Home KULTURË Në Prishtinë u hap ekspozita “30 vite më vonë” e artistes boshnjake...

Mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës është hapur ekspozita e, artistes boshnjake Shejla Kameriq, “30 vite më vonë”.

Me fjalimin përshëndetës të drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve të Kosovës, Erzen Shkolollit dhe një “mirëserdhët dhe urdhëroni hyni” të shkurtër të artistes nga Bosnja dhe Hercegovina, mbrëmë në Prishtinë u hap ekspozita e Shejla Kameriqit e titulluar “30 vite më vonë”.

Artistja me famë botërore, Kameriq jetën ia ka dedikuar përçimit të mesazheve politike dhe sociale përmes të veprave të saja artistike që, në të shumtën e rasteve janë inspiruar nga përvojat dhe përjetimet e saja të dhimbshme nga lufta në Bosnje e Hercegovinë, përkatësisht, shtetrrethimi i Sarajevës i cili me kohëzgjatje prej1.395 ditëve, në historinë moderne njihet si shtetrrethimi më i gjati i ndonjë qyteti.

Drejtori i Galerisë Kombëtare, njëherësh kuratori i kësaj ekspozite, shpjegoi se Kameriq përmes artit të saj flet për pasojat, gjatë dhe pas luftës në Bosnje e Hercegovinë, duke tentuar që të ndikoj në ruajtjen e memories dhe kujtesës së një tragjedie por, në asnjë moment duke e mos harruar estetikën e artit të vet. Sipas Shkolollit, një element i posaçëm i punës së artistes Shejla Kameriq, sidomos kur bëhet krahasimi me veprat e ngjashme të skenës artistike rajonale, është ndarja e shprehjes së saj artistike nga artefaktet dhe dokumentet e luftës.

Ndër veprat që tërhoqën më së shumti vëmendjen ishin “Bosnian Girl” (Vajza Boshnjake) dhe “30 vite më vonë”.

Vepra “Vajza Boshnjake” është kombinim i fotografisë së Kameriq me grafitin ofendues të cilin një ushtarë i panjohur holandez e kishte shkruar në vitin 1994/95 në Potoçari të Srebrenicës, vendin e masakrës më të madhe në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Grafitit i cili në mënyrë diskriminuese krijon një stereotip të vajzës boshnjake, si një femër pa dhëmbë (No teeth…?), me mustaqe (A mustache…?) dhe të cilës i vije era, artistja Shejla Kameriq ia ka shtuar në prapavijë portretin e saj në të bardhë me një shprehje në fytyrë i cili simbolizon pastërtinë, qetësin dhe bukurinë shpirtërore dhe fizike, me çka ajo e mohon dhe e hedh poshtë etiketimin (grafitin), duke e bërë qesharak dhe jo të bindshëm. Ky në fakt ishte edhe një mesazh politikë për kontingjentin holandez të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Bosnje e Hercegovinë (SFOR) që konsiderohen përgjegjës për lejimin e masakrës në Sreberenicë, për shkak të mosveprimit të tyre për të ndaluar serbët në kryerjen e këtij krimi të rëndë kundër njerëzimit.

Me veprën e dytë, “30 vite më vonë” ku paraqitet një grua e cila e mbulon fytyrën me dorëza të bardha të stolisura me unaza të arit dhe gurë të çmueshëm që simulojnë sytë dhe buzët, Kameriq ka portretizuar një femër e cila fshihet pas një dukjeje stereotipe çfarë shoqëria e vlerëson si atraktive dhe të dëshirueshme, me çka e humbas atë bukurin natyrale të cilën e ka “Vajza Boshnjake”.

Për posterin i cili edhe e promovon këtë ekspozitë, Shejla Kameriq kishte deklaruar paradite për Anadolu Agency se, ka qenë një shprehje e nevojës së saj urgjente për ta bërë atë autoportret në një moment kur, në nënndërgjegje, kishte tentuar të krijoj një rezervë të sigurisë e cila është e mishëruar me ari dhe gurë të çmuar, apo diçka që është e çmueshme.

“Në nënndërgjegje, për mua kjo kishte kuptimin e diçkaje që është e sigurtë sepse, në historinë tonë familjare, nëna ime ka ndërruar unazat për ushqim gjatë luftës, gjatë shtetrrethimit të Sarajevës, që po ashtu e ka bërë edhe gjyshja ime gjatë Luftës së Dytë Botërore”, kishte deklaruar Kameriq për AA, duke e shpjeguar nevojën që përmes gurëve të çmueshëm, femrat kanë nevojë për t’u rregulluar dhe treguar se janë të mira kurse nga ana tjetër në nënndërgjegje krijojmë një përshtypje të sigurisë për mbijetesë. Nga ana tjetër, duke e analizuar punimin e saj jashtë kontekstit të luftës, Kameriq shprehet se e ka gjetur veten duke menduar se sa shpesh njerëzit fshihen pas të mirave materiale dhe këto dorëzat e bardha që e mbulojnë fytyrën, bëhen një mburojë e cila na “ruan” nga bota e jashtme.

“30 vite më vonë”, është ekspozita e pestë e Shejla Kameriq në Kosovë dhe ajo për këtë fakt thotë se është shumë e lumtur pse kaq shpesh i kthehet publikut kosovar dhe me krenari shprehet se në Kosovë ka ekspozuar më shumë herë se sa në vet Bosnje dhe Hercegovinë, për më tepër, për shkak të barrierës së dhimbshme dhe papranueshme, siç e quajti ajo vendosjen e regjimit tëvizave nga shteti i saj.

Prezentë në hapjen e ekspozitës “30 vite më vonë” të Shejla Kameriq ishin shumë figura të shquara të kulturës kosovare por edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ambasadorja franceze në Kosovë, Maryse Daviet dhe ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger e tjerë.

Ekspozita “30 vite më vonë” në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës do të jet e hapur deri më 4 qershor.