigurisë dolën kundër përdorjes së armëve për zbrapsjen e protestave dhe iu bashkangjitën protestuesve “paqësorë”, protestat u shndërruan në luftë të armatosur.

Derisa nga mbledhja ndërkombëtare e mbajtur në Paris të Francës më 19 mars dolën deklarata për intervenim ndërkombëtar në Siri për sigurinë e civilëve, në të njëjtën ditë avionët francezë filluan me bombardimin e forcave të Gaddafit.

Pas fillimit të sulmeve, Gaddafi u tërhoq në vendlindjen e tij, Sirte. Më 20 tetor dolën në pah xhirime të vrasjes së Gaddafit në Sirte, i cili ishte kapur nga forcat e Tripolit.

Në periudhën pas përmbysjes së Gaddafit, Këshilli i Përkohshëm Kombëtar, i themeluar më 23 shkurt, erdhi në qeveri në Tripoli. Në Libi, më 7 korrik të vitit 2012 për herë të parë u mbajtën zgjedhje për kuvendin. Si rezultat i zgjedhjeve, Këshilli i Përkohshëm Kombëtar, ia lëshoi vendin Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar.

Në mesin e detyrave të Kongresit, i cili mori qeverisjen për ta formuar pushtetin, ishte edhe përgatitja e një kushtetute të re e cila do të votohej në referendum. Pas takimeve në qytetin Skhirat të Marokut, punës së Kongresit të Përgjithshëm iu dha fund, ndërkohë që në vend të tij u themelua Këshilli i Lartë i Shtetit. /AA/

KULTURË

0 2433

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...