Home Lajme KOSOVË Lirohen të gjithë akuzuarit e rastit “Pronto” pasi nuk u provua se...

Lirohen të gjithë akuzuarit e rastit “Pronto” pasi nuk u provua se kryen vepra penale.

Përgjimi ku ish-ministra e ish-deputetë të PDK-së dëgjohen duke folur për emërime të personave të afërt me ta në borde e ndërmarrje publike, nuk kanë arritur ta bindin trupin gjykues se 11 të akuzuarit në rastin ‘Pronto’ kishin kryer veprën penale “Shkelje e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Këtë të premte trupi gjykues ka vendosur t’i lirojë si të pafajshëm me arsyetimin se nuk është provuar se të akuzuarit e kanë kryer këtë vepër penale.

Por, këtë të premte, nga 11 të akuzuarit, vetëm dy prej tyre kanë qenë të pranishëm në shpallje të aktgjykimit.

Besnik Berisha, avokat i ish-ministrit Besim Beqaj , ka thënë se kjo aktakuzë erdhi si shkak i presionit publik, ndërsa Prokuroria ishte selektive, pasi, sipas tij, nuk pati guxim t’i intervistojë as si dëshmitarë personat përgjegjës për punësime, e aq më pak si të dyshuar.

Në prill të 2018-s Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 11 personave, në krye me protagonistin e këtyre përgjimeve ish-deputetin PDK-së, Adem Grabovci, Zenun Pajazitin, e ish-ministrin e Inovacionit, Besim Beqaj dhe 8 persona të tjerë.

Por, ky proces gjyqësor, i cili përfundoi në kohë rekorde me 12 seanca të mbajtura, nuk pati dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria Speciale derisa gjykata kishte marrë vendim që edhe përgjimet dhe të gjitha provat të administroheshin si të lexuara duke e privuar publikimin nga dëgjimi i qindra përgjimeve.

Në këto përgjime, të ndodhura gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, dëgjohen duke folur për punësimin e personave të afërt me PDK-në në borde, si drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Këto përgjime të publikuara nga mediat kishin zbuluar metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta të interesit.

Por, pjesë e aktakuzës së Prokurores Drita Hajdari nuk ishin bërë edhe përgjimet e vitit 2011, që u publikuan në dhjetorin e 2017-s, e ku dëgjoheshin Grabovci, Kadri Veseli, Besim Beqaj e Hashim Thaçi teksa përpiqeshin të siguronin pozitën e kryeprokurorit të Shtetit për Aleksandër Lumezin, i cili atë kohë ishte Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë.

KULTURË

0 2922

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...