Home Lajme KOSOVË Komuna reagon ndaj stories “Prizren/Kandidatit të kualifikuar i zhdukin dosjen e masterit...

Komuna e Prizrenit, gjegjësisht Drejtoria Komunale e Arsimit, me qëllim të sqarimit të opinionit publik lidhur me publikimin tendencioz të stories “Prizren/Kandidatit të kualifikuar i zhdukin dosjen e masterit ne konkurrim! – Stop – 13 nëntor 2020” në TV Klan dhe të publikuar në kanalin social YouTube, publikuar me datë 13 nëntor 2020, kërkon nga mediumet që ta publikojnë këtë reagim.Është e papranueshme që redaksia e një mediumi siç është TV Klan, që është përgjegjëse për informim të drejtë të qytetarëve, të publikojë lajme tendencioze dhe të shtrembërojë fakte, që të njollosë personalitetin e drejtoreshës së Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, znj. Xhemile Thaçi Vezgishi, duke e dekontekstualizuar aktivitetin për rekrutimin e personit sipas kritereve të përcaktuara me konkursin e shpallur nga DKA për pozitën e mësimdhënësit për Harmonikë në ShML ‘’Lorenc Antoni’’ në Prizren.Drejtoresha Thaçi-Vezgishi e ka precizuar shumë qartë gjatë bisedës, para fillimit të incizimit të intervistës, se bëhet fjalë për nostrifikimin e diplomës së kandidatit, e jo për noterizimin, pasi që ka dallim të madh mes nostrifikimit që bëhet nga Ministria e Arsimit dhe noterizimit të ndonjë dokumenti, i cili mund të bëhet nga noterët e shumtë në Kosovë.Përkundër faktit të ekzistimit ose jo të kualifikimeve të tij, si dhe me gjithë respektin/konsideratën për interpretimet e tij ndërkombëtare me harmonikë, personi në fjalë nuk e ka fituar vendin e punës për shkak se nuk ka performuar mirë në procedurat e vlerësimit për mësimdhënës/mësimdhënie: test me shkrim dhe intervistë, sipas vlerësimit të komisionit përzgjedhës përkatës.Për më shumë, “TV Klan”, në bazë të parimeve profesionale të gazetarisë, do të duhej t’i përmbahej në mënyrë strikte kodit të transmetimit për median audiovizive, gjegjësisht pika “4.3 Informacioni i transmetuar duhet të jetë i vërtetë, i saktë, i balancuar dhe i verifikuar”, i seksionit 4 mbi transmetimin e programeve informative.Është shumë me rëndësi të theksohet fakti se aranzhimi për dhënie të deklaratës zyrtare ndaj emisionit “Stop-Tv Klan” është keqpërdorur duke mos e transmetuar fare deklaratën zyrtare të regjistruar para kamerave, por vetëm pjesën e bisedës informale të regjistruar nga kamera e fshehur (edhe pse në kamerë të fshehur shihet qartë që nuk ka asnjë deklaratë ndryshe nga ajo para kamerave që është dhënë ose ndryshe nga e vërteta). Me këtë rast, besojmë fuqishëm se janë thyer rregullat e kodit etik të gazetarisë.Theksojmë se, Drejtoria Komunale e Arsimit ka vepruar konform ligjeve dhe rregulloreve të aplikueshme dhe nuk ka bërë asnjë shkelje të procedurave të rekrutimit.Duke shprehur shqetësimin tonë për publikimin e një storie të tillë, kërkojmë nga “TV Klan” korrigjimin apo heqjen në tërësi të kësaj storie tendencioze me fakte të shtrembëruara dhe të kërkojë falje publike në po të njëjtin emision, nga të njëjtit moderatorë gjatë emisionit të radhës.Rrjedhimisht, nëse kjo storie nuk korrigjohet apo largohet në tërësi dhe nëse “TV Klan” nuk kërkon falje dhe nuk jepet sqarim mbi të, Komuna e Prizrenit do t’i drejtohet Autoritetit të Mediave Audiovizive të Republikës së Shqipërisë dhe gjykatës kompetente.