Home Lajme Konventa e BESËS në Maqedoni: pjesëmarrja sinjalizon “kërcënimin” ndaj BDI-së dhe ç’faktorizimin...

Lëvizja BESA në Maqedoni organizoi konventën e saj të martën në mbrëmje në Shkup duke befasuar sërish me përkrahjen e jashtëzakonshme gjykuar nga masiviteti i pjesëmarrjes dhe i pranisë në sallën e sporteve “Boris Trajkovski”.

Nën siglën politike “Rilindje me Besë” dhe aksiomën “O sot, o kurrë”, pas koalicionit me Rilindjen Demokratike Kombëtarë, u prezantuan kandidatët për deputetë të zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Folësit në konventë, krerët e Besës, theksuan faktin se kjo lëvizje vjen si një domosdoshmëri në një moment të vështirë për shoqërinë shqiptare në Maqedoni, duke dhënë ofertën e zgjidhjes me anë të platformës së Ridefinimit.

Sipas tyre, që pas përfundimit të luftës e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, në vend që situata e shqiptarëve në Maqedoni të përmisohej, ajo është vështirësuar akoma dhe më tepër duke mbrritur tashmë në një pikë kritike. Gishtin e akuzës ata e drejtuan pikërisht nga partia shqiptare në koalicionin qeveritar, BDI.

Kjo forcë në gjykimin e tyre, ka tradhëtuar kuazën shqiptare të UÇK-së dhe me politikat e saj të nënshtrimit për shkak të qëndrimit me patjetër në pushtet për të përfituar prej tij në interesa personale e aspak kombëtare e shoqërore, duke qenë bashkëfajtore dhe në korruptimin e përgjithshëm të qeverisjes.

Mesazhi i përcjellë nga krerët e Besës për votuesit, është se për herë të parë gjatë viiteve të fundit, shqiptarët nuk do shkojnë të votojnë për të keqen më të vogël, por për një të mirë reale, e që është vizioni, programi, perspektiva që ofron BESA, cilësia e saj njerëzore.

Interesant është fakti se BESA, edhe pse një forcë politike dyvjeçare, ka arritur të sfumojë ndonjë parti tradicionale, siç është PDSH-ja në opozitë, duke u shndërruar në rivalen kryesore të BDI-së. Dhe sipas sondazheve, BESA rezulton një kërcënim serioz për partinë e Ali Ahmetit. /tesheshi.com/