Home Lajme Largohet nga rendi i ditës pika për dhënien me qira të lokaleve...

Pas njoftimit zyrtar të Komitetit për Politikë dhe Financa se është hjekur nga rendi i ditës së mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Prizrenit (që do të mbahet më 19 Nëntor 2020) pika ku ishte paraparë shqyrtimi për shpalljen e ankandit për dhënien me qira të lokaleve komunale në Sheshin e Lidhjes, ka reaguar kuvendari Ilir Gashi i cili para disa ditëve para kamerave të RTV BESA ka apeluar tek partitë politike që t’i lirojnë këto lokale në favor të institucioneve kulturore ose ndërmarrjeve private. Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të kuvendarit Ilir Gashi.Para disa ditësh publikisht propozova që lokalet brenda Qendrës Historike të Prizrenit, që shfrytëzohen nga partitë politike, t’i kthehen në menaxhim të komunës për t’i ri-destinuar si institucione kulturore (muze, galeri, etj.) ose së paku të jepen me ankand ndërmarrjeve private (që komuna të përfitojë nga çmimi real i qirave e jo me pagesa simbolike prej 1 eurosh në vjet nga partitë politike). Në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, të thirrur për datën 19 nëntor 2020, në rend të ditës ishte paraparë edhe pika e rendit të ditës për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale përfshirë edhe lokalet e lartcekura në qendër të qytetit. Por, sot, në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) është vendosur rekomandimi që nga rendi i ditës së mbledhjes së V-të të rregullt të Kuvendit të Komunës së Prizrenit të largohet pika e rendit të ditës për dhënien me qira të lokaleve në Qendrën Historike të Qytetit (Sheshi i Lidhjes).Me këtë rast dua ta shpreh indinjatën e thellë dhe mospajtimin me kolegët kuvendarë, anëtarë të KPF-së, që kanë votuar Pro heqjes së kësaj pike nga rendi i ditës, akt me të cilin interesin partiak e kanë vendosur para interesit publik.