Home Opinione Logos-A dhe përgjegjësia jonë

 

Shkruan: Ditar Kabashi

 

Shkupi, dikur qendër e Vilajetit të Kosovës, më pas i strukur mes thellësisë historike dhe tendencës të huajësuese, ndërsa tash e gati tri dekada i përmbytur në krizë identitare falë mungesës së boshtit kurrizor të parisë shqiptare atje.

Të jem i sinqertë, ende s’kam arritur të kuptoj eliksirin e kosovarëve të cilët me të vajtur në këtë qytet shkojnë e fotografohen në atë qendër përplot me statuja mitizuese, jo origjinale, estetikisht të shëmtuara dhe, mbi të gjitha, tmerrësisht përçmuese për shqiptarët.

Kafenë e fundjavës mund ta pish në Shkup, por s’mund të tregohesh aq i paturp sa të të mos interesojë gjendja e shqiptarëve atje. Kjo, lëre se nuk është aksiomatikë kombëtare, por as morale jo.

Veçanërisht elita (!) intelektuale në Kosovë (me disa përjashtime) është tejet e kompleksuar, inferiore dhe në mos daltë dikush tjetër t’i tregojë se si duhet marrë frymë – mbase do të shuhej e tëra.

Të pohosh që shqiptarët atje nuk dinë të tregojnë qëndrim karshi maqedonëve, e në anën tjetër të mos e përkrahësh bile me një fjalë goje alternativën e vetme politike me figura të pa konsumuara – Lëvizjen BESA, e cila u pa se ua kalli lojën pobratimëve që ishin mësuar të ndajnë kajmakun e një kosi të zënë nga populli, flet hiç më pak se për injorancë politike.

Të thuash “unë jam profesor, jam akademik, jam autor librash, studioj…” e të heshtësh ndaj presionit që i bëhet vatrës së mendimtarisë në letrat shqipe – Shtëpisë Botuese Logos-A, dëshmon për vetëkënaqjen emancipuese “shkencore” që s’arrin të dalë tej kufijve tanë (ende të pa demarkuar).

Sot, nuk mund të studiojë seriozisht ne gjuhën shqipe një historian, gjuhëtar, sociolog, teolog, filozof… e të mos i bjerë rruga kah ndonjë titull i Logos-A. Madje, edhe unë si nxënës i librave të drejtësisë, juristin e famshëm francez Olivier Duhamel e kam lexuar pikërisht nga këtu.

Kjo s’është një shtëpi botuese e rëndomtë. Logos-A nuk është ndërtuar me mendësi materialiste e komerciale. Ajo ngriti fjalën e jo zërin, zgjoi idetë e rrënoi klishetë, u gjend aty ku duhet, kur këtë ia kërkoi historia dhe ndërgjegjja e pastër. Me Logos-in lexuesi shqiptar filloi të frymojë më lirshëm mes rreshtash; begatia e sofrës së shkronjave të këtij nikoqiri të madh kënaq secilin që beson se të lexuarit është obligim parësor në jetë, se të lexosh nuk do të thotë të njohësh alfabetin por të kapësh thelbin e kuptimit, se të lexuarit nuk është vetëm veprim por edhe porosi metafizike…

Në fillim të këtij shkrimi iu rreka t’i them nja dy fjalë për Shkupin. Nuk e zgjata sepse s’kam ç’të them më tepër se libri i mrekullueshëm “Shkupi” i Kim Mehmetit, të cilin e patëm përuruar me shokë në Panairin e Librit në Prizren, në vitin 2013. Eh, pra, edhe ky libër është i botuar nga Logos-A.

Po, po, i nderuari lexues e intelektual. Shkupit s’mjafton t’ia dish emrin. Duhet t’ia njohësh shpirtin dhe mendjen. E kur ta kesh kuptuar këtë, do të vish në përfundim se Shkupi mbëlton farën e ardhmërisë së ndritur të kombit tonë. Urithët mund ta duan errësirën, por dielli s’ndalon së rrezatuari. Sulmi ndaj Shkupit të vërtetë, pra ndaj Logos-A, është sulm ndaj të gjithë neve. Mirëpo, duhet të dihet se ky flakadan do të përndritë gjenerata në mbarë trevat tona. Gjersa të marrim frymë.

Sepse Logos-A është kryefjala e dashurisë sonë, bile edhe në datën 14 të këtij muaji.