Home Lajme Kryetari Haskuka:Rënia e Murit të Berlinit ishte frymëzim për luftën tonë për...

Kryetari Haskuka:Rënia e Murit të Berlinit ishte frymëzim për luftën tonë për liri

Fjalimi i Kryetarit Haskuka në Konferëncën Ndërkombëtare në Berlin me rastin e 30 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit ku ishin prezent shumë figura dhe udhëheqës botëror…!

“Rënia e mureve dhe ngritja e të drejtave të njeriut nga Berlini në Prishtinë
(Fjalimi i plotë në konferencën për 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit)

Të nderuar Presidentë, Ministra, anëtarë të Parlamentit, Kryetarë Komunash,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Më 9 nëntor 1989, pesë ditë pasi që gjysmë milioni njerëz u mblodhën në një protestë masive në Berlinin Lindor, Muri i Berlinit që e ndante Gjermaninë Lindore komuniste nga Gjermania Perëndimore filloi të shkatërrohej. Ky ishte një lajm i mirë për Evropën dhe për të gjithë botën. Ishte lajmi që kumtonte se perdja e hekurt po binte dhe hekuri që shtrëngonte mendjet dhe duart e miliona njerëzve nën mbërthimin e Rusisë Sovjetike po shkatërrohej gjithashtu.

Si efekt domino i Murit të Berlinit, regjimet dhe diktaturat më të këqija komuniste në Evropë po binin njëra pas tjetrës. Megjithatë, një nga regjimet e Evropës Lindore që konsiderohej më pak shtypëse, Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë, po kthehej në autoritarizëm.

Idetë nacionaliste të “Serbisë së Madhe” po i jepnin kahje regjimit neofashist të Millosheviqit, i cili më vonë bëri krimet më të rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Atë vit, më 1989, unë isha 16 vjeç dhe mbaj mend se si nën kërcënimin e tankeve dhe në shtetrrethim të Ushtrisë së Popullit Jugosllav, ndryshimet kushtetuese u zbatuan në Kosovë, duke hequr ato pak liri që i gëzonim si shqiptarë në Kosovë. Millosheviqi hoqi autonominë politike që gëzonte Kosova si pjesë përbërëse e ish-Federatës Jugosllave.
Mbaj mend demonstratat, gazin lotsjellës dhe dhunën e policisë në rrugët e Prizrenit, qytetit tim të lindjes.

Ishim të shqetësuar për të ardhmen tonë. Një nga regjimet më brutale ishte duke u vendosur në Kosovë. Ndarja etnike, shfrytëzimi ekonomik dhe struktura që ngjasonin me aparteidin u krijuan në zemër të Ballkanit.

Derisa dëgjoja biseda të të moshuarve, njerëzit pushoheshin nga punët e tyre në sektorin publik. Universiteti i Prishtinës ishte mbyllur, menaxherët e fabrikave në pronësi shoqërore po zëvendësoheshin me serbët që vinin nga Beogradi, forca policore e Kosovës largonte nga puna policët shqiptarë. Në vitet në vijim, qindra mijëra njerëz u arrestuan ose u keqtrajtuan në “marrje në pyetje (hetime) për informacione” nga policia serbe. Derisa unë përjetoja telashe duke dëgjuar këngën “Në emër të dashurisë” nga U2, atdheu im u sundua nga një person që fliste si një i çmendur me tone dhe retorikë të njëjtë me Adolf Hitlerin, 50 vite pas vdekjes së tij.

Ishim të shqetësuar rreth zhvillimeve që ne po përjetonim, por ishim optimistë derisa shikonim Evropën. Atë vit, babai im u shkarkua nga pozita e tij si drejtor i një fabrike në Prizren, ndërsa zëvendësimi i tij ishte një serb lokal. Zëvendësimi i tij nuk kishte as kompetenca e as ide se çfarë të bënte, andaj shpejt ai gjithë argjendin dhe arin që ishte lëndë e parë për prodhimin e bizhuterive e vendosi në një kamionetë dhe e dërgoi për në Beograd. Së shpejti punëtorët artizanë që punonin bizhuteritë me punim dore të quajtura “Filigran”, nuk kishin materiale të mjaftueshme për të punuar, kështu që biznesi filloi të binte dhe së shpejti filloi rënia e fabrikës. Dëgjonim histori të ndryshme se si në shumë fabrika tjera makineritë paketoheshin dhe dërgoheshin në Serbi. Në vitet në vijim më shumë se 200,000 punëtorë të sektorit publik ishin pa punë, gjysma e popullatës së Kosovës humbi mjetet e jetesës dhe nuk kishin të ardhura të rregullta.

Sidoqoftë, megjithëse ishim të shqetësuar, një ngjarje kilometra larg nesh na dha një copëz shprese. Në zemër të Evropës po binte një mur, Muri i Berlinit. Ne ishim të sigurt se derisa Evropa po kthehej drejt lirive dhe të drejtave të njeriut, gjërat nuk mund të vazhdonin në drejtim të kundërt në Prishtinë.

Shumë shpejt u formua lëvizja paqësore. Pasi shkollat në gjuhën shqip u mbyllën, u formua sistemi paralel arsimor si një rezistencë ndaj regjimit të Millosheviqit. Unë fillova të shkoj në shkolla të organizuara në shtëpi private, ku rrethanat ishin të këqija, por ne ishim të lumtur që mund të vazhdonim arsimin në gjuhën tonë. Ishim të sigurt se këto ditë të këqija, persekutimi dhe shtypja ndaj nesh së shpejti do të përfundonin, njëjtë sikur u rrënua muri që e ndante Berlinin.

Mirëpo kjo “së shpejti”, nuk ishte shumë shpejt, sinqerisht nuk ishte aspak shpejt. Derisa Millosheviqi kishte organizuar makinerinë e tij propagandistike dhe infrastrukturën shtetërore të ish-Jugosllavisë për të zbatuar memorandumin e Akademisë së Arteve dhe Shkencave Serbe për krijimin e “Serbisë së Madhe”, kishte filluar spastrimi etnik i popullatës jo-serbe. Kosova ishte hapi i parë. Planet e tij ishin më të mëdha, përfshirë Kroacinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën. Por, ne ishim të sigurt se kjo nuk do të ishte e mundur në Evropën demokratike. Ishim të sigurt se shtypja nuk mund të vazhdonte derisa monumenti më i madh i shtypjes në Evropën e pas luftës, që ishte Muri i Berlinit, po binte.

Për këtë, ne kishim të drejtë, por në të njëjtën kohë edhe gabonim diku. Kishim të drejtë që kjo situatë e shtypjes, e spastrimit etnik dhe e luftës nuk mund të vazhdonte, por e kishim gabim sa i përket kohës që do i duhej botës dhe Evropës për të vepruar. Kaluan saktësisht 10 vite, ku duhej të prisnim që të ndodhte luftë në Slloveni, luftë në Kroaci, luftë në Bosnjë dhe Hercegovinë, luftë në Kosovë. Duhej të shihnim qindra mijëra viktima, mijëra gra të dhunuara, mijëra shtëpi të djegura, fshatra të djegura dhe shumë qytete të shkatërruara. Kaloi shumë kohë e gjatë derisa bota u bashkua kundër Millosheviqit dhe makinerive të tij ushtarake shtypëse.

Një herë e pata dëgjuar një artist serb duke thënë se “derisa njerëzit e zgjuar janë në dyshime dhe mendojnë, njerëzit e çmendur veprojnë pa menduar,” kjo ndodhi në ish-Jugosllavi, me Millosheviqin. Kjo vazhdon të ndodhë edhe në shumë pjesë të tjera të botës ku ndodh padrejtësia dhe dhuna.

Ne në Kosovë themi që për të ndodhur gjërat e mira duhen vite dhe shumë punë, ndërsa që të ndodhin gjërat e këqija mjafton vetëm një sekondë.

30 vite nga rënia e Murit të Berlinit, ne si Evropë dhe si botë jemi shumë më mirë sesa kemi qenë sa i përket të drejtave dhe lirive të njeriut, megjithatë kërcënimet janë të dukshme dhe presin në befasi.

Një dekadë pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania dhe Franca nënshkruan traktatin e parë që krijoi bazën për Bashkimin Evropian dhe u deshën dekada të tëra që Evropa të ndërtojë vlerat e saj, besimin e saj dhe të bashkojë njerëzit që ndaheshin nga ideologjitë nacionaliste në kurriz të lirive.

Bashkimi Evropian ishte përgjigje ndaj fashizmit dhe është një nga projektet më të suksesshme në historinë e njerëzimit. Ajo siguroi përparim, të drejta të njeriut, liri dhe zhvillim ekonomik. Progresi i Evropës i dëshmoi botës se zhvillimi ekonomik është i mundur me demokracinë, dhe demokracia është paraardhëse e prosperitetit dhe inovacionit. Drejtësia sociale, të drejtat dhe liritë e njeriut janë të mundshme me demokraci dhe demokracia mund të rrëzojë të gjitha muret dhe të hap rrugën për brezat e ardhshëm.

Rënia e Murit të Berlinit ishte frymëzim për luftën tonë për liri dhe Evropa është frymëzimi ynë për demokraci dhe zhvillim.

Sidoqoftë, zhvillimet e fundit ndonjëherë dëshmojnë historinë tonë tragjike, se për gjërat e këqija që të ndodhin mjafton një sekond, se gjithçka mund të humbet shumë shpejt. Sot ne nuk kemi më Murin e Berlinit, por shumë mure të reja po ndërtohen në të gjithë botën dhe fatkeqësisht edhe në vetë Evropën.

Në vend të mureve neve na duhen më shumë rrugë dhe bashkëpunim më i mirë, në vend të ushtrive ne kemi nevojë për investime në arsim dhe inovacion.

Evropa është një shembull se si armiqësitë mund të shndërrohen në aleanca. Se si bashkëpunimi mund të frenojë brutalitetin. Andaj Evropa duhet të vazhdojë të jetë një shembull për botën sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut. Evropa nuk duhet të ketë frikë nga popullistët e krahut të djathtë dhe ata që kërcënojnë vlerat e të drejtave të njeriut.
Derisa problemet ndodhin shpejt, zgjidhjet marrin shumë kohë. Dhe ne nuk duhet të kemi frikë të kërkojmë zgjidhje, duhet të rrezikojmë dhe të jemi të durueshëm.

Ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale është një nga temat ku neve na duhet Evropa që të jetë shembull. Ajo ka një rol udhëheqës, por duhet të jetë më vendimtare. Evropa ka përgjegjësi historike si një nga kontribuesit më të mëdhenj të rritjes së gazrave serrë, kështu që ajo duhet të udhëheqë si shembull në masat për të luftuar ngrohjen globale.

Njerëzimi ka shumë probleme, por sidoqoftë zgjidhje për këtë janë uniteti dhe çiltërsia, ee jo përçarja dhe ksenofobia. Fobitë krijojnë probleme. Ne do të jemi më të fortë nëse i luftojmë fobitë tona duke e hapur mendjen ndaj përvojave dhe shkencës.

Muret asnjëherë nuk e kanë ndalur migracionin, duke marrë shembull nga muri kinez deri tek ai që po ndërtohet në kufirin meksikan. Muret janë simptoma të problemeve tona. Në vend që të luftojmë simptomat, ne duhet të luftojmë shkaqet. Në vend që të luftojmë viktimat, ne duhet të luftojmë padrejtësinë.

Rënia e Murit të Berlinit 30 vite më parë, dëshmoi se muret nuk mund të mbajnë njerëz dhe ide. Duke e kujtuar Murin e Berlinit, ne të gjithë duhet të qëndrojmë kundër atyre që duan të përçajnë botën dhe të gjejnë bazë të përbashkët për dialog dhe bashkëpunim. Problemet tona më të mëdha si njerëzim nuk kanë kufij dhe luftimi i këtyre problemeve përmes përçarjes nuk do të jetë i mundur.

Le të bashkohemi për të ardhmen tonë, le të shkatërrojmë muret së bashku!

Ju faleminderit!”