Home Lajme Maqedonia shpërfill diplomatët shqiptarë

Emërimi i shqiptarëve nëpër përfaqësitë diplomatike-konsullore të Maqedonisë në botë, vazhdon të shpërfillet. Postet e ambasadorëve mbeten vakante prej më shumë se 2 vjetësh tashmë në Varshavë, Sarajevë, Bern, për rreth 1 vit në Doha, ndërkohë që Ambasada e Maqedonisë në Gjenevë, pothuajse 4 vjet është pa ambasador.

Nga ana tjetër, edhe pse këto ambasada i takojnë partisë shqiptare, BDI-së, Ministria e Jashtme tashmë ka dërguar kuadro maqedonase si ushtrues detyre të ambasadorëve në Doha dhe Varshavë, shkruan Alsat-M.

Ndërkohë që ambasadorët që ka caktuar BDI-ja akoma mbeten peng i mosfirmosjes së kreut të shtetit, për shkak të kontestimit të legjitimitetit të tij nga partia shqiptare në pushtet.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme ka shpallur një konkurs të brendshëm për 20 vende të reja diplomatësh për përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë nëpër botë. Edhe atë nga dy diplomatë me thirrje të lartë dhe thirrje sekretarësh në Paris, Madrid, Beorgad, Sarajeve, Tokyo, në Stamboll, misionin e OSBE-së në Vjenë, misionin e BE-së në Bruksel, në Londër, në Kambera, në Bern, në Tel Aviv dhe Berlin.

Në këtë konkurs kanë konkurruar 31 shqiptarë, megjithatë mbetet të shihet se sa nga to do të përzgjidhen. Në konkursin e fundit të këtij dikasteri nga 17 diplomatët e emëruar për përfaqësitë konsullore dhe diplomatike të Maqedonisë, vetëm 2 ishin shqiptarë. Nga ana tjetër aktualisht në rreth 60 përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë në shtetet e jashtme dhe organizatat ndërkombëtare ka 3 ambasadorë dhe vetëm një konsull shqiptar.

Nga ministria e jashtme ishin të pakapshëm për të komentuar këto të dhëna që kanë të bëjnë me përfaqësimin e shqiptarëve në Përfaqësitë diplomatike-konsullore të Maqedonisë si dhe ngecjet në emërimin e ambasadorëve. Kohë më parë kreu i komisionit të politikës së jashtme, Antonioi Milloshoski i pyetur nga BDI-ja për ngecjet, kishte këshilluar partinë e Agmetit që përgjigjen ta kërkojë tek kryetari legjitim i shtetit, Gjorge Ivanov duke aluduar kështu në mosnjohjen e presidenti nga ana e BDI-së.