Home Opinione Kombet ballkanike, kriptorusizmi dhe Bashkimi Evropian

Nga: Dr. Nexhmedin Spahiu

Perëndimi po përpiqet që gjithë Ballkanin ta bëjë për vete duke e anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Për të qenë ironia në kulm, madje edhe Norvegjia e Zvicra që për vete refuzojnë të jenë anëtare të BE-së, përpiqen për rrugën evropiane të kombeve ballkanike.

Por, që kombet ballkanike të futën në Bashkimin Evropian, duhet që së pari të pajtohen mes vete. Në këtë drejtim, Perëndimi po investon shumë mund. Ndoshta shumë më shumë mund se sa që Fuqitë e Mëdha kanë investuar gjatë shekullit XIX e XX për t’i grindur mes vete kombet e Ballkanit.

Lindja e kombit të parë modern në Ballkan, atij grek, më 1829, është rezultat i investimeve politike ruse, angleze e franceze. Mu për këtë, partitë në parlamentin e atëhershëm grek janë quajtur: Partia Ruse (në krye me Theodor Kollokotroni), Partia Angleze (në krye me Aleksandros Mavrogordatos) dhe Partia Franceze (në krye me Janis Koletis). Beteja për mbizotrim të ndikimit të ketyre Fuqive zhvillohet edhe sot brenda kombit grek.
Hisen e vet për lindjen e kombit rumun (1859/1878) e kanë rusët, francezet dhe gjermanet. Ndërsa lindja e kombit bullgar (1878/1908) është rezultat i investimeve politike ruse e gjermane.

Kombi serb, në këtë aspekt, është pak më specifik nga të tjerët, sepse më 1903 i nxjerr gjermanët (Austro-Hungarinë) nga jeta e vet politike. Përndryshe gjermanët dhe rusët ishin krijuesit e kombit serb (1804/1835/1878). Vendin e zbrazur të gjermanëve (Austro-Hungarisë) në rastin e komit serb e plotësuan anglezet dhe francezet.
Lindja e kombit shqiptar, kroat e boshnjak mund të konsiderohet hakmarrje gjermane ndaj kombit serb. Në lindjen e kombit shqiptar (1913), përveç gjermanëve (Austro-Hungarisë), hisen kryesore e kanë anglezët, ndërsa më pak edhe italianët.

Nëse do t’i ngjyrosnim hartat e vendeve ballkanike me ngjyrat e Fuqive të Mëdha që i kanë krijuar ato, atëherë duke patur parasyshë marrëdheniet mes Fuqive të Mëdha mund ta kemi fotografinë e qartë të aleancave dhe armiqsive mes vendeve ballkanike gjatë shekullit XIX e XX.

Për shkakun se Luftën e Parë Botërore e fituan anglezët, francezët e rusët, pra protektorët/aleatet e kombit serb, Serbia u zgjerua nga Vardari deri në Trigllav dhe nga Gjerdapi deri në Adriatik.

Protektorët/aleatët e kombit shqiptar, gjermanët dhe anglezët, luftuan mes veti dhe Shqipëria në fund të Luftës së Parë Botërore as nuk u zvogëlua e as nuk zgjerua. Derisa rreshtimi i shqiptarëve përkrah gjermanëve rrezikonte që me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, Shqipëria të zhdukej nga faqja e dheut, anglezët (dhe amerikanët) e mbajtën atë duke e konsideruar atë investim të tyrin politik.

Në përfundim të shekullit XX, fati i kombit serb i gjason atij shqiptar gjatë dy luftërave botërore, pra që aleatët/protektorët e tij të jenë në anët e kundërta nderluftuese. Meqë fituesit e Luftës së Ftohtë (Perendimi) kërkonin që serbët të heqin dorë nga politika “edhe me Perëndimin edhe me Rusinë” të cilën ata me kokëfortësi e ndiqnin, u desh që të bombardohet Beogradi dhe të rrudhet Serbia (Jugosllavia), për t’iu dëshmuar se Perëndimi është fitues i luftës së ftohtë dhe se Serbia nuk është më tampon zonë mes Perendimit e Rusisë.

Konfliktet e brendshme të kombeve ballakanike

Kur është fjala për për konfliktet e brenda vetë kombeve ballkanike, këto janë më të shprehura në rastin bullgar, të cilat më së miri i ka përshkruar prof. dr Anton Panchev. Progermanizmi dhe prorusizmi në Bullgari luftojnë per dominim mes veti për mëse një shekull.

Përderisa gjatë dy luftërave botërore dominuan forcat progjernane, fundi i Luftës së Dytë Botërore, Bullgarinë e gjeti nën ndikimin e forcave proruse.Tani Bullgaria është në NATO dhe BE, por kriptorusizmi është akoma i fuqishëm tek shtresat e ulta të popullsisë, ashtu sikur që është edhe tek grekët e rumunët të cilët poashtu janë pjesë e NATO-s dhe BE-së.

Ndarja në prorusë dhe progjermanë shprehet edhe ne vetë mitologjinë e prejardhjes së etnisë bullgare. Dersisa progjermanët pohojnë se bullgarët janë jo-sllavë të cilët e kanë pervetësuar gjuhën sllave, prorusët pohojnë se bullgarët nuk janë asgjë tjetër veçëse sllavë.

Edhe pse Shqipëria në Luftën e Parë Botërore u deklarua formalisht neutrale, gati të gjithë politikanët e saj ishin në anën e Fuqive të Boshtit, përveç Esad Pashë Toptanit i cili me ushtrinë e tij u pozicionua me serbët përkrah Fuqive që e fituan luftën. Por Toptani u vra në Pariz më 1920 dhe sot e kësaj dite konsiderohet tradhtar i kombit shqiptar.
Përçarja e kombit shqiptar filloi pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Me atë rast shqiptarët ishin të ndarë në 4 grupime politike:

1. Lidhja e Dytë e Prizrenit që tubonte kryesisht nacionalistët progjermanë nga Kosova, Maqedonia Perendimore e Shqipëria Veriore
2. Zogistët, përkrahësit e Mbretit Zog, kryesisht nga Shqipëria e Mesme, orientimi i të cilëve ishte proanglez.
3. Ballistët, përkatësisht nacionalistët republikanë kryesisht nga Jugu i Shqipërisë orientimi i të cilëve ishte proanglez.
4. Komunistët-partizanët, kryesisht të përqendëruar në Jug të Shqipërisë, të orientuar si prorusë (prosovjetikë).
Luftën civile në Shqipëri e fituan komunistët ngaqë ata ishin më makiavelistët nga të gjithë grupimet e atëhershme në Shqipëri, njësoj siç kjo ndodhi edhe në Serbi (Jugosllavi).

Triumfi i partizanëve serbë (jugosllavë) është Beteja e Neretvës, thelbi i së cilës sipas historianit kroato-amerikan Joža Tomašević, është bashkëpunimi i partizanëve dhe gjermanëve për t’i vënë në kurth çetnikët. Pas Betejës së Neretvës, Levizja çetnike, e cila deri atëherë merrte ndihma nga anglezët e amerikanët, pothuajse u shkatërrua. Në vend të çetnikëve, ndihmën angleze e amerikane filluan ta marrin partizanët serbë (jugosllavë).
Si fitues të luftës civile, komunistët si në Shqipëri poashtu edhe në Serbi(Jugoslavi) i shpallën për bashëpunëtorë të okupatorëve të gjithë kundërshtarët e vet – edhe ata që vertetë ishin të tillë, por edhe ata që koketuan me gjermanët me pak se ata vetë. I akuzuan për krime të luftës derisa vetë bënë krime shumëfishin e tyre.
Dallimi mes komunistëve shqiptarë dhe atyre serbë ishte ajo që komunistët shqiptarë ofronin një Shqipëri më të vogël nga të gjithë rivalët e vet, ndersa komunistët serbë ofronin një Serbi më të madhe nga të gjithë rivalet e vet: nediqevacët dhe çetnikët (Mbreti).

Me rënien e komunizmit në Shqipëri, pasardhësit e partizanëve u grumbulluan rreth Partisë Socialiste, kurse pasardhësit e gjithë forcave tjera politike nga Lufta e Dytë Botërore, u grumbulluan rreth Partisë Demokratike.
Situata është e ngjashme në Bullgari e Rumuni, ku prorusizmi shprehet më shumë në formën e kriptorusizmit, se sa që është i artikuluar politikisht si në Serbi përmes radikalëve të Šešelj-it dhe demokratëve të Koštunicës.
Lidhja mes kombit serb e kombit shqiptar janë anglezët, sepse ata siç pamë më lart, kanë hisen e tyre (bashkë me gjermanët) edhe tek kombi shqiptar dhe (bashkë me francezët e rusët) edhe tek kombi serb, prandaj nuk është për t’u habitur përse Toni Bler është këshilltar edhe i Aleksandar Vučić-it edhe i Edi Ramës. Ajo që është interesante është fakti se Edi Rama udhëheqë partinë paraardhësit e të cilëve kanë qenë prorusë (prosovjetikë), kurse Vučić është një ish radikal (ish prorus).

Pajtimi qenësor mes ballkanikëve, megjithëkëtë nuk mund të bëhet vetëm me levizje politike të krerëve të shteteve, por me ballafaqimin me të vërtetën historike dhe kërkimfalje jo vetëm mes kombeve ballkanike, por edhe brenda vet këtyre kombeve.

*Autori është profesor i shkencave politike në Universitetin AAB në Prishtinë, ish profesor në Universitetet eTiranës, Tetovës, Prishtines si dhe Universitetit të Hamburgut.

Similar articles