Home Lajme Kryeimami i Prizrenit Dr Orhan Bislimaj: Nervozizmi ndërfetar në Kosovë…!

Në asnjë vend të botës, populli nuk çohet në protesta pa lidhje. Jo, ata çohen kur liderët e nëpërkëmbin durimin e tyre; e përdhosin dinjitetin e tyre; apo e keqpërdorin detyrën. Po bëhen dy ditë dhe asnjë fjalë nuk e dëgjuam nga kryeministri, as nga presidenti e as nga kryeparlamentarja, kundër antiislamistit Qëndrim Gashi. Ai, na ofendoi rëndë në baza fetare. Ai, nxiti urrejtje ndërfetare. Ai e keqpërdori detyrën zyrtare të shtetit! Të gjitha këto janë të dënueshme me kodin penal të Kosovës (Nr. 06/L-074, neni 141).Fatkeqësisht, nuk dëgjuam as nga liderët partiakë!Me të vërtetë është për t’u habitur. Ky është injorim total i Bashkësisë Islame dhe bashkësisë myslimane të Kosovës, që përbën rreth 96 % të popullsisë. E, heshtja e atyre që e kanë për obligim të flasin, është pajtim me një akt të tillë! Aq më tepër, kur edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në tetor të vitit 2018, pati konstatuar se abuzimi i Profetit Muhamed është i dënueshëm dhe nuk është pjesë e lirisë së shprehjes.Ngaherë kam thënë, Kosova ka tolerancë ndërfetare ideale, por liderët politikë me sjelljet e tyre po mbjellin nervozizëm ndërfetar. Ata reagojnë për gjëra fare të parëndësishme, por asnjëherë nuk reagojnë kur është në pyetje Islami. Muslimanët kësaj radhe nuk duhet të heshtin! Shkarkimi i tij është minimumi i domosdoshëm!, ka shkruajtur Kryeimami i Prizrenit Dr Orhan Bislimaj