Home Sport KOSOVA KONFIRMON PJESËMARRJEN NË JORDANI

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do të marrë pjesë në turneun kushtuar Mbretit Abdullah II, që do të zhvillohet në kryeqendrën e Jordanisë, Amman, shkruan sot Koha Ditore.

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka vendosur të pranojë ftesën e Federatës së Basketbollit të Jordanisë, është bërë e ditur përmes një njoftimi nga FBK-ja.

Turneu do të mbahet nga 5 deri më 11 gusht, kurse Përfaqësuesja e Kosovës gjatë këtij muaji pritet t’i fillojë përgatitjet.

Kosova në këtë turne do të udhëhiqet nga Arben Krasniqi. Për Kosovën kjo është hera e dytë që merr pjesë në këtë turne, pasi herën e parë ishte në vitin 2006 dhe përfundoi e katërta.

“Bordi ka vendosur ta pranojë ftesën e Federatës së Basketbollit të Jordanisë për reprezentacionin A për të marrë pjesë në kupën e mbretit Abdullah që do të mbahet gjatë muajit gusht”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Leart Hoxha.