Home Lajme Keni shkaktuar aksident gjatë qëndrimit në Kosovë, do të dënoheni edhe në...

Keni shkaktuar aksident gjatë qëndrimit në Kosovë, do të dënoheni edhe në Zvicër!

Për disa nga ngasës duket se gjobat nga policia e Kosovës nuk mjaftojnë. Këtu kemi të bëjmë me qytetarët kosovarë, të cilët kanë dyshtetësi, apo edhe janë shtetas të huaj, e që gjobiten në Kosovë.

Në rast se këta ngasës shkaktojnë ndonjë thyerje të rëndë të rregullave të komunikacionit, dosjet e tyre përcillen edhe në vendet përkatëse ta këtyre kundërvajtësve. Dhe, me atë rast për ta, në vendet ku jetojnë mund të procedohet ndonjë lëndë tjetër.

Këtë gjë e konfirmon për albinfo.ch edhe Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Policisë së Kosovës. Sipas disa informatave, tashmë disa raste janë proceduar për në shtetet prej nga vijnë ngasësit e tillë.

“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit në Policinë e Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe në përputhje me Vendimin e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme te Republikes se Kosoves, ka marrë vendim për ndërmarrjen e masave emergjente, për ruajtjen dhe mbrojtjen e sigurisë në trafik. Të gjitha informacionet e pranuara nga Divizioni i Komunikacionit rrugor, në rastet kur ka kundërvajtje që shkaktojnë rrezik në komunikacionin rrugor, të kryera nga shtetasit e huaj, dërgohen edhe tek autoritetet e shteteve përkatëse prej nga vijnë këta kundërvajtës, përfshirë këtu edhe shtetin e Zvicrës”, thuhet në një njoftim nga drejtoria e lartpërmendur.