Home Lajme KOSOVË Kosnett në takim me Konjufcën përmend rëndësinë e zgjedhjes së Presidentit

Ushtruesi i Detyrës i Presidentit të Kosovës Glauk Konjufca, është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett i cili potencoi rëndësinë e zgjedhjes së Presidentit të vendit.

Konsnett uroi Konjufcën për detyrat e reja si U.D. President dhe Kryetar i Kuvendit duke i konfirmuar përkushtimin e tij dhe të ShBA-së për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës.“Ambasadori Konsett potencoi rëndësinë e zgjedhjes së Presidentit të vendit, duke përmbyllur kështu konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ai theksoi nevojën për rol konstruktiv të të gjitha forcave politike në vend përgjatë këtij procesi, duke pasur parasysh interesin shtetëror para atij politik e partiak”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentit.

Edhe Konjufca ka falënderuar ambasadorin Kosnett dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe partneritetin e vazhdueshëm me Republikën e Kosovës.

Konjufca vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe thellimit edhe të mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet të të dy shteteve, duke konfirmuar përkushtimin e tij për një gjë të tillë.

“U.D. Presidenti Konjufca poashtu ka potencuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konstituimit sa më të shpejtë të të gjitha institucioneve, si parakusht për zhvillim të proceseve me rëndësi për vendin”, thuhet në komunikatë.