Home Lajme MIRSAD NDRECAJ DHE BEG RIZAJ FLITET SE JANË NË MESIN E TË...

Mirsad Ndrecaj, i njohur me nofkën “Komandan Nato” dhe Beg Rizaj, “komandant Begu”, sipas të gjitha gjasave, gjenden në mesin e 14 trupave të pajetë, të mbetur nga aksioni në Kumanovë. Lajmin e ka konfirmuar Televizioni Alsat-M edhe pse lajmi nuk thirret nga burime zyrtare. Kjo informatë nuk konfirmohet zyrtarisht ende nga Ministria e Punëve të Brendshme, pasi ende nuk ka përfunduar plotësisht identifikimi i të arrestuarve.

Sipas burimeve të ALSAT M, tek njëri nga krerët e grupit, i mbetur i vrarë, janë gjetur edhe dokumentet e tij personale. Jo zyrtarisht bëhet fjalë për Mirsad Ndrecaj, komandant Naton.

Është në përfundim e sipër edhe ekspertiza mjeko ligjore e trupave të pajetë, por nuk mund të precizohet ende se sa mund të zgjasë procesi, i identifikimit zyrtar të tyre.Ndryshe ALSAT M mbrëmë publikoi emrat e 28 personave, nga 30 që iu dorëzuan policisë.

Është e qartë se në mesin e tyre, janë edhe tre nga krerët e tjerë të grupit, Muhamed Krasniqi (komandant Malisheva) Sami Ukshini (Sokoli) dhe Demë Shehu (komandant Juniku). Vetëm Ukshini ka dhënë emrin dhe mbiemrin e vërtetë në polici, ndërsa Krasniqi dhe Shehu kanë dhënë identitete të rrejshme.