Home Sport KOMBËTARJA SHQIPTARE REKORD, E 22-ta NË RENDITJEN E FUNDIT TË FIFA-s

Kombëtarja shqiptare e futbollit, ka arritur sot një rekord historik, të pakrahasueshëm me asnjë tjetër deri më tani. Në renditjen e fundit të FIFA-s, botuar sot, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Xhani De Biazi, kanë bërë një kapërcim historik duke u renditur në vendin e 22-të, në botë në renditjen e përgjithshme të skuadrave përfaqësuese. Kjo renditje është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, raporton Anadolu Agency (AA)

Muajin e kaluar, Shqipëria arriti rekordin e saj në këtë renditje, duke u renditur në vendin e 36-të në botë. Marrja e 3 pikëve, pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës, për ndeshjen e papërfunduar Serbi –Shqipëri, zhvilluar më 14 tetor të vitit të kaluar, në Beograd, ka ndikuar që kjo kjo renditje të përmirësohet ndjeshëm për ekipin kombëtar shqiptar.

Federata Shqiptare e Futbollit deklaron se ky është edhe rezultati zyrtar, historikisht më i rëndësishëm, për futbollin shqiptar, në të gjitha kohërat.

Në dhjetëvjeçarin e fundit (sidomos pas viteve 2002), Shqipëria ka bërë progres sa i takon renditjes së kombëtares së saj, në renditjen botërore të FIFA-s. Rezultatet e saj të vitit të fundit, si në eliminatoret e Europianit “Francë 2016” dhe në ndeshjet miqësore kanë bërë që skuadra kuqezi, jo vetëm të tërheqë vëmendjen e mediave dhe specialistëve të huaj, por edhe të ngjitet në mënyrë progressive në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.