Home Lajme KOSOVË Konjufca konfirmon tërheqjen e Qeverisë për Ligjin për Zgjedhjet

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca ka njoftuar se pas një takimi që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, janë pajtuar që ta tërheqin ndryshimin e Ligjit Zgjedhor.
Ai ka thënë se këtë do ligj do ta ndryshojnë së bashku edhe me opozitën.

“Sot e kam takuar Kryeministrin Albin Kurti dhe kandidaten për Presidente të Kosovës znj. Vjosa Osmani. Kam diskutuar me ta mbi rëndësinë e kompletimit të kësaj faze të tretë të krijimit të institucioneve tona. Pamundësia që brenda afateve kushtetuese ta zgjedhim Presidentin e ri e çon vendin tonë në zgjedhje të reja. Askush nuk dëshiron që Kosova të hyjë në zgjedhje të reja, duke krijuar pasiguri kushtetuese dhe duke humbur shumë kohë. Republika e Kosovës ka nevojë për stabilitet politik e institucional dhe qeverisje demokratike bazuar në vullnetin elektoral të qytetarëve”.

“Për ta krijuar një atmosferë të domosdoshme mirëbesimi para se të hyjmë në këtë proces, ata më premtuan dhe garantuan që gjithçka ka të bëjë me ligjin për zgjedhjet do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore. Kështu që, pas vullnetit të qartë që e shprehu mbrëmë opozita me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës, nuk mbetet tjetër veçse të sigurohemi që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentin, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura”, thuhen në deklaratën e tij.