Home Lajme LSDM: Kapja e shtetit nga partia, gjykatësja e rastit “Monstra”

Kontrolli i plotë shtetëror, punësimet sipas linjave partiake, presionet si dhe manipulime të tjera janë pjesë e “bombës” së publikuar nga LSDM.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev theksoi se me bisedat e përgjuara apo bombën e 20-të dëshmohet kapja e shtetit nga ana e disa njerëzve parti.

Zaev tha se përmes përgjimeve dëgjohet se si ministrja e brendshme pranon se parku i makinave zyrtare të MPB-së është shëndërruar në park të VMRO-DPMNE-së, punësimet masive të aktivistëve të VMRO-së nëpër institucione, polici, gjyqësor, prokurori, shëndetësi, arsim, por edhe presionet për të nxjerrë nga puna gjithë përfaqësuesit apo përkrahësit e opozitës.

Në një bisedë mes ministres së brendshme Jankullovska dhe Martin Protugjer, shefit të kabinetit të kryeministrit Nikola Gruevski, ministrja dëgjohet duke i thënë se si ka larguar një kryetar të sindikatës nga një institucion.

Zoran Zaev publikoi biseda për të cilat thotë se janë të zhvilluara mes krerëve shtetërorë që sipas LSDM-së kanë okupuar gjyqësorin duke emëruar gjykatës dhe prokurorë.

Sasho Mijallkov i propozon Gordana Jankullovskës që Gordana Geshkovska të jetë prokurore në prokurorinë publike në Shkup.

Ndryshe Gordana Geshkovska është prokurorja e cila ka propozuar dënim maksimal pë të dyshuarit e rastit “Monstra.”

“Në gjyqësi, arsim , shëndetësi, … çdo sferë është uzurpuar nga partia e Gruevskit”, ka thënë sot Zaev në pres konferencën e LSDM-së.