Home Lajme KIM MEHMETI: REGJIMIN ANTISHQIPTARË DPME-BDI E MBAJTËN NË KËMBË BDI-ja DHE PDSH-ja

Publicisti dhe analisti nga Maqedonia Kim Mehmeti, sërish nëpërmjet postimeve të tij në rrjetet sociale ka drejtuar akuza të rënda ndaj udhëheqësve politik shqiptarë të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të Kim Mehmetit:

“Ndodhi ‘Sopoti’ dhe shkuan në burg dhjetëra shqiptarë të pafajshëm, por drejtuesit e pashpirt, të pabesë e të pafytyrë të BDI-së, heshtnin thuajse nuk ishin pjesë e qeverisë që ua kurdisi lojën shqiptarëve?! Ndodhi akti përbuzës ndaj shqiptarëve të Maqedonisë i quajtur ‘Monstra’ dhe, drejtuesit e pabesë, të pafytyrë dhe që nuk turpërohen nga asgjë të BDI-së, heshtën e nuk thanë gjë, duke u shtirë se nuk ishte anëtarë i tyre zëvendës ministri i policisë, i cili doli me ministren të kremtojë aksionin e suksesshëm të policisë së shtetit me institucione monstruoze, të shtetit që bëhej pronë e familjes së Kryeministrit të Maqedonisë!? Ndodhi likuidimi i Harun Aliut me shokët, por drejtuesit e BDI-së sërish heshtën e nuk dhanë asnjë shpjegim, thuajse ai nuk ishte shok i tyre dhe thuajse fare nuk u pengonte të qeverisnin së bashku me ata që e vranë këtë hero!? Ndodhi deshqiptarizimi i Shkupit dhe drejtuesit e BDI-së, që ishin pjesë e regjimit antishqiptarë që deshqiptarizonte shtetin, heshtën dhe shkuan deri aty sa na thanë se edhe luani bullgar mund të jetë simbol etnik i shqiptarisë!? Çka nuk na ndodhi e çka nuk na bëri gjatë kësaj dekade regjimi antishqiptarë DPMNE-BDI, por edhe Tirana e Prishtina zyrtare, edhe institucionet demokratike perëndimore, heshtnin e shtireshin se nuk shohin çka është duke ndodhur në këtë shtet në të cilin demokracinë e ndërtonin banditët dhe hajdutët e vëllazëruar shqiptaro-maqedonas të regjimit DPMNE-BDI! Dhe tani del puna se të gjithë janë habitur nga ndodhitë e Kumanovës! Vallë është e mundur dikush të ketë besuar se një diktator qesharak si kryetari i DPMNE-së dhe një injorantë e leninistë si kryetari i BDI-së, do e çonin vendin më larg se në Kumanovë?! Po pra, çka nuk na ndodhi dhe çka nuk na bëri regjimi antishqiptarë DPMNE-BDI neve shqiptarëve të Maqedonisë, por të gjithë burrështetasit shqiptarë në Tiranë e Prishtinë heshtën e nuk u turpëruan fare! Por megjithatë duhet thënë se më e paturpshme ishte heshtja e neve shqiptarëve të Maqedonisë që votonim edhe disa qelbësira të BDI-së dhe PDSH-së, i votonim këta që kurrë nuk u mburrën e nuk u ndjenë të forte pse ishin përfaqësues të shqiptarëve, por pse i shërbenin një diktatori qesharak antishqiptar dhe kushëririt të tij që drejton policinë sekrete maqedonase! Andaj edhe duhet thënë qartë e shqip: nga e gjithë ajo që ka të bëjë me regjimin antishqiptarë DPME-BDI, do mbetet e vërteta se atë e mbajtën në këmbë dy partitë shqiptare – BDI-ja dhe PDSH-ja, të përkrahura nga ne shqiptarët e këtushëm dhe nga Tirana e Prishtina zyrtare. Andaj pra edhe duhet thënë qartë e shqip: viktimat e Kumanovës i vrau edhe dora e shqiptarisë dhe se shtëpive të djegura të kumanovarëve, ua vu flakën edhe plehu i sotëm politik mbarëshqiptare, pleh nga i cili ka vite që përhapet era e qelbur, por të cilën ne paturpshëm e thithim si foshnja qumështin e nënës”