Home Lajme KOSOVË MASHT-i refuzon kërkesën e SBASHK-ut, mësimi vazhdon të hënën!

Gjatë ditës së sotme kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me ministrin në detyrë të shëndetësisë, Armend Zemajn, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, ministrin në detyrë të arsimit, Ramë Likaj e zëvendësministrin e arsimit në detyrë, Xhavit Rexhajn, janë takuar me përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe Këshillin e Prindërve.

Në këtë takim është propozuar që të ketë një javë pushim për të gjithë procesin mësimor, shkruan Indeksonline.

E ky pushim është propozuar nga data 22 mars deri më 26 mars.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jashari, në një deklaratë për Indeksonline ka thënë se takimi me palët e lartcekura ishte takim konsultativ.

“Takimi ishte konsultativ, kryeministri dëshironte të dijë vlerësimin e të gjitha palëve. Nuk ishte një takim që do të sjell ndonjë vendim të prerë por do të ketë takim me Komiteti Anti Covid -19, e nga ky takim ne e presim vendimin përfundimtar që jemi marr vesh të jetë obligativ për të gjithë”, ka thënë Jashari.

Ndërkaq kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh.

Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se mësimi do të vazhdojë normal të hënën pasi që nuk është marrë ndonjë vendim për pushim njëjavor siç propozoi Ministria e Arsimit ditë më parë.