Home Lajme BOTË Kutitë e votimit në Evropë nën kthetrat e ekstremit të djathtë

Përderisa në shtete evropiane si Franca, Holanda dhe Gjermania afrohen zgjedhjet presidenciale ose parlamentare, vëmendje tërheq ngritja e partive ose kandidatëve të ekstremit të djathtë në saje të krizës së refugjatëve dhe retorikës antiislame dhe ksenofobike.

Viteve të fundit në shtete të Evropës si Francë, Holandë, Austri, Gjermani, Itali dhe Greqi është rritur numri i votave të partive që mbrojnë politikat e djathta ekstreme, ndërsa thuhet se duke arritur të fusin deputetë në kuvende, ata kanë ardhur në pozitë të mund të konkurrojnë me partitë e qendrës së djathtë që tradicionalisht janë në qeveri apo partner të qeverisë, ose partitë e majta.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), ekspertët vlerësojnë se njëri nga faktorët më të rëndësishëm që ka kontribuar në këtë ngritje të partive të së djathtës ekstreme është qasja e tyre ndaj votuesve me “retorikë të frikshme” ksenofobike ose antiislame.

Kryetari i Akademisë së Mendimit Islam në Francë, Jamel El Hamri, duke folur për AA në lidhje me rritjen e racizmit në shtetet e Bashkimit Evropian (BE) viteve të fundit, thotë se antiislamizmi është bërë shkaktar i rritjes së partive të djathta ekstreme prej 30 vitesh.

El Hamri konsideron se “posaçërisht në 15 vitet e fundit antiislamizmi është bërë argumenti më i mirë i ekstremit të djathtë”.

Ndërkaq, mendimin e njëjtë mbështet edhe Samir Amghar, studiues i Fondaciont Evropian për Demokraci i cili merret me hulumtime mbi mënyrat për parandalimin e radikalizimit në Evropë. Sipas tij, viteve të fundit në Evropë është rritur diskursi kundër muslimanëve, teksa partitë e ekstremit të djathtë janë ushqyer me antiislamizëm.

“Evropianët dëshirojnë të dëgjojnë fjalë antimuslimane”, thotë Amghar, duke vlerësuar se kjo është arsyeja për të cilën partitë e ekstremit të djathtë do ta vazhdojnë retorikën e tyre antiislame.

Le Pen në Francë

Njëri nga shembujt më serioz të ngritjes së ekstremit të djathtë duket në Francë. Jean-Marie Le Pen, ish-lideri i Frontit Nacional (FN) i cili tërhiqte vëmendjen me retorikën e tij ksenofobike, antimigrante dhe antiislame, në zgjedhjet presidenciale në vitin 2007 arriti të sigurojë 10.44 përqind të votave, teksa e bija e tij Marine Le Pen, e cila zuri vendin e tij, arriti të rritë numrin e votave në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 në 18 përqind.

Në anketat e realizuara para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Francë në dy raunde, 23 prill dhe 7 maj, tregohet se Le Pen ka mbështetjen e nevojshme për ta kaluar raundin e parë. Sipas anketave të fundit, supozohet se Le Pen do ta kalojë e para raundin e parë duke ngritur në 27 përqind numrin e votave. Partia e Le Penit, FN, kishte marrë 27.7 përqind të votave në zgjedhjet lokale të vitit 2015.

Presidenti francez François Hollande ka shprehur shqetësime duke thënë se në Francë rreziku nga e djathta ekstreme është në rritje çdo ditë e më shumë. “Prej 30 vitesh, e djathta ekstreme nuk ka qenë kaq e fuqishme”, paralajmëroi presidenti Hollande, duke theksuar se Franca nuk do t’i përkulet të djathtës ekstreme. Ai ka vlerësuar se zgjedhjet presidenciale do të jenë përcaktuese jo vetëm për ardhmërinë e Francës, por edhe atë të Evropës.

Wilders në Holandë

Shteti tjetër ku është rritur mbështetja ndaj ekstremit të djathtë është Holanda, ku më 15 mars do të mbahen zgjedhje të përgjithshme.

Viteve të fundit, votat e ekstremit të djathtë në Holandë janë ndarë në shumë parti, megjithatë, ekstremi i djathtë shënoi ngritje me Partinë për Liri (PVV) të themeluar në vitin 2006 nga Geert Wilders. PVV ka arritur të ngrisë mbi 10 përqind mbështetjen në zgjedhjet e deritanishme që nga viti 2006.

Partia për Liri e kryesuar nga Wilders, i cili më parë ishte përfolur me ofendimet ndaj Profetit Muhamed dhe Kuranit, sipas anketave të fundit tërheq vëmendjen me mundësinë për të dalë e para në zgjedhjet që do të mbahen javën e ardhshme. Së fundmi, Wilders ka deklaruar se dëshiron ta ndalojë Kuranin në Holandë dhe të mbyllë të gjitha xhamitë.

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2006 PVV arriti të marrë 5.9 përqind të votave, ndërsa në zgjedhjet fundit të përgjithshme në vitin 2012 siguroi 10.1 përqind të tyre duke fituar 15 vende në parlament.

Gjermani

Ndërkaq, në Gjermani, që njihet si lokomotiva e Bashkimit Evropian, thuhet se rritja e ekstremit të djathtë ka fituar intensitet me krizën e refugjatëve në vitin 2015. Vendimi i qeverisë gjermane për të pranuar një milion refugjatë ka nxitur qarqet e djathta ekstreme në vend.

Në krahun e djathtë ekstrem në Gjermani, spikasin Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe Partia Nacionale Demokratike (NDP) ndaj së cilës ishte hapur procedim gjyqsor për mbylljen e saj. Edhe pse në zgjedhjet e vitit 2014 për Parlamentin Evropian NDP siguroi vetëm 1 përqind të votave, ish-lideri i partisë Udo Voigt arriti të hyjë në parlament.

Në vit më pas, lëvizja Evropianët Patriotë Kundër Islamizimit të Perëndimit (PEGIDA) mblodhën mijëra simpatizantë në protestat antiislame që zgjatën me javë. Si efekt i kësaj, në vend u përshpejtua rritja e ekstremit të djathtë.

AfD kishte arritur të sigurojë 4.7 përqind të votave në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2013. Ndërkaq, anketat e fundit para zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në shtator flasin se AfD do të fitojë rreth 8 përqind të votave për t’u radhitur si partia e tretë.

FPÖ në Austri

Partia e e Lirisë e Austrisë (FPÖ) tërheq vëmendjen me mbështetjen e fituar në zgjedhjet e viteve të fundit. Teksa partia gëzonte 17.5 përqind të votave në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2008, ajo arriti të rrisë këtë mbështetje në 20.6 përqind në vitin 2013.

FPÖ, e cila më parë përqindjen e votave e kishte rritur në nivel federal, brenda viteve rriti mbështetjen edhe në nivel shtetëror. Aktualisht, partia radhitet si partia e tretë në vend.

Në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016, anëtari i FPÖ-së Norbert Hofer mori 35 përqind të votave në raundin e parë. Hofer, në raundin e dytë të anuluar siguroi 49.7 përqind të votave. Ndërkaq, në zgjedhjet e përsëritura ai gëzoi 46.2 përqind të mbështetjes, megjithatë, u mposht nga kandidati i Partisë së Gjelbër Alexander Van der Bellen.

Agimi i Artë në Greqi

Të djathtët ekstremë në Greqi, të cilët para vitit 2000 nuk ishin efektivë, pas këtij viti u ngritën me shpejtësi. Ajo që ka spikatur është ngritja e partisë Agimi i Artë pas krizës ekonomike në vitin 2008.

Agimi i Artë, parti e cila njihet me aktivitetet e dhunës të anëtarëve të saj kundrejt të huajve, fituan të drejtë përfaqësimi në kuvend duke fituar 7 përqind të votave në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2012 dhe 2015.

Agimi i Artë radhitet si partia e tretë në parlament, ndërkohë që spikat me retorikën raciste dhe antiislame dhe qëndrimin euroskeptik. Thuhet se subjektet e djathta ekstreme në Greqi si Agimi i Artë kanë fituar forcë si rezultat i krizës ekonomike dhe problemit me refugjatët.

Itali

Në Itali, në taborin e ekstremit të djathtë vitet e fundit spikasin partia Liga Veriore, e cila njihet me tezat e saj kundër migrantëve, dhe Lëvizja Pesë Yje, retorika populiste e së cilës ka shfaqur ngjashmëri me atë të së djathtës ekstreme.

Pesë Yje, lëvizje euroskeptike dhe antiglobaliste e kryesuar nga komediani Beppe Grillo, shfaqi trend rritjeje në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme në të cilat mori pjesë pas themelimit në vitin 2009. Partia arriti të radhitet si partia e dytë në zgjedhjet e fundit në vitin 2013 duke siguruar rreth 25 përqind të votave, megjithëse ngeli jashtë taborit qeverisës pasi partitë e tjera formuan koalicion.

Ndërkaq, Matteo Salvini, lideri i Ligës Veriore, e cila në zgjedhjet e vitit 2013 siguroi 4.1 përqind të votave, ka shprehur lëvdata për presidentin amerikan Donald Trump, djathtisten ekstreme Marine Le Pen dhe presidentin rus Vladimir Putin. Liga Veriore kërkon krijimin e një sistemi federal dhe autonomi për rajonet në veri.

Skandinavi

Edhe në shtetet e Skandinavisë, e cila më së shumti njihet për dominimin e partive të majta, ideologjia e djathtë ekstreme ka shënuar ngritje.

Në Suedi, Demokratët Suedezë, parti që njihet si ksenofobe dhe antimigrante, derisa në zgjedhjet lokale në vitin 2002 morën 1 përqind të votave, në zgjedhjet lokale të vitit 2014 ajo u ngrit duke siguruar 13 përqind. Partia e kryesuar nga Jimkie Akesson posedon afro 20 ulëse në parlamentin suedez.

Në ndërkohë, partia siguroi dy vende në Parlamentin Evropian pasi siguroi 9.7 përqind mbështetje në zgjedhjet e vitit 2014.

Ndërkaq, në Finlandë, Partia e Finlandezëve të Vërtetë, parti populiste dhe nacionaliste e kryesuar nga Timo Soini, në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2007 fitoi 4.1 përqind të votave, në vitin 2011 mori 19.1 përqind kurse në vitin 2015 partia siguroi 17.7 përqind të votave.

Finlandezët e Vërtetë ishte partia më e vogël në Parlamentin e Finlandës në vitin 2007, teksa me ngritjen në vitet e fundit ajo është shndërruar në forcë të rëndësishme politike. Lideri i Partisë, Timo Soini, pas zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2015 u emërua Ministër i Jashtëm si partner i koalicionit.

Nga ana tjetër, votuesit e djathtë ekstremë në Danimarkë i përfaqëson Partia Popullore e Danimarkës. Në Danimarkë, vend i cili më herët ishte përfolur për ofendimet ndaj Profetit Muhamed dhe Kuranit, partia fitoi 12.3 përqind të votave në zgjedhjet e vitit 2011 dhe 21.2 përqind në vitin 2015, duke ardhur kështu në pozitën e partisë së dytë më të madhe në vend.

Partia mbron qëndrimet kundër migrantëve, ndërsa politikat e saj në këtë aspekt kanë nxitur reagime në arenën ndërkombëtare.

KULTURË

0 1842

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...