Home Lajme Mytaher Haskuka:Rrugët e qytetit të Prizrenit tani e tutje do të jenë...

Mytaher Haskuka:Rrugët e qytetit të Prizrenit tani e tutje do të jenë më të pastra!

“Komuna e Prizrenit ka nënshkruar kontratën për mirëmbajtjen e rrugëve dhe të hapësirave të gjelbra në qytet dhe në fshatra. Kjo është kontrata që u ofron një ndër shërbimet më të rëndësishme të qytetit, duke përfshirë pastrimin e rrugëve, larjen e tyre, pastrimin e borës, krasitjen e shkureve dhe gjelbërimin e parqeve dhe oazave të qytetit.

Kjo kontratë e bënë qytetin më të pastër dhe më të bukur për të gjithë. Kjo atmosferë ka munguar në qytetin tonë për disa muaj për shkak të pretendimeve të pabazuara të një operatori ekonomik.

Komuna e Prizrenit është e përkushtuar që t’i përcjellë të gjitha procedurat ligjore. Për këtë i falënderoj të gjitha institucionet e involvuara në këtë proces që në fund kanë arritur që ta përmbyllin këtë procedurë administrative, e cila është politizuar pa nevojë.

Ne edhe në të ardhmen do të jemi të përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe procedurave administrative të domosdoshme. Në këtë proces të gjatë më të dëmtuarit kanë qenë qytetarët, prej të cilëve kërkojmë falje dhe i falënderojmë pa masë për durimin dhe bashkëpunimin e tyre.

Deri më tani Komuna jonë ka qenë shembull i mirëmbajtjes së hapësirave publike dhe i ftoj të gjithë qytetarët që edhe në të ardhmen t’i kushtojnë rëndësi hapësirës sonë të përbashkët gjelbëruese.

Ajo e cila na bashkon të gjithëve është qyteti jonë i pastër dhe i gjelbëruar, andaj të gjithë së bashku duhet t’i dalim zot dhe ta duam qytetin tonë.

Falenderoj të gjithë qytetarët, të cilët treguan mirëkuptim dhe kontribuan për tejkalimin e kësaj periudhe” ka shkruar Kryetari Haskuka në facebook adresëe e tij.