Home Lajme KOSOVË MË PAK ABORTE GJATË VITIT 2015

Numri i dukurisë së abortit është në rënie e sipër, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë pranë QKUK, Myrvete Paçarada tregon se arsyet që kanë ndikuar në rënien e numrin kanë qenë të ndryshme.

Në një intervistë për Kosovapress, Paçarada thotë se informimi i mirëfilltë që është duke u bërë vitet e fundit dhe rritja e interesimit të femrave në përgjithësi rreth pasojave të abortit ka luajtur një rol të rëndësishëm në planifikimin familjar për të zvogëluar numrin e aborteve. Pra, porosit ajo, mediat duhet të përdoren në mënyrë pozitive nga ana e tyre, për të mbrojtur shëndetin e gruas ndaj shtatëzënive të padëshiruara.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i aborteve shënon një rënie të dukshme, ndërsa si një ndër faktorët që kanë ndikuar përmend përdorimin e mjeteve kontraceptive.

“Vitin e kaluar kemi pasur 130 aborte, kurse deri me datën e sotme janë kryer 44 aborte në klinikën tonë. Me rëndësi është që të përmendet se para kohës së luftës për 1 ditë janë bërë aq aborte sa për 1 vit në ditët e sotme sepse femrat tona po informohen përmes mjeteve të informimit, pra edhe qasja ndaj mjeteve kontraceptive është shumë më e lehtë se përpara. Dukuria e abortit është duke u zvogëluar, kurse numri i përdorimit të mjeteve kontraceptive që ndihmon planifikimin familjar është duke u rritur.” tha Paçarada.

Një rol të rëndësishëm sipas saj kanë klinikat private dhe barnatoret private, ku pacientët pa pasur nevojë për t’iu nënshtruar një eksponimi të madh ndaj opinionit, munden të kërkojnë mjetin kontraceptiv dhe thjeshtë të zgjidhin problemin, falë qasjes më të lehtë te mjetet kontraceptive.

Sipas ligjeve në fuqi, aborti lejohet deri në javën e 10-të, prej javës së 10-të deri në të 12-ën ekziston një komision i shkallës së parë që lejon abortet në rastet e jashtëzakonshme. Ndërkaq, ekziston një kategori tjetër që lejon abortin deri në javën e 22-të, edhe atë vetëm në rastet kur është e rrezikuar nëna apo të metat e frytit rrezikojnë jetën e nënës, thotë Paçarada.

Nëse marrim parasysh numrin e lindjeve dhe aborteve për vitin e kaluar, del që raporti i lindjeve dhe aborteve është 80:1, respektivisht në çdo 80 lindje kemi 1 rast të abortit.

Myrvete Paçarada, tash drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjise, është gjinekologe me përvojë shumëvjeçare dhe si e tillë e ka një këshillë për të gjitha femrat që vendosin ta kryejnë procesin e abortit.
“Unë si nënë, si mjeke jam kundër abortit, por ekzistojnë disa situata kur ne duhet të bëjmë aborte për shkaqe të ndryshme, çdo mjet kontraceptiv është më i mirë se aborti. Aborti është intervenim i dhunshëm, mund të lë pasoja në jetën e një femre të re, qoftë në natyrën fizike po ashtu edhe psikike. Këshilla ime është që të lajmërohen nëpër këshillimoret për shtatzënat dhe të përdorin mjete kontraceptive.” tha Paçarada.

Përveç këtyre që u përmendën më lartë, vlen të përmendet edhe një fakt i rëndësishëm në këtë drejtim, që organizata United Nations Population Fund (UNFPA), vitin e kaluar ka dhuruar një donacion lidhur me mjete kontraceptive, që janë ndarë falas e që ka ndikuar në mënyrë pozitive në planifikimin familjar.

KULTURË

0 2900

Xamia Tur-u Sina në Etiopi, e cila prej më shumë se gjysmë shekulli ka arritur të ekzistojë që është e ndërtuar prej kashte,...