Home Lajme Kuvendari Gashi:STOP ndërtimeve shumëkatëshe rreth Qendrës Historike!

Pas lajmit të sotëm në RTV BESA se një politikan prizrenas, i kthyer në “investitor i ndërtimit”, ka tendenca për të ndërtuar komplekse shumëkatëshe afariste dhe banesore në afërsi të Qendrës Historike të Prizrenit (rr. Tahir Meha, afër xhamisë së Bajraklisë), dua ta përsëris kërkesën time të mëheshme për ndalimin e përkohshëm të ndërtimit të objekteve shumëkatëshe në zonën përreth Qendrës Historike deri në miratimin e Hartës Zonale të Komunës së Prizrenit.

Postimi i mëhershëm:

Moratorium për ndërtimet shumëkatëshe në Prizren!

Trendi i ndërtimeve të objekteve për banim kolektiv (banesave) në zonën përreth Qendrës Historike të Prizrenit është kthyer në një fenomen shumë shqetësues që do të le pasoja të përhershme në degradimin urbanistik dhe të trashëgimisë kulturore të qytetit.

Investitorë të ndryshëm janë duke zhvilluar punimet ose janë në përgatitje e sipër për të filluar me ndërtimin e objekteve të reja shumëkatëshe në zonën përreth Qendrës Historike: kompleksi te ish Ramiz Sadiku (i përfunduar tanimë), kompleksi te ish-Farmakosi (kontest në mes të Komunës, MKRS dhe MMPH), Terzi Mahall (i përfunduar tanimë), Jeni Mahall (i përfunduar tanimë), dhe në rrugët dytësore që kufizohen me rrugën Adem Jashari (njëra tek rruga që shpie kah 17 Nëntori në ndërtim e sipër dhe tjetra në afërsi të ish tregut të Bylmetit si projekt ideor).

Për ta parandaluar degradimin e mëtutjeshëm urbanistik, arkitektonik dhe të trashëgimisë kulturore materiale, Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Planifikimit Hapësinor (dhe ndonjë organ tjetër relevant) duhen që menjëherë të shpallin “moratorium” në dhënien e lejeve dhe të ndërtimit të objekteve shumëkatëshe në një perimetër të caktuar rreth Qendrës Historike të Qytetit. Kjo me qëllim të parandalimit të vazhdimit të kaosit urbanistik, mbingarkimit të lagjeve me banorë dhe automjete, mbingarkimit të rrjeteve të rrymës, ujësjellësit dhe të kanalizimit si dhe të ruajtjes së konturave apo peizazhit arkitektonik dhe natyror të qytetit (dhe një sërë arsyesh të tjera).

Moratoriumi duhet të zgjatë deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Hartës Zonale, me të cilin synohet rregullimi i planifikimit hapësinor të Prizrenit. Moratoriumi nuk duhet të përfshij lagjet që janë larg Qendrës Historike,ka shkruajtur në facebook adresën e tij Kuvendari i Prizrenit Ilir Gashi.